E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, kallëzim penal për MB për shpërdorim detyre dhe falsifikim të informacioneve zyrtare

Islami: Qeveria po manipulon zgjedhjet                                                                                 
Pas konfliktit të ashpër disaditor, Partia Socialiste deklaroi se ka vendosur të kryejë kallëzim penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të informacioneve zyrtare për çështjen e kartave të identitetit, ndaj krerëve të Ministrisë së Brendshme. Kështu, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS-së, Kastriot Islami, u shpreh se informacioni i Ministrisë së Brendshme për shtetasit e pajisur me karta identiteti, është i rremë dhe i manipuluar, ndaj PS-ja është duke përpiluar akuza për këtë fakt, për ti depozituar pastaj në prokurori. Ai theksoi se ky vendim vjen menjëherë pas përgjigjes së Ministrisë së Brendshme, pas kërkesave të PS-së për informacione të detajuara në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Sipas PS-së, ministria u ka dorëzuar 4 disqe me informacione të manipuluara dhe të rreme. Islami bëri të ditur se informacionet e MB-së, bien ndesh me njëra tjetrën, ndërkohë që thekson se qeveria po bën përpjekje për të fshehur listën e saktë të personave pa pasaportë. Vendimi erdhi pasi nuk morëm përgjigje për kërkesat tona legjitime për transparencë dhe informim lidhur me të gjitha paqartësitë e procesit të pasjes me letërnjoftim zgjedhor, si dhe bazuar në analizën paraprake të të dhënave zyrtare të ofruara nga Ministria e Brendshme. Mjaftojnë kundërshtitë dhe faktet e nxjerra nga analiza e vetë informacionit që kemi marrë nga Ministria e Brendshme për të ngritur hipotezën e akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të të dhënave zyrtare përmes dhënies së informacionit të rremë për qëllime që bien ndesh me ligjin. Informacionet e MB, duke rënë ndesh me njëra-tjetrën në mënyrë flagrante dhe duke u shfaqur të ndryshme nga njëri disk tek tjetri, rezultojnë jo vetëm të rremë, po edhe të manipuluara u shpreh Islami.  Më tej, ai shtoi se shifra zyrtare prej 730 mijë votuesish pa pasaportë, mbi të cilën Ministria e Brendshme ka këmbëngulur, rezulton e pavërtetë dhe e zvogëluar ndjeshëm. Kurse pretendoi se numri i personave që kanë aplikuar rezulton kontradiktor dhe ndryshon nga njeri disk në tjetrin duke nxjerrë për votuesit pa pasaportë një shifër të zmadhuar në kundërshti me të dhënat e përgjithshme dhe shifrat e dhëna në dinamikë. Në këto kushte kur, nga njëra anë na jepet vetëm një pjesë e të dhënave, të cilat rezultojnë alarmante, të rreme e të manipuluara, dhe nga ana tjetër na fshihet me këmbëngulje lista e qytetarëve me pasaportë, si edhe lista e plotë e aplikantëve të deritanishëm për letërnjoftimi, PSSH-ja po përpilon kallëzimin penal për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme që merren direkt me këtë proces. Të gjitha këto konkluzione paraprake janë rezultat i një ekspertize të nivelit më të lartë teknik dhe do të thellohen në orët në vazhdim nga grupi ynë i ekspertëve. Ndërkohë, nga dita e nesërme kundërshtitë dhe faktet e nxjerra nga ky hetim do t'i bëhen me dije komunitetit ndërkombëtar, theksoi më tej Islami.  Partia Socialiste i ka dërguar ministrit Nishani disa kërkesa ku kërkohen të dhënat për procesin e kartave. Letra e parë daton në 26 maj dhe në të kërkohen: Brenda datës 30 maj të na vini në dispozicion; listën e votuesve me pasaportë, listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin. Ndërkohë letra thekson se në mungesë të një përgjigjeje apo një përgjigje negative do ta vlerësohen tregues shtesë me ndikim negativ ne analizën dhe vlerësimin e procesit zgjedhor. Letra i është dërguar për dijeni edhe prezencës së OSBE, Sh.T. ambasadorit Robert Bosch, Ambasador dhe Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri, ambasadores ODIHR, Sh.S. Audrey Glover. Ministria e Brendshme reagoi pas kësaj kërkese duke dërguar vetëm njërën nga listat e kërkuara. Ndërkaq PS-ja i ka ripërsëritur kërkesën në datën 31 maj, të cilësuar edhe si afatin e fundit për një përgjigje ndaj kërkesës së tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›