Shkodra "nën" ujë, prefekti mohon situatën
Pavarësisht ankesave të banorëve për përmbytjen e tokave e shtëpive, Cungu thotë se gjithçka është nën kontroll
Mark Muri thotë nuk mund t'i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkak se shtëpitë janë rrethuar nga uji
SHKODËR - Tokat bujqësore në rrethin e Shkodrës kanë pësuar përmbytje si pasojë e reshjeve të shiut dhe mosfunksionimit të kanaleve kulluese, ndërsa disa familje në fshatin Rrenc të komunës Gur i Zi kanë mbetur të izoluara dhe lëvizin me shumë vështirësi.
Ndërsa banorët e Rrencit, Kuçit, Vukatanës, Jubanit në Gur të Zi apo Reçit, Sektorit e Plazhit në Velipojë, Beltojës e Berdicës në komunën Berdicë shprehen se shkaku i tokave të përmbytura është mosfunksionimi i kanaleve kulluese, prefekti i qarkut të Shkodrës Maxhid Cungu thotë se situata është nën kontroll dhe paraqitet më e mirë se vitet e kaluara. Ai ka inspektuar paraditen e së dielës disa nga tokat e komunave të Shkodrës të përmbytura nga reshjet e shiut.
Mark e Nikë Muri, banorë të fshatit Rrenc, shprehen se uji i ka rrethuar në të katër anët shtëpitë e tyre dhe ka shkuar deri 50 cm. "Kanalet nuk funksionojnë. Janë përmbytur 10 dynym tokë që është bllok i tërë, pasi është marrë dhe dheu anash dhe toka ka rënë nën nivelin e kanalit.
Toka ka qenë e mbjellë me jonxhë dhe perime, por e ka marrë të gjithë uji. Rruga nga dalin fëmijët për të shkuar në shkollë, është e bllokuar prej ujit dhe nuk i dërgojmë dot se nuk kanë nga të kalojnë",- thotë Mark Muri. Ndërsa Nikë Muri shton se ka 3 dynym tokë të mbjellë me grurë që e ka marrë uji dhe gjithçka ka shkuar dëm. Kjo, vetëm se nuk pastrohen kanalet kulluese, ndërsa ngjarja përsëritet vazhdimisht.
Situata paraqitet problematike dhe në Velipojë, ku janë përmbytur toka bujqësore në Sektor, Plazh, Reç etj. Reshjet e shiut kanë përmbytur rreth 200 ha tokë në komunën e Velipojës. Mosfunksionimi normal i hidrovorit të kësaj zone ka bërë që uji të përmbytë tokën bujqësore.
Sipas specialistëve të kësaj komune, problemi i përmbytjeve nuk qëndron vetëm në mosfunksionimin e plotë të hidrovorit, por lidhet kryesisht me mospastrimin e kanaleve kulluese, të cilat, kur ka reshje të dendura shiu, krijojnë probleme për tokat bujqësore. Sipas burimeve nga komuna e Velipojës, hidrovori aktualisht është në gjendje pune, por jo plotësisht, si shkak i bllokimit të kanaleve kulluese.
Dëmet konsiderohen të mëdha, pasi një pjesë e tokave të përmbytura kanë qenë të mbjella me ushqim për bagëtitë dhe me grurë. Specialistë të komunës së Velipojës shprehen se indiferenca e Bordit te Kullimit ndikon në krizën ekonomike që i shkaktohet fermerëve si pasojë e përmbytjeve të tokave bujqësore nga reshjet e shiut.
Drejtori i Bordit të Kullimit, Muhamet Muça, i pranishëm në inspektimin e kryer nga prefekti, ka pranuar faktin se gjendja është e vështirë dhe, sipas tij, është ngritur një grup pune që do të bashkërendojë veprimet me shtabin e emergjencave civile në mënyrë që të përballohet situata.