Shën Valentini: Pasione, dashuri, tradhti dhe xhelozi në skenat teatrore
Letra dashurie në Teatrin Kombëtar dhe Manon Lescaut në TKOB, në ditën e të dashuruarve Shën Valentini sjell në skenën e teatrit dramatik dhe atij operistike dy kryevepra botërore. Për publikun do të jenë dy premiera, të cilat mbajnë firmën e autorëve të njohur botërorë. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell Manon Lescaut, opera me katër akte, që vjen premierë, ndërkohë që Teatri Kombëtar sjell Letra dashurie. Muzika e Puçinit do të risjellë trazimet e dashurisë, xhelozisë, tradhtisë, derisa akti i fundit vendos një qetësi farsë mes dy dashuruarve.
Kjo kryevepër do të vijë nën regjinë e regjisorit të mirënjohur Nikolin Gurakuqi, i cili padyshim sjell në të perceptime personale, por duke iu referuar origjinalit. Ata duan të largohen diku ku njerëzit nuk ndahen në të pasur e të varfër, ku të shijojnë qetësisht dashurinë e tyre, por i pret një fund i trishtë që e çon Manonin drejt vdekjes, kurse De Grijë kthehet në Francë dhe fillon një jetë tjetër, atë të klerikut. Manoni, një vajzë e re nga një familje e pasur, që josh burra me bukurinë e saj, i fal ndjenja të pastra studentit de Grijë, të cilin e takon për herë të parë në një mjedis pijanecësh dhe qejflinjsh. Manon tërhiqet pas kësaj jete. Është vetëm një vajzë e re në kërkim të kënaqësive, gjë që nuk mund t'ia ofrojë bankieri Zheron de Ravjor, mik i mbretit, që i siguron luksin dhe të mirat e jetës. Në katër netët e shfaqjes do të interpretojnë sopranot: Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka. Në krah të Manonit është djaloshi i dashuruar (de Grijë), në rol tenori italian Lorenzo Decaro. Bankieri interpretohet nga Sidrit Bejleri, dhe vëllai i Manonit, Leskoja nga Armando Likaj. Interpretues të tjerë janë: Erlind Zeraliu, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri. Mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Gianluca Martinenghi, i pranishëm në disa premiera të Teatrit të Operës. Mjeshtër kori Suzana Turku Kashara, dirigjent kori Dritan Lumshi, dirigjent Edmond Doko. Vepra veç natës së sotme do të vijojë dhe në datat 16,18 dhe 20 shkurt. E ndërkohë që Teatri Kombëtar sjell një tjetër kryevepër. Letra dashurie, një pjesë nga Albert Ramsdell Gurney do të vihet në skenë sonte në mbrëmje. Regjisori Kastriot Çipi rrëfen se e zgjodhi këtë vepër për këtë ditë, ndërkohë që ajo vjen dhe me konceptin ndryshe nga teatrot, të cilët jemi mësuar të shohim në skenë. Dëshira ime ishte për të pasur një shfaqje për 14 shkurt, sepse me duket teatri një mënyrë shumë e mirë për të festuar. Dëshira ishte për të bërë doemos një dramë apo komedi kushtuar dashurisë, marrëdhënies njerëzore. Natyrisht e dimë dhe e pranojmë të gjithë se Shën Valentini nuk është thjesht festë e të dashuruarve, po është dita kur i tkurret himn në përgjithësi dashurisë njerëzore, pohon rrëfen Çipi. Kjo pjese dashurie do të vijë në skenën e Tetarit Kombëtar nga aktorët Neritan Liçaj dhe Julia Ilirianaj. Nuk është një dramaturgji e mirëfilltë klasike, siç ne jemi mësuar përgjithësisht ta shohim në të gjitha llojet e teatrit që nga antikiteti deri tek ekzistencalizmi. Kjo është gjetje shumë e bukur, edhe goditjen më të fortë e merr në fund, tregon Neritan Liçaj, aktor. Pjesa përbëhet nga letrat që kanë shkëmbyer gjatë gjithë jetës dy njerëz, që janë rritur bashkë, kanë ndjekur rrugë të ndryshme në jetë, por kanë mbetur të afërt me njëri-tjetrin. Ndërsa aktorët lexojnë letrat me zë të lartë, ajo që krijohet është një atmosferë evokative, prekëse, shpesh gazmore, ku zbulohen karakteret e të dyve dhe historia e përbashkët, që është sa emocionuese, aq edhe domethënëse. Ndërkohë që kjo vepër ka rezultuar sukses në çdo teatër në të cilin është eksperimentuar. Me këto dy premiera, njëra operistike dhe tjetra teatrore, publiku në këtë ditë do të arrijë që të provojë emocione nga interpretimi i artistëve më të mirë shqiptarë.Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Shtune, 13 Shkurt 2010 23:33