E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shemben banesat mbi amfiteatrin e Durresit

Vendimi

Dy banesat që ndodhen në arenën e amfiteatrit të Durrësit, do të zhvendosen prej aty. Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave të miratuar ditën e mërkurë, ato banesa do t’i kalojnë në pronësi shtetit, i cili do të planifikojë rijetëzimin e monumentit unikal në Shqipëri. Prej kohësh këto banesa janë bërë problem, sidomos për çështjen e vijimësisë së gërmimeve në këtë zonë. Për këtë arsye, Bashkia e Durrësit rreth muajit mars nisi negociatat me Ministrinë e Kulturës për t’i dhënë një zgjidhje problemit që në fakt kishte ngecur më së shumti te kompensimi i pronarëve të banesave. E vetme, Bashkia e Durrësit u përpoq që t'i bënte këto shpronësime, por nuk ia arriti, ndaj gërmimet në këtë zonë arkeologjike kanë ecur gjithmonë me ritme të ngadalshme.

Puna për shpronësimet e banesave ka nisur qysh në fillim të këtij viti me ngritjen e një komisioni për shpronësimin e banesave në Amfiteatrin e Durrësit, i cili përbehej nga Suzana Turku (kryetare), Surja Lela (anëtar), Lejda Duro (anëtare), Donika Kaçaj (anëtare). Pikërisht në zonën ku ndodhen dy banesat që tashmë i kalojnë në pronësi shtetit ndodhej edhe masivi më i madh i dherave ku synon të fokusohet fushata gërmuese në funksion të konservimit të zonës përreth. Ndërtesat zënë një sipërfaqe prej rreth 400 m2 të dyja dhe llogariten rreth 9000 m3 depozitime. Janë ndërtesa private, janë realizuar në fillimet e shek XX. Me këtë rast, sot në Durrës do të jetë i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, i cili do të ndjekë nga afër situatën. Me këtë rast do të shpaloset dëshira dhe vizioni për të vazhduar gërmimet arkeologjike në këtë zonë të veçantë për nga vlerat që mbart.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›