Armët e luftës "zbresin" në qendër të Durrësit
PËRVJETORI
DURRËS - Muzeu rajonal i qytetit të Durrësit është në fazën përfundimtare të organizimit të ceremonise së festimit të 65-vjetorit të çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazi-fashistë. Për herë të parë që nga periudha e magazinimit dhe caktimit të armëve të përdorura nga partizanët dhe njësitet guerile të asaj periudhe, një pjesë e arsenalit që ruhet ne vitrinat e seksionit të Muzeut të Luftës pranë maozoleumit te Dëshmorëve, është transferuar në sallën përgatitore të zhvillimit të ceremonisë së festimit të datës së shënuar të çlirimit: 14 nëntorit.
Është një risi kjo, ashtu siç do të ketë edhe risi të tjera në metodën e organizimit të festës. Sipas drejtorit të Muzeut Rajonal të Durrësit, Edmond Agollit, ceremonia festive do të jetë jashtë çdo lloj klisheje tradicionale që në mënyren e hartimit të ftesave dhe të organizimit të konferencës perkujtimore.
Në sallë do të flitet nga veteranët dhe drejtues të pushtetit lokal e qendror, ndërkohe që do të kombinohet me shfaqje filmike dokumentare mbi luftën e zhvilluar në rajonin e Durrësit dhe ku kushdo mund të pije edhe një kafe.
Është një eksperiment që e nxjerr veprimtarinë nga kornizat klasike e fryma akademike e traditës, duke e demokratizuar si veprimtari dhe duke e bërë edhe më njerëzore veprën e lavdishme të dëshmorëve të çlirimit të atdheut. Ajo ka si qëllim, sipas organizatorëve, t'i bëjë thirrje kujtdo që të prekë historinë e qytetit të vet.
Armët trofe
Armët e përdorura në luftë janë bërë objekt pelegrinazhi që në momentet e transferimit të tyre në mjediset e pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu".
Pasi janë parë duke shkarkuar ato në sallën ku do të organizohet ceremonia e festës së çlirimit të Durrësit, shumë vetë kanë filluar të ndjekin nga afër rregullimin e stendave dhe bëjnë shume pyetje, sa Agolli thotë se është bërë që këto ditë e domosdoshme veprimtaria e një ciceroni që të jetë edhe specialist i armëve të zjarrit, pasi edhe llojshmëria e tyre është e madhe duke filluar që nga mitrolozet e tipeve te ndryshme të rëndë dhe të lehtë, të cilët, sipas tij, u përkasin 2 luftërave botërore, si dhe tek armet e krahut: pushkë të gjata manlihere e mauzer dhe automatikë gjermanë e italianë.
Një vend te rëndësishem në stendat anësore të sallës ceremoniale zënë edhe disa tipe mortajash, duke filluar që nga kalibrat e vegjël dhe deri tek ato të artilerisë së rëndë me larghedhje për t'u përdorur në beteja të karakterit të gjerë strategjik.
Sasia e objekteve është e larmishme, duke filluar që nga armë dhe radio e telefona të përdorura në shtabet e luftës, armë trofe të përdorura nga forcat partizane të njësisë së Durrësit dhe Pezës gjatë luftës nacionalçlirimtare nga dëshmorë të rënë në Durrës, si dhe dylbi të përdorura nga kuadrot udhëheqëse të luftës, si dhe një prej aparateve fotografike me të cilin janë bërë foto të dokumentimit të veprimtarive luftarake. Ftesat e ceremonisë festive nuk janë të konceptuar me emra të të ftuarish.
Poshtë siglës "Durrësi 65 vjet çlirim" shkruhet thjesht "Është për Ju", çka nënkupton se tradita e luftës çlirimtare, si pjesë e ndritur e historisë kombëtare, është pasuri që u përket të gjithë brezave të këtij qyteti, si për ata që po ikin, po ashtu edhe për ata që do të vijnë.