E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët dhe besimi

Nga Teuta Nunaj

Teuta NunajPër historikun e fesë në Shqipëri është shkruar shumë, po kaq shumë është shkruar e folur edhe se si kanë evoluar dhe se si janë të përhapura ato ndër shqiptarë. Pa dashur të bëjmë përsëritje të gjerave të thëna, në këtë shkrim do të flasim për fenë nëpërmjet një këndvështrimi tjetër, nëpërmjet objekteve të tij. Më këtë rast këtu kemi të bëjmë me një opinion se si mund të lexohet besimi. Çdo fe ka objektin e tij që identifikohet, feja islame ka xhaminë, feja e krishterë ka kishën, budizmi ka tempullin, bektashinjtë kanë vakëfin, hebrenjtë kanë sinagogën, e kështu me rradhë.

Po ti shohësh në pamje të parë, të duken si ekzistenca krejt të ndryshme, por në vetvete gjykoj se ato janë njësoj. Ato janë objekte shpirtërore që kanë të njëjtin funksion, atë të lutjes, e cila gjithashtu në çdo objekt ka të njëjtin drejtim: Zotin, Krijuesin e Gjithësisë, pavarësisht nga emri që ai thirret nga dogmat e ndryshme fetare. Njerëzit, gjykoj se bëjnë gabim të shohin dallime, aty ku nuk ka. Nëse këto objekte shikohen nga jashtë, ndryshimet e tyre janë çështje konceptimi, çështje arkitekturore, stili apo edhe çështje kohe. Në këtë rast, ndryshimin e perception syri, i cili është për njeriun një organ po i jashtëm.

Nëse secili nga ne do i shohë këto objekte me syrin e brendshëm, që për efekt analize, këtu, kështu e kemi quajtur shpirtin, do shohim se shpirti nuk gjen dallime. Shpiri si Energji Kozmike dhe pjesë ekzistenciale e Zotit, shikon atë që është vërtetësisht dhe jo atë që njerëzit duan të shohin me syrin e mendjes. Kësaj gjëje i thonë të merresh me formën dhe jo me përmbajtjen e saj. Kështu, nuk ka rëndësi nëse për të kaluar nga një breg në tjetrin njeriu përdor një avion, një anije apo një mjet tjetër të ngjashëm si këto, sepse ato janë thjesht mjete për të realizuar qëllimin që njeriu i ka vënë vetes.

Sigurisht, që të gjithë e dimë që shqiptarët jetuan 33 vite pa religjion të aplikuar dhe kjo gjë u solli një varfëri shpirtërore, jetët e tyre nuk u ushqyen me besim, gjë që solli që ata të jetonin horizontalisht duke mos u lidhur në këtë mënyrë me Krijuesin. Kjo mënyrë jetese nuk mund të zhduket dhe as të zhbëhet menjëherë, duhet kohë, duhet kohë që jeta të lulëzojë plotësisht shpirtërisht dhe në bazë të masës së besimit, i cili duhet të themi se është individual për çdo njeri, po kështu edhe për çdo shqiptar, ata (shqiptarët) do të lidhen me Perëndinë, për të rivendosur plotësisht kontaktin, të cilin e kishin humbur në ato vite të zeza por që e rivendosën në këto 23 vite ku feja zuri vendin që i takon në jetën e shoqërisë shqiptare.

Të gjithë na ka ndodhur që në jetët tona të takojmë njerëz besimtarë, që krahas falenderimeve i luten Zotit për ndihmë edhe për problemet e tyre. Unë besoj, se të luturit, është vetëm një aspekt i zgjidhjes së problemit. Ai ndihmon që ne të lidhemi nëpërmjet mendimit tonë me Zotin ku marrim qetësi shpirtërore dhe mendimet tona kthjellohen. Mendoj se ne nuk duhet të bëjmë gabimin trashanik që të mos punojmë dhe të kërkojmë zgjidhjet vetëm nga Zoti, i cili na ka krijuar si qenie të plota, me mendje për të menduar dhe trup fizik për të punuar. Unë besoj se Zoti vepron aty ku njeriu nuk mundëson veprimin e tij.

Këta njerëz që veprojnë në këtë formë, nuk janë gjë tjetër veçse dembel, apo parazitë që presin që të tjerët t’ua zgjidhin problemet e tyre. Në rastin tonë, ata presin nga Zoti. Por Hyji, si një superqenie dhe superinteligjente, nuk gabon asnjëherë dhe po kështu nuk kryen gjëra jashtë vullnetit dhe veprimit të tij. Unë besoj se Zoti vepron për mbrojtjen e qenies kur ajo cënohet në thelbin e saj dhe jo të bëjë gjëra që njeriu duhet ti bëjë. E thënë më thjeshtë është njeriu ai që duhet ti kryej detyrat e tij dhe jo Zoti.

Si përfundim, mund të themi se ne të gjithë duhet të heqim dorë nga të gënjyerit e vetes, lutja është një nga shtyllat e jetës, një nga rrugët drejt besimit dhe një nga elementët për zgjidhje të problemeve. Nëse ne e kuptojmë drejt lutjen, atëherë kemi besuar drejt dhe ky besim nuk do jetë nevojtar, veç për ndihmë, por do jetë i plotë, njëkohësisht edhe për adhurim.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›