Shën Valentini i zbehtë në kryeqytet
Që të dashuruarit të duhen përgjatë gjithë jetës, nuk mjafton vetëm dita e “Shën Valentinit”. Festa e të dashuruarve, 14 Shkurti, po bëhet një festë gjithnjë e më kolektive edhe në vendin tonë, ndonëse këtë vit, për shkak të situatës jo të mirë politike, ekonomike, për rrjedhojë edhe sociale, është vënë re një atmosferë disi më e zbehtë se vitet e shkuara. Duke i numëruar çiftet që kishin zgjedhur të dilnin gjatë paradites, për të festuar, vihej re se ishin të paktë të dashuruarit që këmbenin mesazhe dashurie, dhuronin lule, çokollata, arinj të kadifenjtë dhe dhurata në formë zemre, etj. Ndonëse, vitrinat e disa dyqaneve ishin zbukuruar me dhurata nga më të ndryshmet në ngjyrë të kuqe, për shkak të simbolikës që ka kjo ngjyrë me dashurinë, këtë vit, Shën Valentini në kryeqytet dukej pak më i zbehtë në kolorit, ndryshe nga ngjyrat e ndezura të kësaj feste. Përveç liqenit, një “qosh” i ri në kryeqytet, që kishte gjetur një mënyrë interesante për të falur këtë vit gëzimin e “Shën Valentinit”, ishte Kryeministria, godina e së cilës, për herë të parë është zbukuruar me tullumbace të kuqe në formë zemre. Aq e rrallë dukej kjo atmosferë në kryeqytet, sa dhe çiftet e pakta që kalonin në bulevard, ndalnin hapin për të shkrepur një foto në kujtim të “Shën Valentinit” të tyre para Kryeministrisë. Ndërkohë që kishte nga ata më çapkënët, që këpusnin edhe zbukurimet si relike e kësaj dite të shënuar në rrugët e kryeqytetit. Në sfond, padyshim për çiftet e dashuruara nuk mungonte as muzika romantike, edhe kjo e servirur nga dy bokse të vendosura po përpara Kryeministrisë. Duke lënë mënjanë këtë kënd në zemër të bulevardit, midis Kryeministrisë dhe Kuvendit, atmosfera këtë herë duket se nuk ka prirë për mirë. Shën Valentini në kryeqytet është festuar jo shumë bujshëm. Asnjë aktivitet nuk është organizuar për të dashuruarit, madje dhe zbukurimet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” kanë munguar. Të vetmet zbukurime ishin në Kryeministri dhe tabloja e madhe e vendosur te kryesia e Kuvendit “Po Dashurisë, Jo Dhunës”. Por, ashtu si çdo herë, edhe pse bulevardi kryesor nuk ishte i tejmbushur nga çifte të përqafuar, vendprehja e të dashuruarve ishin kodrat e liqenit artificial. Vetëm aty, dendësia e popullit të dashuruar kishte arritur mbingopjen, ndërsa në rrugët e tjera të Tiranës vihej re thjesht fluksi i zakonshëm i kalimtarëve, tek-tuk në duart e ndonjërit mund të shquaje ndonjë karafil të kuq, shoqëruar me një të bardhë.
Lulet vazhdojnë të simbolizojnë këtë ditë
Koshat e luleve, kryesisht trëndafila dhe karafila, janë radhitur që herët në mëngjes rrugëve të kryeqytetit. Në fakt janë gjetur vendet strategjike, ku dhe lëvizja dukej të ishte më e dendur; në bulevard, te kodrat e liqenit dhe tek-tuk edhe te blloku. “Janë shitur shumë lule, të blera si nga meshkujt, ashtu edhe nga femrat”, - thotë shitësja në lulishten përpara Tajvanit. Ajo ka dalë që herët në mëngjes dhe ka rreshtuar koshat e saj me lule të ndryshme; karafila e trëndafila, por dhe mimozat që kanë çelur herët këtë vit janë më të preferuarat. Por nuk mungojnë edhe të tjerat. Tulipanë, margarita, zambakë. E kuqja ngjyros këtë ditë ngado, madje dhe vajzat në krah të të përvëluarit kanë zgjedhur në më të shumtën e rasteve të kuqen si dekor. Një lule “dashurie” dje vlente vetëm 100 lekë.
