E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëngjin, PS tryezë për peshkimin

Nje nga tryezat e PS ne kuader te programit "Per nje rilindje kombetare" / Foto ilustruese

Në vijim të prezantimit të objektivave të programit të saj Për një Rilindje Kombëtare, PS organizoi sot në Shëngjin një tryezë për peshkimin, ku morën pjesë specialistë të fushës dhe peshkatarë.

Nëse ky sektor do të menaxhohej mirë, do të ishte një burim i rëndësishëm për të ardhurat, deklaroi kryetari i PS-së së Lezhës, Agustin Marku.

Agron Duka, kryetar i Komisionit të Bujqësisë pranë PS-së, theksoi se kjo tryezë ka si qëllim të saj ballafaqimin për problemet e evidentuara në sektorin e peshkimit si edhe mundësitë e zgjidhjes së tyre. Duka veçoi si një ndër problemet më kryesore amortizimin e anijeve, peshkimin e paligjshëm, mungesën e investimeve si dhe të politikave mbështetëse.

Sipas Dukës, programi i PS-së Për një rilindje Kombëtare parashikon përmirësimin e infrastrukturës së peshkimit, heqjen e TVSH-së për karburantet, mbështetje për zhvillimin e agrikulturës etj.

Po ashtu, deputeti i PS-së për Qarkun e Lezhës, Gjovalin Kadeli, u shpreh se aktualisht peshkimi nuk është në nivelin e duhur dhe se në programin e socialistëve, ky sektor do të ketë prioritet.

Tryeza të tilla janë parashikuar nga PS-ja të realizohen në të gjithë Shqipërinë, ku do të analizohen të gjitha problemet e paraqitura në këto ballafaqime për tu përfshirë në program. / Lindita Kokaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›