E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia kosovare pa strategji dalëse

Prishtinë - Vetëm 500 mijë euro i ka harxhuar për 6 muaj Ministria e Shëndetësisë për barna, ndërkohë që edhe 15 milionë tjera nuk i ka shfrytëzuar ende. Derisa këto para rrinë, në QKU mungojnë me të madhe barnat e materiali shpenzues. Për momentin pesë klinika janë në gjendje të rëndë. Në gjinekologji nuk ka as kapëse për kordon të porsalindurve, e cila gjë pamundëson realizimin e lindjes

Nga 16 milionë euro që Ministria e Shëndetësisë i ka pasur këtë vit për barna, prej tyre vetëm 500 mijë euro i ka shpenzuar deri tani, që ka kaluar gjysma e vitit.

Ndërkohë që mjekët e Qendrës Klinike Universitare QKU janë alarmuar se mungesa e barnave dhe materialit shpenzues po bën gati të pamundur funksionimin e klinikave.

Personeli i pesë klinikave tri ditët e fundit ka shprehur shqetësimet e tyre mes shkresave që as gjërat elementare nuk i kanë në repartet e tyre.

Në Klinikën e Anesteziologjisë mungojnë tubuset e admiruar. “Tubusët e njëjtë edhe pse janë të dedikuar për një përdorim, po detyrohemi t’i përdorim disa herë me çka po rrezikojmë shëndetin e pacientëve. Por, që për momentin edhe këto po mungojnë”, thuhet në kërkesën e anesteziologëve dërguar drejtorisë së QKU-së.

Në repartin e gjinekologjisë drejtori i saj Shefqet Lulaj, ka bërë të ditur se u mungojnë kapëset për kordonin e të porsalindurve. “Në mungesë të tyre realizimi i lindjeve është i pamundur”, është shprehur Lulaj në shkresën e tij.

Gjendja hiq më e mirë vazhdon të jetë edhe në repartin e hemodializes, ku shefi i repartit Ymer Elezi ka treguar se rezervat me leukoplast janë vetëm për ndërrimin e parë dhe ekziston rreziku i ndërprerjes së dializës. Kurse në repartin e radiologjisë është harxhuar doza e fundit e zhvilluesit, ka bërë të ditur Sadik Kelmendi, shef i këtij reparti, i cili me urgjencë kërkon furnizimin e kemikaleve zhvillues e fiksir.

Ndërsa në Klinikën Infektive, tash një muaj, nuk ka barna për pacientët me HIV/AIDS, të cilët dita ditës rrezikohen të vdesin. Kjo gjendje po mbizotëron në QKU, ndërkohë që Msh ka një buxhet shumë më të madh për barna se që ka pasur viteve të kaluara, e të cilin nuk po e shfrytëzon me kohë.

Kësaj ministrie tashmë i ka ardhur koha që t`i rishikohet buxheti nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave , e cila ka për detyre sipas ligjit në muajin qershor të bëjë vlerësimin e shpenzimeve. Në këtë rast, pasi që Msh nuk ka shpenzuar as 10 për qind të buxhetit të barnave, MEF me ligj mund t’ia heqë paratë e të i destinojë aty ku do të shfrytëzohen për të mirë të qytetarëve.

“Rishikimi i buxhetit bëhet për të parë se a janë shpenzuar paratë publike aty ku janë paraparë dhe nëse jo, atëherë merren ato para dhe i shkojnë në ministri tjetër, ku ka nevojë, në mënyrë që të bëhet shfrytëzimi i tyre”, bën të ditur një zyrtar i MEF-it.

Mirëpo, ajo që ka bërë MSh tani në mënyrë që të mos ndodhë kjo, ka zotuar 13 milionë euro, të cilat zyrtarët e saj thonë se po presin finalizimin e një tenderi të madh për të bërë furnizimin me barna.

E që një gjë e tillë, sipas zyrtarëve të QKU-së, është dashtë të bëhet më fillim të vitit, pasi që barnat të shpërndahen prej atëherë e jo tek në qershor të merren me tender.

Drejtori i QKU-së. Jusuf Ulaj, bën të ditur se nga 106 artikuj që duhet të jenë në barnatoren qendrore të QKU-së, prej tyre mungojnë 50.

Ndërsa deklaratat e Ministrisë Shëndetësisë se furnizimi me barna dhe material shpenzues në QKU ka shkuar deri në 80 për qind, Ulaj i quan të pavërteta. “Ekziston një listë e gjatë e barnave dhe shumica e artikujve në atë listë mungojnë.

Pra as për së afërmi furnizimi nuk është tek 80 përqindëshi”, thotë Ulaj, duke shtuar se kjo gjendje e keqe me barna ka filluar prej fillimit të vitit, ndërsa dy muajt e fundit kanë qenë më të këqijtë. (Express)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›