Në Librazhd humbi jetën 29-vjeçari në minierë
LIBRAZHD Tri ditë më parë humbi jetën në galeritë e minierës një 29-vjeçar nga Përrenjasi, plagoset rëndë shoku i tij. Ngjarja ka ndodhur në minierën e fshatit Katjel të komunës Rrajcë, në Përrenjas të Librazhdit. Dashamir Logjini me banim në këtë fshat bashkë me Edison Myftarin 18 vjeç kishin shkuar për të përfituar krom në mënyrë ilegale në një nga galeritë e fshatit Katjel, por, pasi kanë depërtuar në 100 m thellësi në galeri, kanë rënë në mënyrë aksidentale në një pus. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Dashamir Logjini e është plagosur rëndë shoku i tij 18-vjeçar. Ka qenë 18-vjeçari që ka lajmëruar të afërmit të cilët kanë shkuar për t’u dhënë ndihmën e nevojshme, por 29- vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të politraumës së shkaktuar nga rënia nga lartësia. Ndërsa 18-vjeçari Edison Myftari ka përfunduar në spital e sipas mjekëve ndodhet në gjendje serioze për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe hetuesit. Nga të dhënat e grumbulluara policia ka bërë të ditur se ngjarja ka qenë aksidentale, pasi të dy këta shtetas kanë shkuar për të përfituar krom ilegalisht në minierën e mbyllur prej kohësh.