E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheila Bair

Mjeshtrja e financës E konsideruar si gruaja e dytë më e fuqishme në botë, ka për detyrë të vërë rregull në botën e bankave amerikane

Na ishin njëherë dy binjakë, Rock dhe Brock. Për një vit rresht çdo të shtunë, gjyshi u jepte nga një dollar secilit. Për më tepër, çdo javë ai u jepte dy nipërve të njëjtën shumë që njëri ose tjetri kishin kursyer deri në atë moment. Rock preferoi t’i shpenzonte menjëherë paratë, duke blerë ëmbëlsira. Ndërsa Brock i vuri mënjanë. Pas dhjetë javësh, Brock kishte në dispozicion një shumë të vogël prej 512 dollarësh. Rock i kishte ngrënë të gjitha të hollat e tij.

Autorja e këtij tregimi të shkurtër është Sheila Bair. Eksperienca si shkrimtare është një aspekt shumë pak i njohur për presidenten e “Federal Deposit Insurance Corporation” (FDIC), agjencia amerikane që garanton depozitat e 7932 bankave dhe arkat e kursimit. Ky tregim është publikuar në vitin 2006, në librin “Rock, Brock and the saving shock” (Fëmijët e financës). Dy vite më vonë, në botën reale, sistemi kapitalist u zhyt në krizë nga një gabim i bërë prej Rock-ut: mania për të shpenzuar gjithçka dhe për të jetuar përtej limiteve të veta.

Në vitet 2008-‘09 revista “Forbes” e cilësoi Bair si gruan e dytë më të fuqishme në botë, pas Kancelares gjermane, Angela Merkel. Revista “Fortune” e pozicionoi në vendin e katërt në klasifikimin e personaliteteve më vizionarë, mes regjisorit James Cameron dhe themeluesit të “Amazon”, Jeff Bezos.

Bair ishte e para që njoftoi kongresin se praktikat lakmitare që lidheshin me dhënien e kredive për hipoteka ishin një kërcënim për stabilitetin e sistemit financiar dhe ekonomik. Atë që ndodhi nga vera e vitit 2007 e deri në falimentimin e “Lehman Brothers” më 15 shtator të 2008-s e dinë të gjithë. “Kurrë nuk është vonë për të mësuar nga gabimet”, thotë Brock në tregimin e tij.

Puna e FDIC është mjaft e qetë. Por kur situata ekonomike trazohet, arsimimi i Bair kryen një rol shumë të rëndësishëm për të arritur stabilitetin e sistemit. Misioni i saj është të reflektojë besim dhe të shmangë shqetësimet e punonjësve që të kthehen në panik. Në fakt, gjëja e fundit për të cilën ka nevojë një bankë gjatë një krize, është që klientët e saj të mos i tërheqin kursimet e tyre, siç ndodhi para 80 vjetësh. Më 10 dhjetor të vitit 1930, Banka e Shteteve të Bashkuara falimentoi, pasi mbeti pa para në arkë. Besimi i konsumatorëve kundrejt bankave humbi dhe brenda dy muajve u desh të mbyllen më shumë se gjashtëdhjetë banka.

Në vitin 1933, kur depresioni i madh u tregua i pamëshirshëm edhe kundër bankave më të forta, Presidenti i atëhershëm i Amerikës, Franklin Roosevelt, themeloi “Federal Deposit Insurance Corporation” (FDIC). Banka siguroi depozitat e shtetasve amerikanë deri në një maksimum prej 250 mijë dollarësh. Në rastet më ekstreme ajo merrte në dorë kontrollin e bankave në vështirësi dhe ua besonte vazhdimësinë e tyre bankave më të forta.

Sheila Bair, 56 vjeçe, është konsideruar “super-policja” e “Wall Street”-it. Së bashku me disa gra të tjera kontrollon nga Uashingtoni bankat e mëdha financiare të vendit: Mary Schapiro shefe e “Securities and exchange commission” (SEC); Elizabeth Waren, presidente e komisionit parlamentar që vëzhgon “Troubled asset relief program” (TARP) dhe senatoren Blanche Lincoln, promovuese e një rregulli që bllokon biznesin nga aktivitetet e tjera të bankave.

