E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Opozita të angazhohet për rezolutën e KiE-s

Ministri i Jashtëm, njëherësh edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, përshëndeti dje rezolutën e miratuar në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, duke apeluar për kthimin e opozitës në Parlament. Meta vlerësoi hetimin e zgjedhjeve, por pa cenuar Kushtetutën e vendit, që është një element tepër thelbësor në respektimin e parimeve kryesore të shtetit të së drejtës dhe absolutisht që çdo tryezë e çdo dialog është tepër pozitiv. “Asnjëherë nuk ka qenë mazhoranca gjatë këtyre muajve ajo që është shmangur nga dialogu, nga tryezat. Përkundrazi, dhe për fat të keq, ka qenë lidershipi i Partisë Socialiste. Shpresojmë që ata ta lexojnë drejt rezolutën dhe të angazhohen në zbatimin e rekomandimeve të saj”, tha Meta. Më tej, numri dy i qeverisë vlerësoi edhe takimin në një tryezë të përbashkët mes palëve për zgjidhjen e ngërçit politik. “Nuk shikoj asnjë pengesë dhe theksoj edhe njëherë, nga ana e mazhorancës është tërësisht realiste, sepse nuk e kuptoj se çdo të thotë që dikush të mos shkojë në një tryezë, dikush t’i shmanget dialogut në një vend demokratik”, tha ai, ndërsa vlerësoi se është diçka krejtësisht normale, ku padyshim që dialogu duhet të ecë përpara, por për dialogun duhet të jenë dy palë. “Unë jam i bindur që mazhoranca asnjëherë nuk do të mungojë në një dialog të tillë. Përkundrazi, do të krijojë të gjitha hapësirat që edhe lidershipi i opozitës të çkontraktohet dhe të marrë pjesë në mënyrë normale dhe të natyrshme në këtë proces të dialogut politik dhe forcimit të institucioneve demokratike të vendit”, u shpreh Meta. Edhe sekretari për marrëdhëniet me mediat në LSI, Luan Rama, rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin parimor në respekt të institucionit të Presidentit të Republikës. “Ashtu si kundër ne, do të vazhdojmë të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi pozitivisht çdo iniciative, apo çdo hapi të ndërmarrë prej Presidentit të Republikës dhe që është në funksion të zgjidhjes së situatës politike në vend”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›