Ullinjtë e Beratit kërcënohen nga zhdukja
Specialistët flasin se si shteti duhet të ndërhyjë, pasi rreth 400 hektarë ullinj të Beratit nuk ekzistojnë më
BERAT - Në pasaportën mbi 2400-vjeçare të qytetit të lashtë të Beratit, dy janë elementet që dëshmojnë për këtë lashtësi: kalaja dhe ulliri! Nëse kjo e para është një monument i mbrojtur me ligj nga shteti i të gjitha kohërave, ulliri vazhdon të jetë "shenjtar" i pambrojtur.
Kjo bimë mbishekullore ka mbijetuar, kjo falë zemërgjerësisë së Zotit. Të gjithë jemi dëshmitarë të vlerësimeve që ka marrë Berati për ullirin cilësor dhe vajin e kulluar si ari, që ka dalë nga kjo bimë sa e vjetër, po kaq edhe kurative.
Jo vetëm vendasit që e e kanë lidhur jetën me këtë bimë, por edhe në Shqipëri dhe jashtë saj kanë mundur të shijojnë kokrrat e ullirit të Beratit dhe vajin e rrallë të ullirit të rritur në këtë zonë. Ulliri në Berat, sipas gojëdhënave dhe legjendave, është i vjetër sa vetë qyteti.
Edhe sot në këtë kurorë të gjelbër gjen drurë të ullirit që shënojnë moshë rekord deri në disa shekuj. Harta e kësaj bime në Berat përfshin disa zona dhe nuk ka shtëpi në fshat, madje edhe në qytet që të mos ketë në pronësi dhjetëra rrënjë ulliri. Veçanërisht pas viteve 1990 edhe ulliri e gjeti të zotin....
Dhe pikërisht këtu nis dhe historia e trishtueshme apo drama e "barbarizmit" ndaj këtij druri magjik. Nëse Shqipëria para viteve 90' numëronte rreth 5,5 milionë drurë ulliri, ku pjesën më të madhe, thuajse gati gjysmën e kësaj shifre, e zinte rrethi i Beratit.
Për specialistët e asaj kohe, të cilët investuan gjithçka për kultivimin dhe zhvillimin e ullirit, situata e sotme është alarmante. Sipas tyre, alarmi që ata duan të japin është një apel për ndërgjegjen qytetare të gjithsecilit. Berati ka prishur paqen me ullirin dhe ulliri ndihet i kërcënuar, deri në "dënim me vdekje"
Situatë alarmante
Për specialistin e njohur të bujqësisë dhe veçanërisht për ullirin, Idajet Qalliu, gjithçka po ndodh me kurorën e blertë të ullirit në Berat, ka të bëjë me një mungesë strategjie nga ana e qeverisë aktuale, trashëguar kjo edhe nga qeveritë e majta apo të djathta që kanë drejtuar vendin pas viteve '90.
"Personalisht e njoh mirë ullirin dhe kam investuar për kultivimin e tij për vite të tëra dhe më vjen keq që kjo bimë po degradon deri në zhdukje. Është një barbarizëm që nuk do të na e falin brezat që do të vijnë pas nesh.
Beratit po t'i heqësh ullirin, është një soj si t'i shkulësh mushkërinë. Më thoni qoftë edhe një qytet të vetëm, si Berati, të cilit Zoti t'i ketë falur pasuri, si: lumin, ullirin, grykën e Goricës (kondicionerin natyral që pastron vetë qytetin)! Berati ka pasur në inventar rreth 700 ha tokë të mbjellë me ullinj dhe vetëm për 20 vjet janë zhdukur rreth 400 ha.
Është e dhimbshme, apo jo?! Nuk e di se çfarë përgjegjësie ndien Drejtoria e Bujqësisë e Ushqimit kur përballet me shifra të tilla, por një gjë është e vërtetë: ulliri po dëmtohet barbarisht dhe shteti bën sehirxhiun.
Kjo barbari është njësoj me inkuzicionin e Luftës së Dytë Botërore dhe nëse vazhdohet me këto ritme, nuk do të jetë e largët dita kur Beratit t'i mungojë ulliri". Sipas Qalliut, shkaqet janë duke nisur që nga sëmundjet që nuk profilaksohen e deri tek prerja e drurëve.
Madje, ai thotë se edhe trungjet po shkulen dhe po përdoren për qymyr. "Nuk janë vetëm sëmundjet e palloit, të gjetheve të ullirit, breshkëza etj, që po dëmtojnë këtë bimë, por janë vetë njerëzit që kanë prishur paqen me ullirin. Pavarësisht faktit që ulliri është privatizuar, ai vazhdon të jetë monopol i shtetit dhe duhet mbrojtur nga shteti. Ka një postulat të bukur për ullirin.
"Jo në çdo zonë mund të mbillet ullinj, aq sa jo në çdo ferrë mund të ketë një lepur". Unë e mirëkuptoj kryeministrin Berisha kur deklaron se do të mbillen 20 milionë rrënjë ullinj, por jam skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë", - shprehet specialisti i vjetër i ullirit, Idajet Qalliu.