Shënime nga "ferr-burgu" i Rrogozhinës
Një i burgosur mund të fitojë lirim me kusht deri në 90 ditë sipas ligjit duke përfshirë sjelljen e mirë etj. Burgu i Rrogozhinës është nën juridiksionin e Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë.
Por kjo gjykatë nuk merr parasysh sjelljen e të burgosurit, raportin e shërbimit apo karakteristika sado e mirë qoftë nga institucioni i burgut. Këto merren parasysh vetëm kundrejt një pagese që varion nga 200 euro deri në 300 euro për të marrë 3-mujorshin që i takon sipas ligjit
Ndërsa priste që së shpejti të nxirrte në dritë një libër monografik kushtuar nënës Mbretëreshë Geraldinë, një nga legalistët "e thekur" në Mirditë, Leon Molla, sot kryetar i forumit rinor Lëvizja e Legalitetit për degën Durrës, pas një grindjeje me disa persona që përfundon me plagosje të lehtë me dashje, në vetëmbrojtje, sipas tij, i ndryshohet rrjedha teksa përfundon në burg. 60 ditë në qeli pas konvertimit të gjobës prej 3 milionë lekësh.
"60 ditë ferri", siç i quan ai, mjaftojnë për të përshkruar gjendjen mjerane të burgjeve shqiptare, shërbimin skandaloz që ofrohet atje, korrupsionin galopant dhe deri mungesën totale të humanizmit për jetët e vuajtësve të dënimit.
25-vjeçari, një prej pinjollëve të legalistëve mirditorë, pasi gjyshi i tij ka shërbyer pranë Gardës Mbretërore (1932-1939), më pas i helmuar nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1947, po ashtu gjyshja e futur në burg, ashtu si dhe i ati dhe xhaxhai "për ndihmë reaksionarëve", nuk e kishte menduar se pas 20 vitesh në demokraci, burgjet shqiptare mund të ishin në atë gjendje, ndaj thotë se "paskan qenë të nevojshme kaq ditë burg për mua"!
Ndërkohë, u ka premtuar të burgosurve se gjithçka ka përjetuar aty do ta hedhë në shënimet e tij dhe do ta botojë.
Për "Shekulli"-n ai sjell disa nga pasazhet e shënimeve të tij që janë dhe një akuzë e rëndë për çfarë ndodh pas hekurave të burgjeve, duke sjellë fakte rrëqethëse nga burgu i Rrogozhinës, ku iu desh të kalonte 1 muaj në izolim dhe 1 muaj tjetër në kamp.
Si u fsheh vdekja e Drini Hajdaraj nga Patosi...
Mjafton një ngjarje për të kuptuar çfarë hipokrizie ka kur deklarohet për standarde evropiane në burgjet shqiptare, "Si mundet kështu, si mundet të fshihet korrupsioni i llahtarshëm që ngjet atje, mungesa e shërbimit dhe kujdesit ndaj qenies njerëzore dhe më e keqja akoma kur nuk llogaritet jeta e një qenieje të tillë, aty ku njeriu llogaritet vetëm si numër për gardianët për t'ua raportuar në darkë eprorëve?! Po, po, këtu njeriu është veçse një numër! Një prej numrave ishte dhe Drini Hajdaraj, dhe tash nuk është më, qëkur atij iu "vodh" dhe vdekja!
Para dy muajve u fsheh në mënyrën më makabër vdekja e këtij të paraburgosuri. Shteti i informoi mediat se ai vdiq nën përkujdesjen e mjekëve, gjasme duke e dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Triranës. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Është një vdekje e dhimbshme dhe për të nuk duhet të heshtë askush. E vërteta e vdekjes së tij lidhet me neglizhencën skandaloze të mjekëve të këtij institucioni.
Ja si qëndron e vërteta:
Me datë 25 shtator 2009, në godinën nr. 3 të sektorit 3, dhoma 2, në paraburgimin e burgut Rrogozhinë u dëgjuan britma, lutje dhe përgjërime që i drejtoheshin rojes së shërbimit Shefit Braka, por qe e kotë. Këtij të fundit as që i shkoi në mendje të hapte derën apo të informonte mjekun që kishte qenë 25 minuta më parë për t'i bërë një injeksion të paraburgosurit Drini Hajdaraj, 54 vjeç, nga Patosi i Fierit.
Drini Hajdaraj ishte i shtrirë në krevat dhe nxirrte shkumë nga goja. Nuk kishte aty as polici, as doktor apo infiermier të burgut, por ishin të pararaburgosurit e dhomës së tij që përkujdeseshin për të. Thirrjet e vazhdueshme në drejtim të shefit Braka binin në vesh të shurdhër. Ai lëvizte nëpër korridor duke përdredhur zinxhirin e çelësave nëpër gisht e duke thënë "pushoni se nuk ka gjë, do të bëhet më mirë!"
Por Drini Hajdaraj ishte nxirrë e enjtur i tëri në fytyrë. Të paraburgosurit e dhomës së tij e nxorën pranë telave të derës së dhomës që ta shihte polici i rojes. Kur e pa, u bind se i paraburgosuri ishte në gjendje shumë të rëndë. Hapi derën sikur nuk po ngjiste asgjë. I qetë shkoi tek telefoni dhe njoftoi komandën, por dhe ata thoshnin se nuk kemi gati ambulancën e burgut etj etj justifikime.