Larg Nju Jorkut

Historia e Bair është interesante dhe domethënëse. Ajo e njeh në majë të gishtave botën e “Wall Street”-it, por nuk ka bërë karrierë në Nju Jork. Ashtu si Schapiro, edhe Warren e ka filluar punën larg qytetit simbol të kapitalizmit. E lindur në Independence, Kansas, ka punuar si kasiere në një bankë para se të bëhej pjesë e stafit të ish-senatorit republikan, Robert Dole.

është një njeri me shumë vlera, me një ndershmëri të pakrahasueshme, që mbron me shumë fanatizëm mendimet e veta. Që kur ishte e vogël, prindërit e kanë mësuar se gjithnjë mund të përballet me kohëra të vështira. Gjatë karrierës së saj ka parë shumë njerëz të humbnin të gjitha kursimet e tyre për shkak të mungesës së informacionit. Për këtë arsye, ajo mendoi se përveçse profesionale, është shumë e rëndësishme të edukosh edhe konsumatorët. Sipas saj, librat për fëmijë janë tepër të dobishëm për të shpjeguar parimet themelore të financës dhe kanë tregues të vlefshëm edhe për prindërit. Në vitin 2001, Bair filloi punë në administratën e George W. Bush dhe merrej me institucionet financiare për Departamentin e Thesarit. Ishin vitet e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 dhe falimentimit të bankës shumëkombëshe “Enron”, që kishte falsifikuar për vite me radhë librat kontabël. Falë punës së saj në Departamentin e Thesarit, arriti të kapte informacionet bazë për të kuptuar se çfarë po ndodhte realisht “pas skene”. Në qershor të vitit 2006, Presidenti Bush i besoi “Federal Deposit Insurance Corporation”. Gjërat filluan të shkonin keq kur tregu imobiliar arriti ngopjen, ndërkohë që interesat rriteshin pa kufi. Duke parashikuar atë që do të ndodhte, Bair u përpoq t’i bindte bankat të shihnin edhe një herë sistemin e tyre të dhënies së huave për të shmangur ndonjë përkeqësim të situatës që mund të vinte në rrezik ekonominë. Por bankat as që ia vunë veshin.

Ana njerëzore

Bair dëshiron t’u japë fund abuzimeve që bëhen me bankat. Nisma e saj për të mbrojtur të drejtat e investitorëve të vegjël, pronarëve dhe kursimtarëve, e ka bërë shumë të famshme dhe e ka forcuar më shumë reputacionin. Burokratëve të Uashingtonit dhe afaristëve të paskrupullt të “Wall Street”-it u kujton se pas çdo krize fshihet një anë njerëzore, ka familje të dëshpëruara nga frika se mos humbasin shtëpitë. “Ajo që na prek më shumë është trishtimi i stampuar në fytyrat e tyre”, është shprehur Bair.

Karriera e saj e shkëlqyer ka vetëm një njollë: ndërhyrja në 2008-n në bankën “Wachovia” e cila ishte në prag të falimentimit. FDIC kishte negociuar për blerjen e bankës me “Citi grup”, por drejtuesit e “Wachovia” vendosën të bashkëpunonin me “Wells Fargo”. Bair i tha bekimin e saj kësaj manovre, duke krijuar një tension të fortë me FED-in, që e ndiente të kërcënuar autoritetin e saj.
Mandati i Sheila Bair përfundon në qershor të 2011-s. Edhe pse këtë vit falimentimet e bankave do të jenë më të shumta se në 2009-n, ajo mendon se më e keqja ka kaluar. Nëse reforma e financës së Obama-s do të jetë siç dëshiron ajo, natyrisht që do të përgatitet për t’u përballur me sfida të reja.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›