Ftesa e Topit, Presidenti çek vjen për vizitë më 5-6 tetor
Me ftesë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në datat 5-6 tetor 2009, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri Presidenti i Republikës së Çekisë, Vaçslav Klaus. Zyra e shtypit të Presidentit Topi bën të ditur se gjatë qëndrimit në vendin tonë, Presidenti i Çekisë do të takojë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, si dhe zyrtarë të tjerë. Në axhendën e Presidentit të Çekisë, Vaçslav Klaus, parashikohet gjithashtu dhe pjesëmarrja në ceremoninë e promovimit të librit të shkruar prej tij "Planeti blu nën vargoj të gjelbër", që do të organizohet nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në kujdesin e posaçëm të drejtorit të këtij instituti, Albert Rrakipi. Një tjetër moment i rëndësishëm i vizitës zyrtare të Presidentit çek në Shqipëri është pjesëmarrja bashkë me Presidentin Topi në Forumin e Biznesit shqiptaro-çek. Sipas programit zyrtar, Presidenti çek mbërrin në aeroportin "Nënë Tereza", ditën e hënë, në orën 10.00. Në orën 11.00 do të jetë ceremonia zyrtare mes dy presidentëve në Pallatin e Brigadave. Në orën 11.10 do të zhvillohet takimi tet a tet mes dy presidentëve, si dhe fotoja zyrtare. Në orën 11.30 do të zhvillohen bisedimet bilaterale mes dy delegacioneve, të cilat kryesohen nga Presidentët Topi dhe Klaus. Në orën 12.15 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp. Më pas, presidentët do t‘i drejtohen në orën 12.45 monumentit "Nënë Shqipëri" tek Varrezat e Dëshmorëve për të vendosur kurora me lule. Ndërsa në orën 13:10, Presidenti çek ndahet nga Presidenti Topi për t‘iu drejtuar Kryeministrisë, ku pritet të takohet me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Në orën /////16.10 Presidenti çek, Klaus, do të takohet me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Më pas numri një i Çekisë do të takohet në orën 16.5 me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili do t‘i dorëzojë Presidentit çek në mënyrë simbolike Çelësin e qytetit. Në orën 17.30, Presidenti çek do të marrë pjesë në promovimin e librit të tij "Planeti blu nën vargoj të gjelbër", ceremoni e organizuar nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare në hotel "Tirana International". Në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, më 6 tetor, Presidenti çek, në orën 10.00, së bashku me Presidentin shqiptar do të marrin pjesë në Forumin e Biznesit shqiptaro-çek që do të zhvillohet në ambientet e hotel "Tirana International". Presidenti çek do t‘i drejtohet më pas qytetit bregdetar të Durrësit, ku do të pritet në orën 11:00 nga kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, në ambientet e hotel "Adriatikut" në Durrës.