Shëngjini pret kosovarët
Kosova dhe Shqipëria nënshkruan të premten një marrëveshje për transportin rrugor. Por, çfarë do të përfitojnë dy vendet nga kjo marrëveshje?
“Lehtësohen shumë procedurat e njohjes së ndërsjellë të lejeve. Pra, lejet që janë të dhëna në Kosovë njihen në Shqipëri dhe anasjelltas. Na lejon operacionet e kaputazhit, pra një transportues nga Kosova mund të vijë në Kukës dhe mund të kryejë një transport të brendshëm nga Kukësi në Elbasan dhe të rikthehet në Kosovë”, deklaroi ministri i Transportit të Shqipërisë, Sokol Olldashi.
Në anën tjetër janë bërë dy vjet kur Shqipëria kishte vendosur që portin e Shëngjinit t’ia jepte Kosovës, por që nga ajo kohë shfrytëzimi i tij nuk ka filluar. Vendimi i para dy vjetëve ende nuk është vënë në jetë, por ministri shpjegon se vullneti politik ka ekzistuar, por se i takon sipërmarrësve privatë të investojnë.
“Edhe ne, edhe qeveria e Kosovës jemi shprehur qartë, dhe po rikonfirmojmë qëndrimet tona. Porti i Shëngjinit është i disponueshëm në çdo sekondë për Kosovën.
A ka biznesi i Kosovës projekt për ta komercializuar portin? Sepse kjo duhet të vijë nga bota e sipërmarrjes private, sepse as qeveria e Kosovës, as e Shqipërisë nuk janë investitorë”, sqaroi Olldashi.
Më herët Kosova dhe Shqipëria kanë arritur edhe një marrëveshje tjetër të ngjashme, në fushën e transportit ajror.