Shembet miniera e Kalimashit humbin jetën dy persona
Xhezair Sulmata dhe Besim Halili kishin shkuar për të marrë skrap. Një tjetër person është plagosur dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë
KUKËS Një tjetër tragjedi është shënuar në një nga galeritë e nëntokës. Këtë herë ngjarja ka ndodhur në minierën e Kalimashit, ku si pasojë e shembjes së saj kanë humbur jetën dy persona, ndërkohë që një i tretë është në gjendje të rëndë për jetën. Xhezair Sulmata dhe Besim Halili kanë humbur jetën dhe trupat e tyre ende nuk janë nxjerrë nga nëntoka.
Tragjedia
Sipas burimeve nga policia e Kukësit, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas
shembjes të një pjese të minierës së Kalimashit, pikërisht në sektorin e Keçlit dhe për pasojë ka zënë brenda dy persona, të cilët kishin shkuar në minierë për të nxjerrë krom, ndërsa ka mbetur i plagosur një person i tretë që ishte me ta. Ditën e djeshme Xhezair Sulmata, 33 vjeç, nga fshati Mamëz, dhe Besnik Halili, 55-vjeç, nga fshati Bushat i komunës Bicaj, së bashku me 23-vjeçarin Albert Sulamata, kishin shkuar në këtë minierë të nxjerrë skrap. Por për shkak se miniera ishte e braktisur dhe nuk ka qenë në funksionim, ka bërë që kushtet e saj teknike nuk kanë qenë të mira, gjë e cila ka sjellë dhe shembjen e saj, duke i kushtuar shtrenjtë tre viktimave. Kështu, sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se viktimat ishin duke punuar privatisht për nxjerrjen e kromit, por shembja e një masivi gurësh e dherash i ka zënë ata brenda, duke u marrë edhe jetën. E ndërsa i plagosuri është mundur të nxirrej në sipërfaqe, dy viktimat kanë mbetur deri në orët e vona të mbrëmjes në thellësinë 400 metra pa mundur të nxirreshin dot.
Situata
Vitet e fundit janë numëruar rreth 20 viktima në rajonet e Kalimashit, Golajve në Has, dhe në rajonet minerare të Tropojës. Në fakt këto miniera janë dhënë me koncesion firmës IMI, një firmë kinezo-turke, ndërsa për to nuk është dhënë nga shteti shqiptar asnjë leje shfrytëzimi. Një gjë e tillë është shfrytëzuar nga banorët e zonës, të cilët e kanë quajtur këtë si pronë të tyre dhe kësisoj e kanë përdorur si një mënyrë për të fituar bukën e gojës. Ndërkohë që për këta persona që humbën jetën në thellësinë 400 metra nuk ka asnjë shpresë. Dhe pushteti lokal ka kërkuar disa herë që të disiplinohet puna në këto miniera të braktisura që po marrin përditë jetë njerëzish, por ende nuk ka një rregullim me forcën e ligjit të punës nëntokë që ka sjellë pasurimin e vrullshëm të disa personave dhe skllavërimin e disa të tjerëve. Prandaj një ndërhyrje e shtetit mund të sillte dhe një kontroll sa më të mirë të këtyre pasurive dhe ruajtje të jetës së njerëzve.