E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: Shqipëria, mijëra ton drogë drejt Europës

 

Raporti, në Itali 60 për qind e trafikut të drogës drejtohet nga shqiptarët

Shqiptarët janë të aftë të organizohen mirë në familje mafioze, duke kontrolluar tregtinë e drogës që nga importi në sasira të mëdha, siç është rasti i Italisë, dhe deri tek shitjet me gramë në rrugës e Zvicrës.

Kanabis mbetet droga kryesore që prodhohet në vend. Raporti bën të ditur se 83 për qind e kanabisit që shitet në tregjet italiane vjen nga Shqipëria, ndërsa në Greqi, kjo drogë që prodhohet në vend zë 67 për qind të tregut.

Pavarësisht se Ballkani nuk etiketohet si rajoni më i nxehtë në botë për trafikun e krimit dhe drogës, rajoni mbetet një zonë transiti, ku kalon një sasi prej rreth 100 ton drogë në vit në drejtim të Evropës. Sasia e drogës që kalon transit, në një sasi të madhe edhe nëpërmjet Shqipërisë, llogaritet sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara në një sasi prej 100 ton. Vetëm në Itali, sipas policisë italiane rreth 60 për qind e drogës në vend, administrohet dhe importohet nga Shqipëria. Të dhënat i përkasin periudhës 1996-2006. Italia mbetet një nga vendet ku transiti i drogës nga Shqipëria mbetet në nivele tepër të larta. Në vitin 2005 dhe 2006, rreth 30 për qind e drogës që ka mbërritur në tregun italian ka pasur si vend transiti Shqipërinë. Vitet e “arta” të tregtisë së drogës që ka kaluar nga Shqipëria, sipas OKB-së, kanë qenë 2003 dhe 2004, ku tregu italian i drogës është furnizuar në rreth 42 për qind të tij nga territori shqiptar. Droga që kalon nëpërmjet Shqipërisë, sipas raportit, është në pjesën dërrmuese transit, ndërsa kanabisi mbetet droga kryesore, e cila burimin e prodhimin dhe tregtisë e ka në vend.

Shqiptarët kontrollojnë trafikun

Gati e gjithë heroina që qarkullon në Evropë, është e drejtuar nga trafikantët shqiptarë, një xhiro biznesi që kapërcen prodhimin e brendshëm të shumë vendeve të Ballkanit. Këto janë fjalët e përdorur në Raportin e OKB-së për Kriminalitetin në Lindje të Adriatikut, e cila nuk heziton ta quajë Shqipërinë ose kriminalitetin e organizuar të tij, si një “kërcënim i vërtetë për BE-në”.

Sipas raportit, është pozicioni gjeografik i vendit që favorizon rritjen e biznesit, i cili është burimi më i madh i fitimit për kriminalitetin e organizuar në zonën e Ballkanit dhe në Evropën Juglindore. Në mes të rrugës mes prodhuesit më të madh në botë të heroinës dhe kokainës, Afganistanit, dhe tregut me kërkesën më të madhe, Evropën Perëndimore, nga Ballkani në drejtim të Europës kalojnë çdo vit 100 ton drogë, me një vlerë nga 25 deri në 30 miliardë dollarë. "Një trafik i tillë", shpjegon raporti, "nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e policisë, rojeve bregdetare". Kjo pasi raporti tregon se trafiku kalon mbi të gjitha nëpërmjet detit, funksionarë dhe popullsisë lokale, përfundime që të bëjnë të arrish në përfundimin e raportit: “Lidhja mes krimit të organizuar, politikës dhe botës së biznesit është akoma një problem i madh në Ballkan”. “Italia”, nënvizon OKB, “është një vend i preferuar nga trafikantët shqiptarë, që punojnë në bashkëpunim të ngushtë me Sacra Corona Unita. Sipas të dhënave të dhëna nga autoritetet e Romës, nga 1998 deri më 2006 janë sekuestruar 15 ton heroinë, nga e cila 10 ton vinte nga Shqipëria”. Por firma shqiptare e trafikut të drogës ndërkombëtare shkon më larg sesa tregojnë të dhënat aktuale. “Së bashku me kriminelët me pasaportë të Tiranës”, shpjegon raporti, “duhet të konsiderohen të gjithë ata që kanë ndryshuar kombësi por që janë brenda veprimeve të paligjshme sepse janë të lidhur me bashkëkombësit e tyre, në saje të identitetit të fortë etnik”. Mafia shqiptare e lidhur ngushtë edhe me autoritetet në vend, jo vetëm që me anë transitit furnizon një pjesë të mirë të tregut italian por çështje e këtyre organizatave kriminale janë bërë pjesë diskutimesh edhe të Komisionit Evropian.

Zvicra, 90% të heroinës e kontrollojnë shqiptarët

Mbetet vendi sipas OKB-së ku shqiptarët e Shqipërisë dhe atë të Kosovës kanë kontroll të plotë mbi trafikun e heroinës. Rreth 70%-90% të ofertës së drogës në Zvicër kontrollohet nga shqiptarët. Zvicra është edhe vendi ku shqiptarët e dënuar për trafik të drogës zënë vendin e parë, duke përbërë 34% të të burgosurve në total. Edhe në Greqi, rreth 40 për qind e drogës në treg rezulton se vjen nëpërmjet Shqipërisë dhe kontrollohet nga shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›