Berisha: Afganistanit ia premtova municionin falas, pasi mora vesh që bëhej aferë
Zoti Berisha, a është e gatshme Shqipëria të ndërtojë centralet bërthamore që do Berluskoni?
Vendimi im është të mos përjashtoj shqiptarët nga ky potencial i madh, siç është energjia bërthamore; më ekonomike, më e pastër. Na mungon një kuadër normativ i nevojshëm, jemi duke punuar me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në Vjenë. Projekti po avancon. Sapo të jetë gati, idealja do të ishte të arrinim një marrëveshje me vendet fqinje, Italia e para. Do të financojmë bashkë me qeverinë e Romës ndërtimin e një impianti në Shqipëri. Dhe, nëse kjo nuk do të jetë e mundur, do t’i drejtohemi sektorit privat për të studiuar tregun ballkanik dhe italian.
Disa javë më parë, Tremonti tha se Shqipëria është një zgjidhje e mundshme. Është e vërtetë që keni caktuar një vend në Durrës?
Vendi ynë është i hapur ndaj energjisë atomike. I hapur për të gjithë. Nuk kam biseduar ende me qeverinë italiane, pasi qeveria e mëparshme ishte antibërthamore. Ndërsa me Berluskonin ndryshon gjithçka. Një grup italian ka ardhur të diskutojë rreth mundësisë së një centrali në Shqipëri. Por nuk kemi vendosur ende për vendin. Dimë vetëm që do të jetë.
Po për afate kohore? Qeveria italiane ka folur për pesë vjet...
Varet. Nëse do të arrihet një marrëveshje mes qeverive tona, pesë vjet janë një afat i mundshëm.
Në të kaluarën me Italinë keni pasur edhe mjaft projekte të përbashkëta lidhur me mbetjet urbane. Mund të bëni diçka për Napolin?
Çështje tepër delikate. Gjërat kanë ndryshuar. Sot, ligjet shqiptare e ndalojnë importin e mbetjeve urbane. Unë besoj se kjo veto është vendosur edhe nga interesa të veçantë, pasi me biznesin e mbeturinave merren vende të tjera. Por pengesa ligjore është e pakapërcyeshme.
Frattini, në pozicionin e komisionerit evropian, ju premtoi afate të shkurtra për liberalizimin e lëvizjes në Evropë. Tani është në qeveri me Lega Nord. Besoni se do ta mbajë premtimin?
Frattini, një mik i madh! Nuk mund të ndryshojë në sjelljen me shqiptarët. Në një takim me Silvion, ky i fundit më tha, mua dhe medias: “Nuk kemi probleme me shqiptarët.” Në fakt, situata në Itali po përmirësohet. Janë të paktën 400 mijë shqiptarë me dokumente të rregullta, disa mijëra sipërmarrës, më shumë se 10 mijë studentë.
Ju jeni optimist: në Itali ka shumë intolerancë...
Krimi i organizuar është kudo problem. Ne po e luftojmë me tolerancë zero. Por, nëse vërejmë treguesit e kriminalitetit, mund të thuhet se janë më të ulëtit në të gjithë Evropën, më shumë se te ju. Nëse Italia përdor dorën e hekurt me kriminelët tanë, edhe Shqipëria përfiton. Por e vetmja zgjidhje për problemin e emigrantëve të ligjshëm është t’iu jepet një status minoriteti.
Shqiptarët të mbrohen si tirolezët e jugut?
Varet. Nëse minoranca e kalon 10 % e popullatës, përse të mos iu jepet kjo mbrojtje? Por, Evropa nuk është ende e përgatitur.
Ndërkohë, synoni anëtarësimin në BE brenda 2014...
Nuk vendos data. Nuk jam profet. Por mendoj se anëtarësimi do të jetë shumë më i shpejtë nga sa imagjinohet.
Sapo keni marrë ftesën për anëtarësim në NATO: do të mirëprisni edhe baza të tjera ushtarake?
Rezultat i shkëlqyer! Gjithçka që kërkon NATO, ne jemi të gatshëm ta bëjmë.
Por, imazhi juaj jashtë vendit nuk është i mirë, “New York Times” ju akuzon për trafik të paligjshëm. Dhe, pas tragjedisë së Gerdecit, arsenali i shpërthyer në afërsi të Tiranës, kritika edhe lidhur me çështje të familjes suaj...
Nuk ka asnjë përfshirje timen apo të familjes sime. Është kjo gazetë e madhe që përdor vetëm regjistrime mafiozësh!... “NYT” i referohet furnizimit me municione nga Pentagoni. Shqiptarët nuk kanë lidhje fare. Kemi qenë të parët që bllokuam atë kontratë. Kur pashë se këtu dyfishohej çmimi i shitjes së armëve tek afganët, mora në telefon presidentin Karzai dhe i thashë: Mund t’i merrni të gjitha falas. Të gjithë municionin që ju nevojitet. E bëra gjatë luftës në Ballkan, me kombet mike!....
Më falni, kujt ia jepnit atë municion?
Është histori e gjatë, lëre më mirë. Por e kam bërë. Kemi një mal me municione.
Pastaj është edhe Karla Del Ponte: Akuzon Shqipërinë se ka lejuar vendosjen e një baze të UÇK, ku bëhej trafik organesh për të financuar gueriljet kosovare...
Unë di që kanë qenë 1.500 shqiptarë të zhdukur në Kosovë. Jam prej tre vjetësh kryeministër dhe gjithnjë e kam mbështetur Gjykatën e Hagës. Kjo zonjë nuk jep prova. Ndoshta është e apasionuar pas Agatha Christie. Por, është një imitim shumë i keq. Një zgjedhje e tmerrshme e OKB, emërimi i kësaj gruaje në një post me kaq shumë përgjegjësi dhe që ka shpikur çdo gjë. Do të kërkojmë të veprohet kundër saj.
Berisha, prej 18 vjetësh në skenë, do të kandidojë sërish?
Vetëm dy gjëra mund të nxjerrin Berishën në pension: Zoti i plotfuqishëm dhe populli shqiptar. Më pëlqen të shoh të ardhmen dhe jo të shkuarën.