E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, ndërtimet pa leje, gati dosja në prokurori për 15 pronarë

Para se të fillojnë të fitojnë nga lokalet e ndërtuara pa leje në vijën bregdetare Vlorë Orikum, 15 pronarë të këtyre ndërtimeve duhet të mendojnë se si do ti shpëtojnë ndëshkimit të prokurorisë. Kjo sepse tashmë dosjet e tyre janë gati për tu çuar në prokurori nga ku pohohet se ekzekutimi i prishjes së këtyre ndërtimeve do të bëhet përpara fillimi masiv të plazhit. Lajmi konfirmohet nga drejtoria e policisë së qarkut dhe prokuroria e rrethit gjyqësor Vlorë që theksojnë se ndonëse është fushatë elektorale dhe punët janë shumë të ngjeshura, kjo nuk do të pengohet. Gjithçka ka nisur nga ankesa të shumta të ardhura në institucionet vendore në qytetin bregdetar që bëjnë të ditura se në vijën bregdetare Skelë Orikum, shumë prej pronarëve që kanë pasur këtu një ndërtim, kanë filluar ose të shtojnë ndërtimet pa leje ose më keq akoma, kanë filluar të okupojnë edhe detin. Ky okupim bëhet në mënyrën më të thjeshtë të mundshme: makina të mëdha sjellin për llogari të këtyre pronarëve gurë dhe inerte të shumta dhe më pas ato shtrohen me beton për të krijuar mole të vogla nga ku fillojnë edhe notojnë pushuesit apo ankorohen edhe pajisje të vogla detare që u jepen me qira pushuesve. Vetëm nga Kalaja në Vlorë e deri në hyrje të Pashalimanit janë ndërtuar më shumë se dhjetë motele të tilla, që të gjitha pa leje nga bashkitë përkatëse të Vlorës dhe Orikumit. Pati edhe vitin e kaluar disa tentative për të tilla ndërtime që nuk u lejuan dhe disa prej tyre u prishën sapo mbaruan së ndërtuari. Por këtë vit duket pronarët menduan se është vit elektoral dhe asnjë partie nuk i intereson të futet në konflikt me pronarët prej të cilëve kërkohet jo thjeshtë vota në 28 qershor, por edhe financime ekonomike për fitoren në këto zgjedhje. Mirëpo nuk ka menduar kështu së pari drejtoria e policisë e cila përmes sektorit të saj të antikrimit ekonomik tashmë ka bërë kontroll të imtësishëm në këtë linjë dhe ka bërë evidentimin e këtyre ndërtimeve. Një pjesë e të cilave kanë mbaruar dhe një pjesë tjetër janë në mbarim e sipër. Pas evidentimit të këtyre ndërtimeve pa leje janë plotësuar edhe dosjet përkatëse me shkeljet e bëra prej tyre dhe këto dosje janë përcjellë për në prokurorinë e rrethit gjyqësor.
Dosjet
Burime nga drejtoria e policisë bëjnë me dije se përveç këtyre 15 dosjeve ka edhe të tjera në plotësim e sipër. Sepse nuk janë vërejtur shkelje në ndërtime pa leje vetëm në këto mole të vegjël por lakmia e pronarëve të vjetër por edhe të disa të rinjve ka bërë që të ndërtohen edhe kioska apo ndërtime më të mëdha pa leje në këtë vijë bregdetare. Të gjitha këto tashmë janë evidentuar dhe po bëhet gati plotësimi i dosjeve edhe për këto shkelje. Ndërkohë që burimet nga prokuroria e rrethit gjyqësor bëjnë me dije se tashmë një pjesë dosjesh janë pranë kësaj prokurorie dhe po shqyrtohen për tu bërë ekzekutimi më parë se të fillojë ardhja masive e pushuesve çka do të thotë prishja e tyre përpara se të mbarojnë zgjedhjet parlamentare. Mirëpo burime po ashtu të sigurta nga këta pronarë bëjnë me dije se ata nuk janë shqetësuar shumë për këtë problem. Ata pohojnë se këto ndërtime I kanë bërë pa leje sepse kanë kohë, muaj e vite që kërkojnë leje për të bërë shtesë ndërtimesh por askush nuk I ka marrë parasysh kërkesat e tyre. Ndërtimet që ata i kanë bërë janë provizore dhe ata janë të sigurt se nuk do tu prishen përpara dhe pak pas zgjedhjeve që nga ata përkthehet se do ti kenë në eficencë gjatë gjithë sezonit veror dhe më pas sipas tyre të prishen sepse ata ua kanë nxjerrë fitimin. Tashmë pritet se sat ë afta do të jenë institucionet shtetërore për të bërë realitet atë që kanë në dore, prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë vijë bregdetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›