Dashuri e përjetshme e kyçur në dryn
Në Gjermani është bërë popullore prej disa vitesh një traditë nga Italia. Çiftet takohen në ura dhe vendosin në harqet dhe parmakët e tyre dryna me inicialet, datat, apo edhe fotografi. Pastaj çelësi i drynit hidhet në ujë dhe të dashuruarit thonë një dëshirë. Dryni, si simbol i dashurisë së përjetshme, bëhet gjithnjë e më i përhapur. Etnologët kanë dokumentuar tashmë këtë praktikë edhe në Europën Lindore: Në Riga, Vilnius dhe Kaliningrad fiksohen dryna pas martesës. Edhe në Kinë, çiftet e porsadashuruara vendosin dryna dhe çelësin e hedhin në lugina të thella. E së fundmi, kjo traditë ka mbërritur edhe në Shqipëri. Shoqata Rinore “ACT” ka zbritur dje në zemër të Bllokut, nën moton “Shën Valentinit-Love & Peace”. Të rinjtë shqiptarë, me synimin për ta bërë dhe kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, si kryeqytetet e tjera kudo në botë, kanë pagëzuar një copë “tokë” në bllok si vendin “e shenjtë”, ku të dashuruarit kryen ritin simbolik për të treguar fortësinë e lidhjes së tyre, duke varur nga një çelës në disa stenda metalike të vendosura enkas si simbol të dashurisë dhe lidhjes së tyre. Edhe pse në fund nuk kishte rreth e rrotull ujë, ku ata të hidhnin çelësin e drynit, në këtë rast mjaftonte ideja.
Agjencitë turistike: Më pak udhëtime këtë vit
Më pak shqiptarë kanë preferuar ta festojnë 14 Shkurtin jashtë vendit këtë vit. Sipas disa agjencive të udhëtimit dhe turistike në kryeqytet, këtë vit është vënë re një ulje e kërkesave për të udhëtuar drejt vendeve të tjera, me rastin e Shën Valentinit. Menazheri i turizmit pranë një agjencie të njohur turistike në Tiranë, Flogert Xhabrahimi pohon se këtë vit ka pasur një rënie të lehtë të udhëtimeve për festën e Shën Valentinit, krahasuar me vjet. Sipas tij, njerëzit janë stopuar pak nga ngjarjet e fundit në vend, plus që bëhet fjalë për festa qejfi. Ndërsa, përsa i përket destinacioneve që preferohen më shumë për këtë ditë, menazheri i turizmit shprehet se më së shumti janë vendet e rajonit si Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, si dhe Greqia. Përzgjidhen pikërisht këto shtete, për arsye se janë më afër me vendin tonë dhe njerëzit, për shkak të angazhimeve dhe punës mund të kthen më shpejt në Shqipëri. Ndërsa, përsa i përket liberalizimit të vizave, agjencitë turistike pohojnë se ka ndikuar shumë pak në rritjen e numrit të qytetarëve që preferojnë të ikin nga vendi për të festuar Shën Valentinin.
Kryeministri e feston me ditëlindjen e mbesave
Kryeministri Berisha ka zgjedhur ditën e “Shën Valentinit”, për të festuar ditëlindjen e dy mbesave të tij, Amlës dhe Dalilës. Kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten, Liri Berisha, iu bashkuan dje gëzimit të Amlës, e cila mbushi 7 vjeç dhe të Dalilës, e cila, ndonëse mbushi 10 vjeç vetëm pak ditë më parë, dëshiroi ta festonte atë së bashku me Amlën, në Ditën e Shën Valentinit. Në një atmosferë të hareshme, Amla dhe Dalila morën urimet më të bukura nga familja, mësuesit dhe shokët e shoqet, nxënës të klasës së parë dhe të katërt të shkollës “Kosova”, ku ato ndjekin mësimet. Një përjetim i veçantë ishte edhe urimi i Kryeministrit Berisha për to, të cilat kanë një lidhje të veçantë me gjyshin e tyre. Duke u larguar për pak nga angazhimet zyrtare, për t’i bërë vend këtij gëzimi familjar, kreu i qeverisë, i ka uruar mbesat këtë ditë të shënuar për to, e cila, përkon edhe me një ditë të bukur që i dedikohet dashurisë, dashurisë për prindërit, dashurisë për shokët, dashurisë për njëri-tjetrin. Por, para festimit me mbesat, Kryeministri Berisha priti dje në ambientet e Kryeministrisë, një grup të rinjsh nga shkollat e mesme të kryeqytetit, ndërsa ju uroi 14 Shkurtin, ditën e "Shën Valentinit". Në mënyrë simbolike për këtë ditë të veçantë, Kryeministri i dhuroi secilit prej tyre nga një trëndafil.