E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: ”Presidenti”, Meta detyrim ndaj PD

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu do ta votojë Fatos Nanon president, nëse PD-ja jep konsensus për kandidaturën e tij. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, z.Shehu nuk e sheh si kandidaturën më favorite atë të z.Nano, pasi sipas tij, PD-ja ka plot figura me integritet. Sa i përket mbështetjes që LSI mund t’i japë kandidaturës së Nanos, z.Shehu, me një eksperiencë 20-vjeçare në politike, thotë se askush nuk mund të imponojë zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Opozita ka paralajmëruar se do të bllokojë zgjedhjen e presidentit, me akuzën se nuk po mbrohet fshehtësia e votës në Kuvend. Ç’do të bëjë mazhoranca në këtë rast?
Unë nuk besoj se do të veprojë ashtu. Sidoqoftë, mazhoranca veçse do të respektojë me kujdes Kushtetutën e ligjet e vendit dhe në respekt të institucioneve. Nuk e di se çfarë mund të bëjë me shumë një mazhorancë. Jam i bindur se zgjedhja e Presidentit do të përfundojë normalisht brenda këtij kuadri. Nuk mendoj se ka rrugë tjetër. Ne kemi një kushtetutë që për këtë pikë është formuluar me konsensus të plotë. Të respektosh frytet e këtij konsensusi do të thotë që produkti të jetë demokratik e bile konsensual. Nga ana tjetër, ajo politike, Berisha e ka theksuar që është i hapur për dialog, por në fund të fundit ne kemi një kuadër të qartë ligjor. dhe detyra e çdo parlamenti në demokraci është që të respektojë ligjet dhe Kushtetutën e atij vendi.
Po lidhur me atë që po ndodh në KLD, ku z.Topi ka propozuar zv/kryetarin...?
E konsideroj një veprim të gabuar e të njëanshëm. Z.Topi është presidenti në largim. Kështu, qoftë nga pikëpamja politike e emancipuar, qoftë nga ajo etikë etj., do të ishte më e udhës që presidenti të mos ngutej, por t’ia linte këtë procedurë presidentit të ardhshëm, duke caktuar një të ngarkuar administrativ të përkohshëm deri atëherë. Aq më tepër kjo del e nevojshme dhe për të evituar një situatë konfliktuale brenda KLD-së, si ajo e krijuar tashti. Kjo do të ishte zgjidhja më racionale, e pjekur dhe e përgjegjshme. Fatkeqësisht, presidenti nuk veproi kështu, duke e futur KLD-në në një konflikt të panevojshëm, duke dëmtuar dhe imazhin e KLD-së e duke vënë në një pozitë shumë të vështirë anëtarët e saj. Presidenti duhet për të qetësuar situatat e tilla dhe kur të tjerët i krijojnë dhe jo për t’i krijuar vetë ato, pa folur këtu për shkeljet e ligjit e Kushtetutës. Esenca është e qartë, është te fakti që z.Topi prej kohësh ka menduar dhe po mendon për luftën politike, të ardhmen e tij partiake aktive në politikë, partinë e tij etj., e jo për personalitetin e rolin e vërtetë të Presidentit. Ky është një impostim krejt i gabuar, qoftë edhe për ambiciet pragmatiste politike. Sidoqoftë, këtu mendoj se e kanë zanafillën shumë nga gabimet e mëdha të kësaj presidence, që nga fillimi i saj.
Gjithsesi, sulmi i nisur ndaj z.Topi ka të bëjë me frikën se përmes krijimit të partisë së re, do të dëmtojë mazhorancën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Nuk shikoj asnjë rrezik për PD-në, në sensin e votave, që ju thoni. PD-ja është kolona e qendrës së djathtë në vendin tonë, është forca kryesore politike në vend dhe askush nuk mund ta zëvendësojë. PD-ja është gjeneratori i të gjitha ndryshimeve tona të mëdha që nga dita e themelimit të saj. Gjithashtu, PD është forca, që ka shtyrë përpara reforma shumë të rëndësishme këto vite, me sukses të plotë, është forca më perëndimore e vendit dhe askush nuk mund t’i bëjë hije. Vizioni ynë është krejt modern e i emancipuar. Kështu, nuk shoh asnjë rrezik nga ato parti.
