E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembjet e banesave nga rrëshqitjet, faktor dhe ndërtimet pa leje

10/03/2010 Ministri Basha në analizën e prefekturës

ELBASAN- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe deputet i Elbasanit ka marrë pjesë në analizën e prefekturës ku është ndalur në politikat kombëtare, por edhe rajonale për qarkun e Elbasanit. Ministri Basha është ndalur në situatën aktuale të emergjencave civile ku ka theksuar se rrëshqitjet dhe dëmtimet e tokave dhe shtëpive janë prioriteti absolut në reagimin e shpejtë për çdo rast. Ai ka theksuar se duhet të koordinohet puna e institucioneve dhe specialistëve për të përcaktuar shkaqet njerëzore dhe masat që duhen marrë për të ndaluar vazhdimin e dëmtimit të tokave dhe shtëpive. “Në këtë situatë veç reagimit të shpejtë duhen përcaktuar edhe shkaqet që kanë çuar në këto pasoja për tokat dhe shtëpitë veç atyre natyrore. Ndërtimet pa leje janë një faktor që sjellin pasojat që po shohim sot në shumë zona. Duhet një koordinim më i mirë i institucioneve dhe një kontroll më i mirë i territorit për të mos lejuar që këto pasoja të vijnë sepse njerëzit ndërtojnë në territore të paqëndrueshme dhe në zona ku nuk lejohet për shkak të territorit”. Në analizë prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, teksa renditi disa nga problematikat e trajtuara nga institucioni që ai drejton tha se situata në qarkun e Elbasanit paraqitet e rënduar si pasojë e reshjeve të këtyre muajve në disa komuna. Kështu ai renditi zonat e prekura nga rrëshqitjet si Shushica me rrëshqitje toke e 3 shtëpi të dëmtuara, Labinot Fushë 2 shtëpi të dëmtuara, Gjinar 10 shtëpi, Tregan 6 shtëpi, Labinot Mal ku është aktivizuar rrëshqitja e vjetër e Gurit të Zi, në Peqin me 20 shtëpi të dëmtuara, 20 shtëpi në Gramsh, në Librazhd 23 shtëpi. Prefekti tha se në këto zona janë dërguar specialistë të të gjitha institucioneve për të verifikuar situatën dhe se është kërkuar një efektivitet më i madh i inspektorateve të ndërtimit në qark dhe njësitë vendore. Deliallisi tha se ndërtimet pa leje kanë vazhduar edhe pas mbylljes së procesit të vetëdeklarimit të legalizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›