Kina u ofron vendeve ne krize te Eurozones blerjen e borxheve
Kina bëri të ditur se ka dëshirë që të shpëtojë të gjitha vendet e Eurozonës që janë përfshirë nga kriza ekonomike, duke vënë në përdorim për një rast të tillë 2.7 trilionë dollarët që ka si rezervë. Në një deklaratë që e turpëron edhe më shumë Europën dhe më saktësisht Eurozonën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se kjo do të ishte për Kinën një nga zonat më të rëndësishme të investimeve jashtë vendit. Vendi është lidhur dhe ka komunikuar ndërkohë për dhënie ndihme me disa nga vendet e Eurozonës që po kalojnë një krizë të rëndë, për shkak të shifrave të larta të deficitit buxhetor. Ajo u ka ofruar atyre ndihmë ekonomike. Greqisë ajo i ofroi blerjen e borxhit në muajin tetor dhe premtoi gjithashtu për qeverinë portugeze se po të donte, ajo do ta blinte edhe borxhin e saj prej 4 miliardë dollarësh. Sipas një analisti të politikave monetare në Europë, për të pasur impakt më të madh, Kinës i duhet që të blejë shumë më tepër borxhe se shifra 5 miliardë euro. Vetëm një blerje e përmasave më të mëdha do të ndryshonte hijen e keqe që i ka rënë financave europiane. Rritja e jashtëzakonshme ekonomike e Kinës e ka vënë atë në një garë me Shtetet e Bashkuara për sa i përket vendit të parë në botë të fuqisë ekonomike. Sipas parashikimeve ajo pritet që brenda dy vitesh të jetë vendi me rritjen ekonomike më të madhe të planetit. Por sipas ekspertëve, do të duhen ende disa vjet derisa pozicioni i Amerikës të sfidohet. Kjo mbi të gjitha sepse Pekini nuk ka dhënë ende ndonjë shenjë se është i gatshëm që të marrë rolin e “bariut” të financave ndërkombëtare dhe ekonomisë ndërkombëtare. Por kjo dëshirë për të blerë borxhet e vendeve europiane në krizë mund të jetë një sinjal i Pekinit se perceptimi i mësipërm mund të jetë i gabuar. Euro pësoi një lloj ngritjeje pas lajmit për mbështetjen e mundshme të Kinës por më pas ra sërish me tre pikë përkundrejt dollarit. Lajmi për Kinën është bërë publik nga gazeta “Financial Times”, sipas së cilës Pekini është shumë i dhënë pas planit për të blerë borxhet e vendeve europiane në krizë. Gazeta citon burime të zyrtarëve të lartë të financave europiane që kanë folur me zyrtarë të lartë kinezë. Edhe Kryeministri portugez bëri të ditur së fundi se është duke u përpjekur që të diversifikojë borxhin e vendit të tij duke nënkuptuar një marrëveshje me Kinën. Por nuk dihet nëse Pekini do të dojë që të ekspozohet në mënyrë të madhe me Portugalinë, pas disa presioneve të brendshme politike për të investuar rezervën e brendshme monetare në mënyrë më të kujdesshëm dhe jo me risqe të mëdha. Në tetor, gjatë një vizite në Greqi, Presidenti i Kinës ofroi blerjen e bonove greke të thesarit kur Athina të fillonte t’i lëshonte në treg. Një muaj më vonë, Presidenti kinez, gjatë vizitës në Portugali, i bëri qeverisë në krizë të njëjtën ofertë. Megjithatë gjithçka pritet t’i mbetet së ardhmes.