Pas ikjes së Gazmend Oketës nga PD-ja, mendoni se do të ketë largime të tjera nga grupi parlamentar i PD-së?
Z. Oketa veproi ashtu si e gjykoi. Kjo është demokracia. Mendoj se ai bëri zgjedhjen e gabuar. Megjithatë, kjo është çështje e tij, por arsyet që bëri publike për largimin nuk ishin aspak bindëse, për të justifikuar një vendim të tillë. Nuk shoh asnjë tendencë tjetër largimi nga deputetët e PD-së, përkundrazi, shoh një vendosmëri për të punuar e përpjekur së bashku në realizimin e objektivave tona ambicioze.
Me afrimin e zgjedhjes së presidentit të ri, po përfliten shumë emra. Sipas jush, kush duhet të ulet në karrigen e kreut të ri të shtetit?
Mendoj se kjo pyetje e ka marrë përgjigjen nga deklaratat konstante të Z.Berisha, i cili ka konfirmuar faktin se PD-ja do të paraqesë kandidatin a saj, nga potencialet e veta politike. Kjo kandidaturë do të jetë Presidenti i ardhshëm. Për të, do të votojnë qoftë deputetët e PD-së, qoftë ata të koalicionit. Këtu dua të theksoj se PD, në të gjitha planet dhe analizat ka plotësisht të drejtë të dalë me kandidaturën e saj për atë post shumë të rëndësishëm.
Po takimin Nano-Meta si e konsideroni?
Takimet janë normale në demokraci. Çdokush mund të takojë dhe bisedojë apo shfaqë mendime. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është më tej, te veprimet politike, pozicionet politike, përgjegjësitë politike, detyrimet politike, si ndaj forcës tënde politike, ashtu dhe ndaj koalicionit në tërësi. Kjo është përgjegjshmëria e besueshmëria politike e politikanit. Kjo ndan politikanët solidë nga sharlatanët. Aleatët tanë janë politikanë me konsistencë e solidë.
Nuk u duk dhe aq solid koalicioni në votimin e fundit, ndaj a ishte një kërcënim nga ana e LSI-së rasti për anëtarin e ri të KLD-së?
Jo, nuk do ta konsideroja të tillë. Meta është një politikan me eksperiencë dhe serioz. Ai nuk mund të bëjë të tilla gabime. Sidoqoftë, ai e shpjegoi vetë atë ndodhi dhe më duket se çdo gjë u sqarua. Përfitoj nga rasti për të shtuar se koalicioni ynë është krejt i shëndoshë e funksional.
Duket se më pranë presidencës do të jetë znj.Jozefina Topalli. Si e shikoni kandidaturën e saj për kryetare të re të shtetit?
Unë evitoj të shprehem për emra konkrete, për cilindo, me gjithë konsideratën e lartë që kam. Kjo është një çështje që do të vendoset në forumet e partisë, në mënyrë parimore dhe pa dyshim roli kryesor në këtë proces i takon Z.Berisha.
A mund të jetë emri i Fatos Nanos si president konsensual dhe nëse po, ju do ta votoni po të ishte i tillë?
Kjo është një pyetje që e ka marrë përgjigjen kur citova deklaratën e Berishës për kandidaturat që do përkrahë PD-ja. Pa dyshim z.Nano nuk mund të jetë një nga ata, për të cilat u shpreh në parim Berisha. Në lidhje me votën time në Kuvend, dua të them se kam kohë që merrem me politikë aktive dhe si i tillë i njoh rregullat e lojës. Kështu, unë do të votoj dhe në votim të fshehtë, atë që do të vendoset në forumet tona. Mendimet e mia, sido qofshin ato, mund t’i shpreh në ato forume, vendimin e të cilave më tej e konsideroj të detyrueshëm. Kjo është kështu, se këtu kemi të bëjmë me një çështje të rëndësishme të karakterit politik e jo me një zgjedhje të bazuar mbi bindjet personale.
