Eksploziv në banesën e 41-vjeçarit
Një person ndodhet në gjendje të rëndë për jetën pasi është dëmtuar nga shpërthimi i një lënde plasëse.
I dëmtuari është shtetasi Nazmi Alliaj, 41 vjeç, lindur në Selenicë dhe banues në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Vlorës. Si rezultat i shpërthimit, i cili ka ndodhur brenda në banesë, 41-vjeçarit i janë shkaktuar dëmtime të rënda të gjymtyrëve të krahëve dhe pjesës së kokës.
Alliaj ndodhet në spitalin rajonal në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat, shkaqet si dhe llojin e lëndës shpërthyese brenda banesës. I dëmtuari kishte rreth dy javë që kishte marrë me qira banesën ku ndodhi ngjarja ku dhe qëndronte përkohësisht vetëm.
Ngjarja ndodhi orët e paradites në një nga pallatet e reja pranë zonës që rëndom në Vlorë quhet “Albano e Romina”. Nga të dhënat e para rezulton se Alliaj ka qenë i vetëm në katin e 9- të banesës së marrë me qira.
Ngjarja për policinë po shqyrtohet në disa pista. Një prej tyre është ajo e vendosjes së lëndës eksplozive, pa përjashtuar mundësinë që personi të merrej me lëndë të tilla dhe të jetë ngjarje aksidentale.