E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit: Ndërhyrja e Policisë së Shtetit në Orikum, e paligjshmeNga TemaNdërhyrjen dhe dhunën e ushtruar nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj banorëve të Orikumit, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, e ka cilësuar si të paligjsh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Avokati i Popullit: Ndërhyrja e Policisë së Shtetit në Orikum, e paligjshmeNga Tema

Ndërhyrjen dhe dhunën e ushtruar nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj banorëve të Orikumit, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, e ka cilësuar si të paligjshme. Sipas Dobjanit, Policia e Shtetit ka bërë një shkelje flagrante të ligjit, duke dalë në krah të personave juridikë, privatë, kundër banorëve të Orikumit, që protestonin për një sipërfaqe toke. Për këtë arsye Avokati i Popullit i ka dërguar një rekomandim ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, të cilëve u kërkon që mos të ndërhyjnë në raste të tilla dhe të favorizojnë subjekte private. “Policia e Shtetit nuk duhet t’ua kishte ofruar këtë shërbim personave juridikë, privatë, jo vetëm me punonjës të policisë të FNSH, por as edhe me punonjës të policisë vendore”, - shprehet Dobjani në rekomandimin e dërguar ndaj dy institucioneve të mësipërme. Ky i fundit thotë se dërgimi i punonjësve të Policisë së Shtetit në Orikum, ku nga ana e tyre është ushtruar edhe dhunë fizike ndaj banorëve protestues, është shkelje e ligjit, për shkak se nuk është përcaktuar nga qeveria shërbimi ndaj personave privatë. “Në rastin konkret ka shkelje nga Policia e Shtetit, sepse ka dërguar forcat e policisë pa qenë përcaktuar më parë nga qeveria llojet dhe mënyrat e shërbimit policor që ofron ajo, si dhe pagesat përkatëse. Për këtë arsye, ky veprim duhet analizuar dhe duhen nxjerrë konkluzionet përkatëse”, - tha Avokati i Popullit. Për ta zgjidhur këtë situatë, në mënyrë që Policia e Shtetit të mos keqpërdoret për interesa të disa personave, Dobjani kërkon hartimin e një projekti nga ana e Këshillit të Ministrave. “Duhet të projektohet një ligj për rregullimin e marrëdhënieve të Policisë së Shtetit me personat juridikë e fizikë, publikë ose privatë, për llojet e shërbimeve policore shtesë që ofron policia dhe tarifat e pagesës për këto shërbime, si dhe të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave”, - përfundoi Dobjani.

Protesta e banorëve të Orikumit

“Pa marrë një zgjidhje konkrete kjo çështje, ne nuk i pushojmë aspak protestat. Kërkojmë nga kryetari i bashkisë që të na presë dhe të na dëgjojë. Po kështu, ai duhet të vihet në dijeni të të gjitha zhvillimeve për këtë problem dhe ta shikojë si partner shoqatën e fermerëve”, - shprehen banorët e Orikumit. Banorët e Orikumit i kanë kujtuar dy ditë më parë kryeministrit Berisha premtimin që ai ka dhënë për zgjidhjen e problemit të çështjes së pronës së tyre. Duke parë se premtimi i Berishës nuk po bëhet konkret, ata vazhdojnë protestat e tyre. Me dhjetëra anëtarë të familjeve që kërkojnë tokën e tyre, në bazë të Ligjit 7501, kërkojnë që kryeministri, Sali Berisha, të mbajë fjalën e dhënë për zgjidhjen e çështjes së pronësisë në Orikum. “Kërkojmë që zgjidhja e propozuar nga kryeministri, Sali Berisha, të bëhet konkrete dhe afatshkurtër. Nuk mund të presim më gjatë. Ne nuk duam më fjalë boshe, por veprime konkrete”, - thonë protestuesit. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Berisha u shpreh se banorët e Orikumit do të marrin tokën e tyre. “Rama u tha qytetarëve të Orikumit se Berisha nuk ka mbajtur premtimin. E garantoj zotin Rama se Berisha do të mbajë çdo premtim. Kjo nuk ka diskutim. Atë premtim që kam bërë për tokat e fermave, atë e kam dekretuar dhe në radhë të parë, i dal zot vetes time. Unë si President i Republikës bëra dekretin, e kam bërë me vetëdijen më të plotë, bëra dhe ligjin. Ndodhi një manovër parlamentare e zakonshme që ma dështoi, por kjo shumicë do ta kalonte atë ligj”, - tha Berisha pak ditë më parë. Banorët e Orikumit tashmë presin që kryeministri Berisha të mbajë premtimin e dhënë. Ata prej disa ditësh kanë filluar protestat e tyre, duke kërkuar pronësinë e mbi 450 hektarëve tokë të ish-ndërmarrjes bujqësore, që sipas tyre u takon në bazë të Ligjit 7501 dhe mbi të cilën disa subjekte private janë duke ndërtuar disa pallate. Në pronën, që banorët e Orikumit thonë se iu përket atyre, është duke u ndërtuar një objekt. Ndërkohë, në këtë ngjarje është përfshirë edhe miku i djalit të Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›