Shembja e pallatit në Gjirokastër, merren në pyetje 9 dëshmitarë
Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të shtatë të akuzuarve për rrëzimin e pallatit më 9 nëntor të vitit të kaluar ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë, është përqendruar tek pyetja e nëntë dëshmitarëve shumica e të cilëve nga Bashkia e Gjirokastrës. Pjesë e dëshmive të djeshme kanë qenë edhe punonjësit që u morën me formimin e pilotëve që do të mbanin masivin shtufor si dhe pallatin e rrëzuar në pjesën e poshtme të tij por që shembja e tyre solli tragjedinë.
Dëshmitarët e djeshëm të thirrur nga pala akuzuese përfaqësuar nga prokurorët Alfred Saliu dhe Arben Pasho shumica e të cilëve punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës, kanë nxjerrë në pah se përveç Zyrës së Protokollit në këtë njësi vendore, seksionet e tjera si Zyra e Urbanistikës, nuk kanë mbajtur fare protokoll për veprimtarinë e tyre. Një fakt jo pak i rëndësishëm doli gjatë kësaj séance nga ana e inxhinierit konstruktor të firmës Arti shpk Luan Bufi. Ky i fundit deklaroi se prej kohësh në Gjirokastër mungojnë analizat e cilësisë së betonit të prodhuar megjithëse në muaj prodhohen në punishtet e këtij materiali të ndërtimit mbi 7 mijë metër kub beton. Dëshmitë e djeshme nxorën në pah se firma përmes inxhiniërit që kish kryer konstruksionin e godinës që do të ndërtohej poshtë pallatit të rrëzuar, u konsultua rreth plasaritjes së pilotave mbajtës dhe u konsultua pak para se të ndodhte tragjedia me punëtorët e firmës. Pak minuta para se të rrëzohej pallati, inxhinieri konstruktor Luan Bufi, arriti të shpëtonte punëtorët e firmës ndërtuese që ishin në terren duke i larguar ndërkohë që punëtorin që nisi për të nxjerrë banorët e pallatit, nuk arriti ta dërgonte pasi pallati u shemb menjëherë. Një ndalesë e veçantë u bë gjatë dëshmive për cilësinë e hekurit të përdorur në ndërtim i cili sipas dëshmitarëve, vinte nga tregu i huaj dhe i plotësonte të gjitha parametrat për këtë lloj ndërtimi. Dëshmia e Njazi Cobanit në seancën e djeshme gjyqësore e arkitektit të objektit që ndërtonte firma Arti sh.p.k u prit me reagime nga pronari i firmës së ndërtimit dhe zbatimit Sotiraq Janora i cili reagoi pas hekurave ku qëndronte. Janora ka kërkuar që për pyetjet e drejtuara të merrte përgjigje nëpërmjet projektit. Kjo ka bërë që avokatët të mblidhen rreth projektit për të marrë shpjegimet e duhura. Seanca gjyqësore e drejtuar nga kreu i Gjykatës së Rrethit të Gjirokastrës Desard Avdulaj, u mbyll në orët e mbasdites ndërkohë që seanca e radhës pritet të zhvillohet pas tetë ditëve dhe në të priten të pyeten 9 dëshmitarë të tjerë të thirrur nga prokuroria një pjesë e të cilëve munguan gjatë seancës së djeshme. Ndërkaq dëshmitari inxhinieri gjeolog i mbajtur në qeli për dy muaj dhe i liruar si i pafajshëm, i ka bërë kërkesë gjyqësorit për tu mos u paraqitur për shkak të shëndetit jo të mirë që gëzon.