Rama: Dekretet për Gjykatën e Lartë, Topalli mori kompetencat e Topit
Reagon kryetarja e Kuvendit: Nuk ka dekret të bllokuar dhe as shkelje afatesh
TIRANË- Dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për pesë anëtarë të Gjykatës së Lartë që “enden” zyrave të Kuvendit, kanë sjellë përplasjen publike mes Kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Dje në një konference për shtyp, Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se, “Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, jashtë çdo norme kushtetuese dhe jashtë çdo kornize të shtetit të së drejtës, në shkelje flagrante të funksionit të saj si spikere e Parlamentit, ka cenuar rëndë liritë themelore të 5 shtetasve të Republikës së Shqipërisë”. Rama shtoi se Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme, prova të pafajësisë së tyre, duke kapërcyer, sipas tij, jo vetëm çdo kufi të ligjit, por edhe të imagjinatës. “Këta shtetas janë 5 kandidatë të dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Emrat e tyre, Jozefina Topalli ia ka çuar policisë në kuptimin e plotë të fjalës”,- tha ai. Kryesocialisti theksoi se Topalli ka marrë kompetencat e kreut të shtetit. Sipas tij, ajo ka dhunuar personalitetin njerëzor e profesional të 5 njerëzve të ligjit, që Kushtetuta i mbron nga veprime të tilla policeske. Për këtë arsye, Rama tha se nuk përjashtonte edhe një hap të mundshëm për një mocion shkarkimi ndaj saj. “Ndërkohë i bëj thirrje kryeministrit Sali Berisha të distancohet nga ky akt i pashembullt deformimi i funksionit të spikeres së Parlamentit dhe të kërkojë nisjen e menjëhershme të procedurave parlamentare për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës”,- tha ai. Në nenin 26 të Rregullores, pika 7, thuhet se në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës, përfshi edhe ato për emërime. Në anën tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Përmes zëdhënëses se saj, Suela Ruseti, ajo ka theksuar se nuk ka dekret të bllokuar, apo tejkalim afati, por vetëm respektim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit. Në këto kushte, nga ana e Kuvendit është sjellë në vëmendje një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2005, ku thuhet se, “në rastet e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Kuvendi ka kompetencë të shqyrtojë jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por edhe meritën e emërimit të tyre”.
N.Perndoj