Shehu, gjyq për trashëgiminë e nënës
Fatos Mahmutaj
Dëmshpërblimi për burgun e nënës, Skënder Shehu, djali i madh i ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu, kërkon trashëgiminë në gjykatë. Kërkesa, objekti i së cilës është: “lëshimi i dëshmisë së trashëgimisë ligjore për të ndjerit prindërit e mi, Mehmet dhe Fiqirete Shehu”, është paraqitur një javë më parë në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës prej avokatit Përparim Rama dhe pas hedhjes së shortit i është dorëzuar gjykatësit Agim Bendo, për ta shqyrtuar atë. Duke iu referuar të dhënave të publikuara në ueb-siten zyrtar të Gjykatës së Tiranës, çështja mban numrin 9700 dhe rezulton se është regjistruar më datë 2 qershor, datë në të cilën padia i është nënshtruar procedurave të shortit elektronik në këtë institucion. Kërkuesi është Skënder Shehu, ndërsa dosja tashmë ndodhet në statusin e gjykimit. Pritet që në ditët në vazhdim gjykatësi Bendo të caktojë datën e parë kur do të nisë shqyrtimi i kërkesë-padisë, datë në të cilën kërkuesi duhet të paraqesë në gjykatë pretendimet paraprake, provat apo kërkesat për prova.
Kërkesa
Burime nga procesi pohojnë se veç dy prindërve, djali i madh i ish-kryeministrit ka kërkuar lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë edhe për vëllain e vdekur në vitin 1982 në Gramsh, Vladimirin i cili u gjet i karbonizuar në një kabinë elektrike. Kështu, referuar kërkesë-padisë Skënder Shehu kërkon fillimisht lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për të atin e vdekur në vitin dhjetor të vitit 1981 dhe më pas për të ëmën e vdekur në burg në vitin 1998. Gjithashtu më pas ai kërkon edhe për vëllain, Vladimirin. Ndërkohë burime nga gjykata pohojnë se në padi, djali i ish-kryeministrit është shprehur se gjatë procesit do të paraqesë para gjykatësit të çështjes dokumentet e nevojshme, si certifikata të gjendjes civile dhe vendimin gjyqësor me të cilin ka shpallur të vdekur nënën. Në padi Skënder Shehu pretendon se sipas dokumenteve që do paraqesë në proces i ati i tij, i ndjeri Mehmet Shehu rezulton se ka vdekur në dhjetor të vitit 1981. Pas vdekjes ai ka lënë bashkëshorten Fiqirete Shehu, dhe tre djemtë Vladimir, Skënder dhe Bashkim Shehu. Në vitin 1982 ka vdekur edhe djali i madh, Vladimiri, ndërsa në vitin 1988 ka vdekur në burg edhe bashkëshortja e ish-kryeministrit, duke lënë pas dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin.
Burgimi
Pas vdekjes në mënyrë enigmatike të Kryeministrit Mehmet Shehu, për familjen e tij nisi kalvari i vuajtjeve nëpër burgje dhe internime. Kështu pak ditë pas vdekjes së Mehmetit u arrestua bashkëshortja Fiqireti, e cila mbeti në qeli deri sa vdiq në vitin 1998, në rrethana të panjohura. Po kështu edhe dy djemtë që mbetën gjallë u mbyllën në qeli ku qëndruan deri në fundin e kohës së komunizmit. Me një vendim të shpallur në dhjetor të vitit të kaluar, kur vendosi vërtetimin e faktit të vdekjes së bashkëshortes së ish-kryeministrit, Gjykata e Tiranës pohon se gjatë shqyrtimit gjyqësor të provave të paraqitura nga kërkuesi Skënder Shehu, është provuar plotësisht fakti që Fiqirete Shehu e bija e Abedinit dhe e Hedijes, lindur në Berat më 17 nëntor 1919, ka vdekur më 11 shtator 1988. Ky fakt u provua në bazë të një vërtetimi të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në vitin e kaluar, sipas të cilit Fiqirete Abedin Shehu në bazë të regjistrit themeltar numër 6, ku mban numrin 128, është arrestuar më 6 janar 1982 dhe vdekur në burg më 11 shtator 1988.
Fiqirete Shehu
Ndërkohë nga proces verbali i datës 12 shtator 1988 e ndjera Fiqirete rezulton të jetë varrosur në fshatin Gajush të rrethit Lezhe. Sipas gjykatës, në proces ka rezultuar se e ndjera figuronte e gjallë në regjistrat e gjendjes civile për shkak se nuk është regjistruar akti i vdekjes së saj sikundër. Kjo e vërtetuar nga certifikata negative e lëshuar nga Gjendja Civile e qarkut Elbasan dhe ajo e Njësisë Bashkiake numër katër Tiranë. “Në këto kushte, bazuar në nenin 388 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata vërteton faktin juridik të vdekjes së shtetases Fiqirete Shehu, më datë 11 shtator 1988, në vendin e vuajtjes së dënimit në burgun 313 në Tiranë”, - thuhet në vendimin gjyqësor. Ndërkohë më tej gjykata pohon se me vërtetimin e këtij fakti juridik, lind edhe detyrimi i Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake numër 4 në kryeqytet të bëjë shënimet përkatëse në regjistrat e saj.
Gjykata shpalli të vdekur Fiqirete Shehun
TIRANE – Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi të vërtetonte faktin e vdekjes së Fiqirete Shehut. Procesi u nis në gjykatë po nga Skënder Shehu, sipas të cilit nëna e tij, e vdekur në burgjet komuniste, rezultonte e paregjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile. Sipas gjykatës, kjo ka ndodhur për shkak se nuk është regjistruar akti i vdekjes së saj, çka është vërtetuar nga certifikata negative e lëshuar në korrik të vitit të kaluar nga Zyra e Gjendjes Civile të qarkut Elbasan, si dhe certifikata e lindjes e lëshuar në të njëjtën kohë nga zyra e gjendjes civile e njësisë bashkiake numër katër në kryeqytet. Pas internimit në Belësh të Elbasanit, familjes Shehu iu dërgua atje edhe dokumentacioni i gjendjes civile, ndërsa pas vdekjes së Fiqiretes në qelitë e burgut 313, askush nuk e çregjistroi atë në gjendjen civile, pasi të dy djemtë ndodheshin në burgjet politike të kohës. f.m.