E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia, në kërkim të modelit

Kryeministri mbledh Task-Force. Diskutohet reforma në shëndetësi
Kryeministri Berisha mblodhi dje në takimin e parë Task-Force, për reformën në shëndetësi, në të cilin morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar, si dhe drejtues e specialistë të fushës së shëndetësisë. Kryeministri vlerësoi rolin e kësaj Task-Force në projektimin, zbatimin dhe kompletimin e reformës shëndetësore, si një kusht përcaktues për t’u ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimin shëndetësor që ata meritojnë. Duke iu referuar nevojës në madhe në ecjen para të reformës në shëndetësi, Kryeministri theksoi se duhet të përcaktohet jo vetëm i gjithë projekti i kësaj reforme, por edhe plani i veprimit për zbatimin e saj në mënyrën më të vendosur. “është e domosdoshme të përzgjedhim se cilit model duhet t’i përmbahemi. Parimet mbi të cilat ndërtohet kjo reformë janë të vërteta për Shqipërinë, për Francën, Gjermaninë e çdo vend dhe nuk ka dy standarde në këto parime”, vijoi Kryeministri. Sipas Berishës, janë për t’u vlerësuar deri tani hapat e ndërruar në këtë drejtim, por theksoi se tashmë të gjitha këto duhet të finalizohen. “Ne e nisëm këtë reformë dhe janë hedhur disa hapa, të cilët tani, në raportin e blerësit dhe shitësit të produktit, duhet të finalizohen. Nuk mund të ecim para, pa e ditur se sa kushtojnë dhe se cili është shpenzimi që duhet të bëjmë. Ky është kushti i parë. Duhet të përfundojmë reformën sa më parë në këtë drejtim, por nuk mund të bëjmë reformë pa dixhitalizimin e plotë, total e përfundimtar të sistemit tonë shëndetësor”, tha Kryeministri. Gjithashtu, Berisha gjatë fjalës së tij vuri theksin se reforma nuk ecën në rast se ne nuk arrijmë që shërbimin t’ua ofrojmë të gjithë qytetarëve. Për këtë duhet të gjendet mënyra e duhur dhe të përcaktohen të gjitha modalitetet. “Qeveria duhet të marrë përsipër shërbimin për ata që nuk kanë asnjë mundësi. Shteti duhet t’ua mbulojë këtë shërbim”, tha Kryeministri. Si një drejtim kryesor në reformën e sektorit të shëndetësisë, Kryeministri përmendi inkurajimin dhe zhvillimin e sektorit privat, por kjo, jo duke hequr dorë nga sistemi publik, përkundrazi. “Shteti dhe qeveria duhet të kenë përqendrim total në përmirësimin më të madh të sektorit publik, duke përdorur të gjitha rrugët e partneritetit me sektorin privat, fuqinë menaxhuese të këtij sektori. Ne duhet të mbajmë shkencën, të mbajmë cilësinë, të mbajmë klinikën, të mbajmë disiplinën, të mbajmë përgjegjësinë, të mbajmë raitingun”, u shpreh Kryeministri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›