Shehu: Pagat që do të rriten më shumë janë ato të infermierëve dhe mësuesve, me rreth 17 %
Në lidhje me paratë që do të shkojnë për investime nga ky buxhet suplementar, zëvendësministri thotë se më shumë se gjysma e këtij buxheti do të shkojë për rrugët kombëtare dhe për ujësjellësa. Zëvendësministri vëren se ka presione të vazhdueshme të çmimeve, por vendi nuk është në gjendje krize dhe se ndërhyrja e qeverisë me rritjen e pagave dhe pensioneve, së bashku me rritjen e investimeve do ta lehtësojë peshën e çmimeve të rritura.
Për pensionet ka dy skenarë, njëri skenar është rritje e shkallëzuar e pensioneve nga 5 deri në 15 për qind, ndërsa për sa u përket pagave do të ketë diferencime midis niveleve dhe kategorive të ndryshme të pagave. Diferencimi do të konsistojë në grupe. Grupi i parë do të jenë infermierët, të cilët do të kenë rritjen më të lartë 15-17 për qind; grupi i dytë do të jenë mësuesit dhe grupi tjetër do të jetë grupi që ka pagat më të ulëta në sektorin buxhetor. Ndërsa pjesa tjetër, pagat e larta, do të kenë vetëm indeksim të inflacionit.
Sa do të jetë shifra e buxhetit suplementar që do të aplikohet për gjysmën e dytë të vitit?
Shifra e buxhetit suplementar ka dy pjesë. Njëra pjesë është ajo që ne kemi deklaruar deri tani, që do të shtojmë rreth 14 miliardë nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe të ardhurave të tjera. Përveç kësaj, ne parashikojmë që të kemi edhe një rritje të ndjeshme të privatizimeve strategjike dhe të të ardhurave që do të vijnë nga këto privatizime, në momentin aktual kemi kompaninë “ARMO”, prej së cilës kemi një ofertë prej 125 milionë eurosh, ndërkohë janë në proces edhe një sërë privatizimesh të tjera që mund të bien të ardhura suplementare. Këto të ardhura do të ndikojnë dhe do të përfshihen në buxhet në dy pjesë, në pjesën e uljes së borxhit dhe në pjesën e investimeve. Pra do të rritet buxheti i investimeve. Nga adresimet e deritanishme ne parashikojmë që të kemi edhe të paktën rreth 10 miliardë shtesë për investime, përveç 14 milionë eurove që tashë që vijnë prej të ardhurave.
Cilat do të jenë investimet kryesore që do të bëhen nga ky buxhet?
Ashtu si edhe në buxhetin e zakonshëm, prioritet do të kenë investimet, por kjo nuk përjashton edhe ndonjë shpenzim tjetër për politika të reja apo për kompensim të disa nevojave të reja, ose që nuk janë konsideruar kur është përgatitur buxheti. Por në tërësi, në momentin aktual, rreth 95 për qind e të gjithë këtij buxheti suplementar do të shkojë për investimet dhe rreth 90 për qind e të gjithë buxhetit të shtuar të buxhetit të investimeve do të shkojë për rrugët. Kjo, pasi rrugët janë jo vetëm prioritet i deklaruar, por ato kanë edhe më shumë mundësi absorbuese të financimeve shtesë, sepse, në qoftë se do të alokojmë më shumë për shkolla dhe spitale, procedurat e tenderimit dhe të kontraktimit do t’i vonojnë financimet. Nga ana tjetër, këto janë edhe objekte më të copëtuara, kurse rrugët janë objekte më të mëdha, ku mund të avancohet më shpejt dhe kanë më shumë shanse që të përdoren këto para.
Cilat janë rrugët kryesore që do të ndërtohen me fondet e këtij buxheti?
Për sa u përket rrugëve kryesore, një prioritet do të jetë përshpejtimi i rrugës Rrëshen–Kalimash, po kështu do të jenë edhe akset e tjera të kësaj rruge, duke filluar nga Milot–Rrëshen, si edhe akset e tjera që financohen nga qeveria (sepse rruga Milot–Rrëshen financohet nga Banka Botërore dhe Banka Islamike për Zhvillim), pastaj kemi akset jugore, duke filluar që nga Lushnja (kemi në proces rrugën Lushnjë–Fier, të financuar nga Kooperacioni Italian) e deri në Sarandë. Fillon aksi nga Levani në Tepelanë. Po kështu, kemi edhe dy akse të tjera të cilat kanë filluar, nga Korça në Qafë-Plloçë dhe nga Bllata në Bulqizë.
A ka projekte të tjera që do të financohen nga ky buxhet?
Po, ka një sërë projektesh të tjera. Ka ujësjellësa që do t’iu shtohet financimi dhe njëkohësisht kemi financimin e një sërë projektesh, të cilat do të shkojnë për pushtetin lokal, për të vazhduar ato projekte të cilat tashmë janë të kontraktuara, siç janë rrugët rurale, shkollat dhe spitalet.
Është folur për një rritje pagash dhe pensionesh, të cilat do të shërbejnë edhe si një indeksim për inflacionin. Sa do të jetë shifra që do të shpenzohet në buxhet për këtë dhe sa do të jetë përqindja e rritjes së këtyre pagave dhe pensioneve?
