Shembja e gurëve, plagoset një punonjës i HEC-it
KUKËS - Shirat e rrëmbyer që kanë vazhduar pa ndërprerje gjatë gjithë natës dhe ditën e mërkurë në mbrëmje kanë shtuar tej mase prurjet duke fryrë deri në derdhje rezervuarët e fshatit Vlad dhe Zherkë të komunës së Bytyçit në rrethin e Tropojës. Ndërkohë që si pasojë e shembjeve të gurëve është plagosur rëndë një punonjës i HEC-it të Fierzës, në rrugën Fierzë-Bajram Curri në afërsi të hidrocentralit. Një masiv gurësh që ka rënë nga lartësitë e rrugës mbi hidrocentral ka goditur furgonin që transporton punëtorët e HEC-it nga Fierza në Bajram Curri, ku njëri prej gurëve ka depërtuar në kabinë duke plagosur rëndë njërin prej punëtorëve, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Bajram Currit, në pritje për t’u transportuar në Tiranë apo Prishtinë për një mjekim më të specializuar. Por situatë më e rëndë si pasojë e shirave ka qenë ajo në fshatrat Vlad dhe Zherkë të komunës së Bytyçit në rrethin e Tropojës. Shirat e rrëmbyer kanë shtuar prurjet në rezervuarët e këtyre dy fshatrave, ku për pasojë ujëmbledhësit janë gati për të shpërthyer. Shefi i komisariatit të policisë Tropojë, Hasan Hasanaj, bëntë ditur se në drejtim të këtyre fshatrave janë nisur forca policore të grupeve të gatshme të komisariatit të Tropojës për t’u ardhur në ndihmë banorëve në rast rreziku. Sipas Hasanajt, më të ekspozuar ndaj rrezikut të shpërthimit të digës janë disa familje të fshatit Vlad, ku shtëpitë e tyre janë të vendosura poshtë digës së rezervuarit të këtij fshati. “Forcat policore do të qëndrojnë në gatishmëri për evakuimin e banorëve në rast të rrezikut të shpërthimit të digës dhe për këtë problem po bashkëpunojmë me zyrtarët e pushtetit vendor dhe ata të drejtorisë së Ujërave dhe Kullimit”, thekson shefi i komisariatit të policisë së Tropojës. Ndërkohë, shirat e vazhdueshëm të 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme edhe në akset rrugore. Si pasojë e rrëshqitjes së dherave është bllokuar për rreth gjashtë orë aksi kombëtar Kukës-Fushë-Arrës. Rreth orës 02:00 pas mesnate duke u gdhirë e mërkurë, në vendin e quajtur Ura e Kolshit në kilometrin e 7-të të rrugës Kukës-Tiranë, një sasi e madhe dherash dhe inertesh ka rrëshqitur në rrugë si shkak i punimeve në një segment të autostradës Milot-Morin. Rrëshqitja e dherave ka ardhur si rezultat i grumbullimit të dherave nga gërmimet në këmbët e urës së Kolshit, nga ana e kompanisë “Alb Building” që po ndërton segmentin Myç-Mamëz-Fushë-Dukagjin. Rreth 60 automjete kanë qëndruar të bllokuara në të dyja anët e rrugës nga ora 02:00 deri në orën 08:00 të mëngjesit të së mërkurës, kur mjetet e rënda të kompanisë “Alb Building” kanë bërë të mundur hapjen e rrugës. Ndërkaq, zyrtarë të Ndërmarjes së Rrugëve në Kukës kanë bërë të ditur se si pasojë e rrëshqitjes së dherave është bllokuar gjatë ditës së mërkurë edhe rruga nacionale që lidh Kukësin me Shishtavecin. Të njëjtët zyrtarë kanë bërë të ditur se mjetet e rënda të kësaj ndërmarrjeje po punojnë për hapjen e rrugës. Por pavarësisht nga dëmet e shkaktuara, shirat kanë qenë të mirëseardhur për KESH-in, ku prurjet e shumta si në furnizuesit kryesorë edhe ato anësorë kanë qenë të mëdha. Burime nga HEC-i i Fierzës kanë bërë të ditur se sasia e prurjeve gjatë mesditës së mërkurë ka shënuar shifrën rekord duke shënuar sasinë e prurjeve nga më të mëdhatë ndër vite.