Kukan: Presim lajme pozitive nga Tirana, Parlamenti Evropian po harton rezolutën për integrimin

Eurodeputeti, Eduard Kukan deklaron se rezoluta e Parlamentit Evropian për vendin tonë, të aprovohet përpara verës. Në një intervistë për mediat shqiptare në Bruksel, eurodeputeti theksoi se rezultatet e dialogut do të mirëpriten në Parlamentin Europian, i cili nga ana e tij mbështet gjithë hapat para që po bëhen në vendin tonë. “Ajo që kërkohet tani është përqendrimi në zbatimin e 12 rekomandimeve dhe përfundimi i suksesshëm i tyre. Por, dialogu për ne është thelbësor, ndaj dhe insistojmë mbi këtë”- deklaroi Kukan, i cili shton se “nëse vazhdohet të ruhet ky zhvillim, atëherë PE do të bëjë të mundur, që Shqipëria t’i bashkëngjitet grupit të vendeve të rajonit për të cilat ka aprovuar rezolutë”.
Z.Kukan, së fundmi, shohim një vullnet të Komisionit Evropian për të përshpejtuar zbatimin e 12 rekomandimeve të nevojshme për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe konsolidimin e dialogut politik midis palëve. Por në të njëjtën kohë, po dëgjojmë opinione të ndryshme nga Parlamenti Evropian. Për herë të parë, ka më shumë optimizëm nga Komisioni Evropian sesa nga Parlamenti Evropian?
Aq më mirë që është kështu, pasi Parlamenti Evropian do të mbështesë të gjitha hapat përpara që po bëhen në Shqipëri. Tani është radha e Shqipërisë për t’ju bashkangjitur rrjedhës pozitive që po shohim së fundmi për vendet e rajonit. Komisioni Evropian është shumë i angazhuar për të asistuar partitë politike në Shqipëri që të intensifikojnë dialogun e tyre. Jam shumë i bindur se rezultatet e dialogut do të mirëpriten në Parlamentin Europian. Koha po kalon, po afrohen zgjedhjet presidenciale, vitin tjetër zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Pra, presim lajme pozitive nga Tirana. Ne po i ndjekim zhvillimet me vëmendje. Jemi në dijeni që ka një lëvizje pozitive në drejtim të reformave. Disa marrëveshje janë arritur midis palëve, si për shembull kodi penal apo të tjera ligje me shumicë të cilësuar, është aprovuar avokati i popullit Po ashtu, Kuvendi i Shqipërisë funksionon normalisht, mazhoranca dhe opozita janë angazhuar në dialog, komisionet parlamentare po punojnë normalisht, pra po shohim një situatë normale, shenjë shumë e mirë kjo. Ajo që kërkohet tani është përqendrimi në zbatimin e 12 rekomandimeve dhe përfundimi i suksesshëm i tyre. Por, dialogu për ne është thelbësor, ndaj dhe insistojmë mbi këtë. Mund të ketë opinione të ndryshme midis forcave politike. Është normale, që qeveria të flasë ndryshe, ndërkohë që roli i opozitës është që të kritikojë qeverinë dhe të bindë opinionin publik që ajo ka alternativë më të mirë. Por mbi të gjitha dialogu është aty, pasi kjo është ajo që i ka munguar Shqipërisë më parë. Nëse vazhdohet të ruhet ky zhvillim, atëherë ne do të bëjmë të mundur, që Shqipëria ti bashkëngjitet grupit të vendeve të rajonit për të cilat ne kemi aprovuar rezolutë.
Ju keni përmendur me të drejtë rezolutën që pritet të hartohet për Shqipërinë. Ka patur shumë spekulime për këtë rezolutë pasi ndërkohë që ju thoni, se po pritet të hartohet rezoluta mbi Shqipërinë, interpretimi nga disa media ishte, që nuk do ketë rezolutë për Shqipërinë...
Më vjen keq nëse fjalët e mia janë keqinterpretuar. Jo automatikisht ka një rezolutë mbi çdo vend, pasi kjo varet nga dy gjëra. Së pari, raportuesi i Parlamentit Europian duhet të marrë iniciativën dhe t’i kërkojë komisionit të Punëve të Jashtme që ai të fillojë një rezolutë. Pra, kjo vjen si rrjedhim i iniciativës së eurodeputetëve. Së dyti, është e nevojshme që objektivisht të ketë lajme pozitive nga vendi. Sipas mendimit tim, ka shumë elementë që mund të përmenden në rezolutë, pasi ka një panoramë tjetër të Shqipërisë me atë të dy viteve të fundit. Pra, them, se ka ende kohë, që ne të aprovojmë këtë rezolutë para verës, pasi më vonë është e panevojshme, duke qenë se Komisioni Europian shpallë raportin vjetor në tetor. Kam dijeni, se po bëhen përpjekje për të hartuar rezolutën. Koha po kalon, kështu që nuk duhet pritur.
Kam të njëjtin informacion, se është zoti Chountis, që do raportojë për Shqipërinë...
Po, ai është raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian”.
Eurodeputetët evidentojnë me të drejtë, që në Shqipëri ka probleme me funksionimin e sistemit të drejtësisë apo luftën ndaj korrupsionit. Por a do ishte e ndershme të thuhet: ju s’meritoni një shkallë më të lartë integrimi, se jeni të korruptuar dhe se s’keni një drejtësi që funksionon siç duhet, pa marrë në konsideratë të gjitha hapat e tjerë që janë bërë dhe po bëhen në vend?
Jo, jo, ne duhet të jemi të ekuilibruar kur flasim për situatën në vend dhe nxjerrim konkluzione për të. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një problem për çdo vend në Ballkan dhe secili prej tyre e di, se ka shumë për të bërë për të përmbushur këto kritere. Për Shqipërinë, ka patur disa hapa përpara që janë ndërmarrë në këtë kuadër, por mbeten shumë për tu plotësuar, para se ne të kemi një qasje më pozitive në këtë kontekst. Por vlerësimi ynë, bazohet në të gjitha elementet, në mënyrë që të shohim një tablo ku janë prezent ngjyra rozë, apo ngjyra të ndezura, ngjyra gri, apo ngjyra të errëta. Po në vlerësim, ne tregohemi objektiv dhe të ekuilibruar.