Rritja e pagave dhe pensioneve, që do të jetë indeksim dhe rritje reale, do të jetë në 4.6 miliardë lekë. Përveç kësaj, për grupe të caktuara, siç janë ata që marrin përkrahje sociale si dhe ajo kategori që ka paga të ulëta në sektorin buxhetor, mund të ketë edhe një mbështetje financiare në varësi të ecurisë së inflacionit. Por, nga vlerësimet tona del që ne inflacionin e kemi në nivele të moderuara, rreth 4 për qind dhe do të vazhdojmë ta mbajmë po në këtë nivel. Ky ishte edhe vlerësimi që dha Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Cilat janë ato paga dhe pensione që do të rriten më shumë dhe që do të përbëjnë prioritet në rritjen që do të ndërmerret nga ky buxhet?
Prioritet kanë gjithmonë pagat dhe pensionet e ulëta. Për pensionet ka dy skenarë, njëri skenar është rritje e shkallëzuar e pensioneve nga 5 deri në 15 për qind. Ndërsa, për sa u përket pagave, do të ketë diferencime midis niveleve dhe kategorive të ndryshme të pagave. Diferencimi do të konsistojë në këto grupe. Grupi i parë do të jenë infermierët, të cilët do të kenë rritjen më të lartë, me 15-17 për qind; grupi i dytë do të jenë mësuesit dhe grupi tjetër do të jetë grupi që ka pagat më të ulëta në sektorin buxhetor, ndërsa pjesa tjetër, pagat e larta, do të kenë vetëm indeksim të inflacionit.
Lidhur me krizën ekonomike ndërkombëtare, si i jeni përgjigjur ju dhe çfarë efektesh janë parë dhe priten prej saj?
Fatmirësisht, deri tani nuk ka krizë ekonomike. Mënyra e shfaqjes së krizës ekonomike është uria, varfërimi i tejskajshëm i popullsisë, më konkretisht është një rritje e tejskajshme e çmimeve në treg, gjë e cila nuk ka ndodhur në Shqipëri. Megjithatë, ka presione dhe dy janë grupet më të mëdha që janë nën këtë presion ose që kanë patur rritjet më të mëdha të çmimeve në tregun botëror, është energjia elektrike dhe karburantet. Ndërkohë që energjia është në stabilizim, karburantet po vazhdojnë të rriten. Natyrisht, këto japin impakt, por nuk mund ta vlerësoj si krizë ekonomike. Nuk mund ta vlerësoj si krizë për arsye se ne nuk jemi konsumues të mëdhenj të karburantit, në kuptimin e biznesit, për të thënë që karburanti është element kyç në biznes. Njerëzit mund të ulin konsumin, që do të thotë përdorimin e makinave, në qoftë se çmimet e karburantit rriten shumë, ndërsa qeveria merr masa për të garantuar konkurrencën e ndershme në treg, që do të thotë të kontrollojë cilësinë e karburanteve në mënyrë që karburantet e cilësive të ulëta të mos shiten me çmime të atyre të larta dhe pastaj drejtësia tatimore ka detyrë taksimin e njëllojtë të të gjitha bizneseve për të ruajtur barazinë në treg. Ndërsa, për sa u përket subvencionimeve qeveria nuk mendon që të marrë ndonjë masë tjetër fiskale për sa i përket impaktit që mund të kenë çmimet e karburanteve.
Për sa i përket bujqësisë, qeveria ka akorduar që në fillim të vitit një buxhet në mbështetje të fermerëve që është rreth 1 miliardë lekë, ndërkohë që edhe në buxhetin suplementar, ne po mendojmë për të gjetur forma të tjera mbështetëse, për të nxitur zhvillimin dhe rritjen e prodhimit bujqësor, pasi mendojmë që ka potenciale akoma edhe më të mëdha dhe këto do të kontribuojnë pastaj në zbutjen e efekteve të kësaj krize, në qoftë se do ta quajmë të tillë.
A ka abuzime në tregun e karburanteve dhe nëse vlerësohen fenomene të tilla, a do të ndërmarrë qeveria masa të tilla si ato që u ndërmorën në lidhje me rritjen e çmimit të bukës?
Nuk është se ka ndonjë evidencë për abuzime, por rritja e ndjeshme dhe sidomos mbajtja e nivelit të lartë të çmimit edhe kur në tregun botëror apo në vendet fqinje kemi ulje tregon që këtu tregu nuk është fleksibël dhe nuk është se zhvillimet e tregut shqiptar janë reflektim i zhvillimeve në tregun rajonal apo botëror. Në këtë kuptim, pra mund të supozojmë edhe për abuzime. Megjithatë, duhet të theksoj edhe njëherë atë që thashë më parë. Qeveria do të intensifikojë dy fusha. E para, respektimin e standardeve të furnizimit, pra cilësisë së mallit, dhe sidomos vjeljen e taksave mbi çmimet e rritura, që do të thotë pra edhe njëherë, do të intensifikojë respektimin e zbatimit të rregullave të tregut dhe sidomos të barazisë dhe konkurrencës në treg. Pra, ky do të jetë fokusi i qeverisë dhe ky është një moment që qeveria do të rikonsiderojë intensifikimin e ndjekjes, mbikëqyrjes së tregut për të garantuar këto që thamë.
Po për sa u përket kërkesave që kanë bizneset e karburanteve, si p.sh lidhur me kërkesën për uljen e akcizës ndaj karburanteve?
Këto mund të jenë masa për t’u konsideruar, por këto nuk janë masa që qeveria i ka në axhendën e saj, të paktën në momentin aktual, për arsye se, në qoftë se garantojmë barazinë në treg, atëherë njerëzit janë të barabartë përballë tregtarit dhe këto janë taksa mbi konsumin që i paguajnë konsumatorët dhe nuk ka asnjë garanci për efektet reale, nëse tregtarët do ta ulin apo jo çmimin me marrjen e masave të tilla.