Të gjithë pas liderit
Kur keni qenë të vegjël, sa herë ju ka ndodhur të qëndroni para një akuariumi dhe të mbeteni me gojë hapur? Maurizio Porfiri është një djalë që e ka injoruar këtë gjë. Pasi u diplomua në degën e inxhinierisë, emigroi në Amerikë, me një mendim në kokë: t’u zbulonte peshqve sekretin e drejtuesit. Si ka mundësi që peshqit kur janë në grup vendosen njëri pas tjetrit dhe ndjekin një lider? çfarë ka ky peshk-alfa që e dallon nga të gjithë të tjerët? A mund të krijohet një peshk i tillë në laborator? A ekziston një formulë matematikore që përmbledh të gjitha aftësitë e drejtuesit? Prej më shumë se dy vjetësh Maurizio po punon për këtë projekt të financuar nga “Fondacioni Kombëtar i Shkencës”, falë një mekanizmi që prezanton shkencëtarët e rinj. Mesa duket, eksperimentet e profesor Porfiri-t mund të na zbulojnë shumë të fshehta rreth këtyre krijesave. “Për momentin nuk po ua ndaj sytë. Merrem gjithë ditën me ta”, është shprehur ai.
“Krijesa” me të cilin ai po merret aktualisht është prototipi i peshkut robot, që Maurizio e ka prezantuar drejtpërsëdrejti në kanalin “CNN”. Maurizio për momentin jep mësim në departamentin e inxhinierisë mekanike dhe aero-hapësinore të Politeknikut në Bruklin. Amerikanët kanë mbetur pa fjalë pas lodrës. Por pas intuitës së robotit, qëndron një studim shkencor shumë serioz. “Studimet e fundit biologjike kanë arritur më në fund të zbulojnë se si një peshk arrin t’i ‘bindë’ të tjerët të veprojnë në një mënyrë të caktuar. Cili është sekreti i tij? Mund të ketë përmasa të tjera? Mund të të vijë pranë dhe të fillojë ta lëvizë bishtin më fort? Me pak fjalë, ka një sërë sjelljesh që e ndihmojnë të jetë më i aftë se sa komuniteti. Kjo ishte pak a shumë ajo që më nxiti, pastaj thashë me vete: Peshqit nuk janë edhe aq të zgjuar. Ndoshta me anë të një roboti mund të përmbledh të gjitha karakteristikat kryesore të liderit dhe më pas ta hedh në një akuarium, sikur të ishte një peshk i vërtetë...”, thotë ai.
Sipas “shkencëtarit të vogël”, pjesa më e vështirë e eksperimentit ishte gjetja e teknologjisë për ta bërë sa më imitues në krahasim me grupin. Po ashtu, sa më të ngjashëm me të tjerët. “Na u desh të zhvillonim disa modele matematikore. Zhvilluam një teori për shtytjen. Prej aty pastaj krijuam një mjet për të realizuar këtë shtytje në mënyrën më biologjike të mundshme”, thotë Maurizio. Që do të thotë? “Përdorëm disa polimerë të veçantë, që në fakt janë si muskujt. Muskuj artificialë: ‘materiale inteligjente’. Ti aplikon mbi ta një sinjal elektrik, dhe ata deformohen. Janë njëlloj si sfungjeri: thithin ujin dhe kur i shtrydh, e nxjerrin”. Polimeret janë trupi i robotit-peshk, i cili komandohet në distancë, që e nxit të notojë duke fryrë dhe shfryrë sfungjerin. Po a funksionon kjo mënyrë? “Deri më tani kemi punuar në ambient të kontrolluar, në një vaskë një metër me një metër e gjysmë”, shpjegon ai.
Po në det të hapur? “Në këtë pikë problemet shtohen, madje edhe për vetë peshqit. Nëse shkon në një ambient të hapur dhe pa dritë, sjellja ndryshon. Pak a shumë siç ndodh edhe me njeriun kur lihet në errësirë dhe izolohet nga të tjerët”, thotë duke buzëqeshur. Megjithatë, Maurizio shpreson se do t’ia dalim mbanë. “Fillimisht nuk duhet të harrojmë qëllimin tonë kryesor: sjellja kolektive e sistemeve komplekse dhe mundësia për ta kontrolluar. Pastaj do të merremi me aplikimet”.
Në fakt, ideja e shkencëtarit është pasojë e vetë projektit. “Ne përpiqemi të mësojmë nga kafshët. Siç e shihni, një grup peshqish janë një unitet shumë i thjeshtë, por që mund të kryejnë detyra shumë të vështira. Të vëzhgojnë ambientin, të kërkojnë ushqim, të mbrohen nga grabitqarët. Pra le ta pranojmë që, duke mësuar prej tyre, unë mund të ndërtoj një grup peshqish robotë, të cilët duke u marrë individualisht, janë struktura të thjeshta, por së bashku në grup arrijnë të bëjnë gjëra të vështira”. Drejtues të kanalit “CNN” e kanë pyetur nëse ai mund t’i shpëtojë peshqit në zonën ku është derdhur nafta. “Në një të ardhme të afërt mund t’i përdorim këta peshq robotë për të shpëtuar speciet në rrezik, duke i udhëhequr drejt një zone të pastër”.
#