E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, përmbarimi kërkon ndihmën e Gjykatës së Lartë

ELBASAN/ Përmbarimi në konflikt me ALUIZNI-n dhe njësitë vendore për zbatimin e vendimeve të gjykatës


ELBASAN - Agjencia e Legalizimit vazhdon procedurat për objektet që i janë kthyer pronarëve të ligjshëm me vendime gjyqësore të formës së prerë. Këto procedura vijojnë pavarësisht se vendimi është dhënë para Ligjit për Legalizimet. Ky ka qenë shqetësimi i ngritur nga kreu i Përmbarimit të Elbasanit, Halit Cani, gjatë takimit me prefektin.


Cani tha se një fenomen tepër problematik i shfaqur kohët e fundit është konflikti institucional me ALUIZNI-n Elbasan dhe me njësitë e qeverisjes vendore. Sipas tij, janë disa raste të tilla ku vendimet pengohen të ekzekutohen me pretendimin e Ligjit për Legalizimet, i cili e pezullon vendimin e gjykatës.


Por, sipas Canit, dihet që ligji ka efekt prapaveprues, çka nënkupton se pezullimi vlen për ato vendime të dhëna pas daljes së ligjit. Ndërkohë që, sipas kreut të Përmbarimit, nga ana e Agjencisë së Legalizimeve nuk u lejohet ndërhyrja edhe në rastet e vendimeve të dhëna para daljes së këtij ligji. Si rrjedhojë, Cani kërkoi ndërhyrjen e institucioneve më të larta për një zgjidhje ligjore.


Ai tha se kryesisht me nismën e Gjykatës së Lartë mund të pezullohen vendimet gjyqësore derisa të shprehet ALUIZNI ose edhe të ndërmerret ndonjë nismë tjetër parlamentare kushtetuese.


Por gjithashtu Cani tha se problematik vazhdon të mbetet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në institucionet buxhetore. Sipas tij, Bashkia Elbasan mbart detyrime qysh nga viti i kaluar.


Por ajo e zvarrit ekzekutimin përmbarimor. Ndaj personave të ngarkuara nga ligji të këtij institucione janë marrë edhe sanksione ligjore dhe në vazhdim do të merret nisma për fillimin e procedimit penal.


Cani deklaroi se priten dy udhëzime që duhet të dalin nga Këshilli i Ministrave për rregullat e zhvillimit të ankandit, si dhe rregullat për vënien e masës së sekuestros në degën e thesarit. Nga shumë çështje të trajtuara nga përmbarimi, rreth 70 të tilla kanë shtetin debitor ndaj qytetarëve. Në listën e çështjeve të përmbarimit përfshihet Agjencia e Trajtimit të Kredive dhe Firmat Piramidale.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›