Po në rast se LSI-ja propozon Fatos Nanon për president dhe insiston?
Së pari, LSI është një parti serioze dhe koshiente e asaj që përfaqëson një koalicion, sidomos një koalicion si i yni, real, efiçent, demokratik, një koalicion që do të ripërsëritet dhe më i gjerë në 2013-ën. Përveç kësaj, në një koalicion, secili ka dhe detyrimet e tij, qoftë për sa i përket krijimit të hapësirave reciproke, qoftë për sa u përket detyrimeve ndaj koalicionit. Me këtë dua të them qartë, se në këtë proces madhor, rolin kryesor nuk mund ta luajë askush tjetër përveçse Berishës, liderit të koalicionit. Këtë e theksoj, në tërësi për koalicionin. Ky qëndrim imponohet nga rregullat e lojës demokratike, racionale dhe të përgjegjshme. N.q.se ka mendime të ndryshme ato mund të diskutohen, por jo të imponohen.
Nëse arrihet një dakortësi mes pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e një Presidenti mbi palët, sipas jush kush mund të jetë kandidati? Zgjidhja e duhur do të ishte jashtë politikës?
PD-ja e z.Berisha nuk kanë përjashtuar dialogun asnjëherë dhe as për këtë çështje. Kjo është normale në politikë. Shpresoj që formula të jetë e tillë që të votohet që në raundet e para, por sidoqoftë vlera e Presidentit nuk zvogëlohet dhe po u zgjodh raundin e fundit. Rëndësi ka që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet. Nga ana tjetër, nuk mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte nga jashtë politikës. Presidenti është një personalitet politik, staturë politike, integritet politik. Ai do të zgjidhë situatat e marrë vendime politike.
Gjykoni se duhen bërë ndryshime në qeveri?
Në parim gjithmonë ka vend për përmirësime e ndryshime, kudo, në çdo ambient. Për qeverinë këto, janë në radhë të parë prerogativa të Kryeministrit. Sidoqoftë, të formosh një qeveri, veçanërisht në kushte koalicioni real, është e vështirë dhe jo çdo gjë mund të jetë ideale. Duhet bërë dhe është bërë më e mira e mundshme, për situata të caktuara.
Z.Rama po e braktisin aleatët, por a është e hapur PD-ja ndaj tyre?
Kjo është një çështje që i takon Ramës. Ai realisht nuk di të ndërtojë koalicione. Kjo është e kundërta e Berishës, që është mjeshtër në ndërtimin e koalicioneve. Dhe i ndërton realisht, demokratike, funksionale, me hapësira e respekt të plotë për pjesëmarrësit. Duke qenë të tilla, koalicioni ynë bëhet tërheqës dhe për ata që janë jashtë apo qoftë dhe pjesë e koalicioneve kundërshtare. Kjo është një nga supremacitë tona reale.
I trembet PD-ja humbjes në zgjedhjet e 2013-ës edhe për faktin se 8 vite në pushtet mund ta kenë konsumuar?
Pa dyshim, të fitosh zgjedhjet për të tretën herë nuk është e lehtë. Por mendoj se mundësitë janë të mëdha për një fitore të tretë tonën. Këtë e bazoj në radhë të parë në atë çfarë ne kemi arritur në këto vite qeverisje, qoftë në planin e reformave, zhvillimit ekonomik, social etj. të vendit. Po ashtu dhe hapat tona në NATO, SHENGEN, rolit në rajon etj. Gjithashtu, këtë e shikoj dhe te idetë për katërvjeçarin tjetër, në përballjen me sfidat e ardhshme. Pa dyshim, ky optimizëm lidhet direkt dhe me personalitetin e Kryeministrit Berisha. Fitoren e shikoj te meritat e avantazhet tona e nuk dëshiroj ta bazoj te defektet e problemet e kundërshtarit. Po të llogarisësh dhe ato, optimizmi do rritet ndjeshëm.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›