Të paraburgosurit e nxorën në krahë deri tek porta e madhe kryesore, por më kot, i paraburgosuri Drini Hajdaraj kishte dhënë shpirt që në dhomën e paraburgimit në duart e bashkëvuajtësve të tij.
Këtu fillon dhe maskarada: e nisin me ambulancë për në urgjencën e spitalit të burgut në Tiranë, duke e ditur fare mirë se po e çonin atje të vdekur.
Pas kësaj "shëtitjeje" e sollën sërish në Rrogozhinë, dhe më pastaj e nisën trupin e pajetë të tij drejt familjes.
Familjarët e morën vesh vdekjen e të afërmit të tyre vetëm atëherë kur ua dorëzuan kufomën në shtëpi, kurse babait dhe nënës të të ndjerit që qëndronin prapa derës së burgut, nuk iu treguan të vërtetën.
Mediat dhe shtypi shqiptar dhanë lajmin e servirur me gënjeshtër të sajuar nga burimi zyrtar se ka vdekur nën kujdesin e mjekëve! Me kaq u mbyll vdekja e tij. Shteti heshti sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
I pritet këmba për neglizhencë të doktorit
Po kaq tragjik është rasti tjetër me një të dënuar po nga Patosi i Fierit, Nazmi Demaj, i sëmurë rëndë. Ai iu drejtua ish-drejtorit të burgut Rrogozhinë, Ylli Zdrava, dhe ish-doktorit të këtij burgu, Enton Muçaj, që ta çonin sa më parë në spital, por nuk mori asnjë reagim pozitiv.
Një herë të vetme që mundi ta takojë doktorin e këtij burgu, iu tha se ishte mirë dhe nuk kishte pse shqetësohej. Por pas një muaji e dërguan në spitalin e burgut në Tiranë dhe, sipas diangnostikimit, rezultoi me diabet. Në spital e çuan atëherë kur këmba e djathtë ishte e enjtur, pasi gjaku nuk qarkullonte. Dy gishtat e këmbës ishin kalbur dhe infeksioni kishte arritur deri poshtë gjurit të djathtë.
Doktorët kur e panë gjendjen e tyre, i thanë se duhej prerë këmba që t'i shpëtonte jeta. Kështu këmbën ia prenë poshtë gjurit të djathtë dhe menjëherë pas operacionit i filluan problemet me këmbën tjetër dhe zemrën.
Izolimi, aty ku gatuhet ferri i vërtetë
Izolimi është një ferr i vërtetë. Një dhomë e vogël me 4 ose 6 krevatë e ku çdo ditë sillnin tranzitë për të fjetur në çimento. Banja ndodhet brenda dhomës pa derë. Në vend të saj, një beze e leckosur qëndron ngjitur me kunja dhëmbësh në mur.
Edhe pse me këtë gjendje të rëndë për të jetuar aty, polici i dhomës e mbante të mbyllur në pikë të vapës derën, ku dhoma bukosej nga era e banjës dhe tymi i duhanit. E nëse i thirrej policit për të hapur derën, ai kërcënonte me raport shërbimi pasi i prishej qetësia!
Materialet për mbajtjen e higjienës së dhomës as që bëhej fjalë t'i sillnin. Ato ua shiste komanda të burgosurve, si: test, sapun, radackë, fshesë, stola etj. Një të burgosuri apo tranzit i sapoardhur nuk bëhej fjalë t'i sillnin çarçafë apo batanije.
Pas shumë lutjeve që u bënin policëve, e shumta mund t'u hidhej ndonjë sfungjer i lerosur, ushqimi servirej në kazanë të alumintë të burgjeve të kohës së komunizmit, nuk sillte kush as lugë, pjata apo pirunj dhe të burgosurit sajonin tasa të testit të enëve për të ngrënë në ta.
Mbi 50 të dënuar që ka një godinë, vetëm një apo dy të dënuar marrin ushqimin e komandës, të tjerët përdorin atë të familjeve të tyre të varfra.
Lejet! Ke të paguash?!
Lejet janë një odise më vete. Një i burgosur mund të fitojë lirim me kusht deri në 90 ditë sipas ligjit duke përfshirë sjelljen e mirë etj. Burgu i Rrogozhinës është nën juridiksionin e Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë.
Por kjo gjykatë nuk merr parasysh sjelljen e të burgosurit, raportin e shërbimit apo karakteristika sado e mirë qoftë nga institucioni i burgut. Këto merren parasysh vetëm kundrejt një pagese që varion nga 200 euro deri në 300 euro për të marrë 3-mujorshin që i takon sipas ligjit.
Në jo pak raste, shprehen disa të burgosur, na ka ndodhur që pyetja qesharake dhe cinike e togave të zeza të kësaj gjykate të jetë: çfarë do të bëni që do të dilni jashtë? Ku do mbyteni? Jeni mirë aty në burg!
Këtu gjithçka funksionon sipas Ligjit të Xhunglës: leje mund të marrësh kundrejt ryshfetit. Kush ka më shumë para, mund të përfitojë gjithçka. Për disa kategori të burgosurish një ditë leje kushton 100 euro.
Një i burgosur që i duhet të marrë leje, duhet të njoftojë familjarët e tij për të takuar drejtuesit, pasi familjari ua numëron lekët. Atëherë mund të jepet urdhri për leje.
"Këto janë disa episode. Të tjerat po i hedh në një libër shënimesh",- thotë legalisti Leon Molla, që "fati" e çoi të ishte "rezident" për dy muaj me të burgosur të tjerë në burgun-ferr të Rrogozhinës, siç e cilëson atë.