Shënime për librin “Shembëlltyra në folklor dhe letërsi” të Hajri Mandrit
Libri “Shembëlltyra në folklor dhe letërsi” i Hajri Mandrit është shkruar fillimisht si tezë për shkallën “Master”, me titull pune “Shembëlltyra në tregimet alegorike dibrane”.
Duke e rilexuar tashmë si një monografi që u drejtohet studiuesve, lexuesve me interesa në fushë të letërsisë, folklorit, etnografisë, ligjërimeve gjuhësore, jo thjesht për ta paraqitur me dinjitet para një komisioni specialistësh, vlerat e këtij libri mund të çmohen në një kontekst më të gjerë.
Shembëlltyra është art dhe atribut i parathënësve. Profetët flasin me shembëlltyra. Në paremiologjinë hebraike kjo mënyrë e kushtëzimit të fatit të jetës njerëzore prej shembëlltyrës profetike shprehet me fjalën e urtë “E ardhmja juaj është e shkruar në të shkuarën” - “Your future is in the past”.
Në shkrimet e shenjta, gjithçka që ndodh në këtë botë, ndodh sepse një shembëlltyrë e ka paralajmëruar. Për të argumentuar ardhjen e “lajmit të mirë” (gr. “Euangelion”) dhe të profetit të tij, Krishtit, në tekstet ungjillore thuhet thjesht se kjo ndodhi “sepse Moisiu u tha etërve “se Zoti, Perëndia do të ngrejë ndër ju nga vëllezërit tuaj një profet si unë; atë dëgjoni për të gjitha ato që t’ju flasë” (Vep. Ap. 3: 22).
Libri i Hajri Mandrit (M. A.) e mori pikënisjen pikërisht nga kjo formë ligjërimi e moçme sa vetë bota, që ka mbijetuar nëpër kohëra jo vetëm si ligjërim liturgjik dhe predikues, por edhe si ligjërim folklorik, etnografik, etno-juridik, duke ruajtur shumë cilësi e funksione të kryehershme. Ai i vuri vetes si detyrë qysh në krye që përmes gjedheve zanafillore, sikurse janë ato biblike, mitologjike, kuranore, të identifikojë shembëlltyrën si figurshmëri poetike në folklor e në letërsi, kushtëzimin e shembëlltyrës laike prej asaj teologjike e teozofike (më së shumti mistike), fuqinë e saj estetike, morale, juridike e psikologjike.
Kjo ishte një punë fort e vështirë, sepse të merresh me shembëlltyrën, me burimin e saj, me të folurit parathënës (profetik) në përgjithësi, do të thotë të merresh jo vetëm me një çështje filologjike ndërdisiplinore, por edhe me atë që zakonisht quhet “hermeneutica sacra”, sot një nëndisiplinë e teorisë së përkthimit, që merret me interpretimin e teksteve kanonike; me të fshehtat shumëkuptimëshe që përmbajnë shembëlltyrat profetike dhe me ndikimin e tyre në mendësinë e njeriut përgjatë rrjedhave të kohërave. Në njëfarë mënyre, kjo do të thoshte të kërkoheshin e të studioheshin edhe ato rrethana të ndërlikuara parahistorike e historike, në të cilën njeriu vdekatar i kohërave të mugëta i dha kompetencë mendjes së vet të përdorë modele ligjërimi si të profetëve, duke dëshmuar një lidhje shumë të hershme të kësaj tradite me burimin parësor, lidhje që në të drejtën etno-zakonore shqiptare shprehet, ndër të tjera, edhe me “derën e hapur të konakut”, sepse nuk dihet kush troket në derë: “profeti apo përderësi” - kohë që më së voni përtakon me fillimet e krishtërimit, me krishtërimin apostolik, kur dëshmitarët e profetëve ishin pjesë e bashkësisë (gr. “ecclesia”), që më vonë do të shenjonte faltoren.
Pavarësisht se shembëlltyra terminologjikisht përmendet kryesisht prej kohës së kodifikimit të ungjijve, të folurit me shembëlltyra sundon gjerësisht gjithë traditën klasike mitologjike botërore, duke përfshirë ato të popujve fqinjë, të grekëve dhe latinëve. Me shembëlltyra flasin orakujt, me shembëlltyra flet edhe sfinksi, gjëegjëzat e të cilit janë rebuse shumëkuptimëshe. Olimpi i lashtë helen kishte dhe një hyjni me atributin e përkthimit (në të vërtetë të mosmarrjes vesh dhe të moskuptimit): Hermesin, prej nga ka ardhur edhe emri i shkencës “hermeneutikë” dhe idioma “shprehje hermetike”, domethënë e pakuptueshme.
Deri në dorëshkrimet ungjillore të periudhës para “dekretit të së dielës”, madje dhe më vonë, emri i Perëndisë (hebr.: Adonai, Elohim) as përkthehet, as transliterohet, por ruhet sekret dhe shenjohet si në aramaisht, me tetragramin e mirënjohur ose me simbole të fshehta, si peshku, pëllumbi, pastori (bariu i grigjës), sepse ishte tabu. Mjaftonte shembëllimi për të mbërritur intuitivisht tek thelbi. Mjaftonte shenja për të shkuar te e vërteta.
Mitologjitë dhe librat e shenjtë e kanë pasur të fshehtën një mënyrë komunikimi të hyjnive me njerëzinë. Hyjnitë antike ishin shumë xheloze ndaj atributit që vetëm atyre u takonte. Kur Kasandra paratha se çfarë e priste Trojën nëse do të pranohej kali i çuditshëm i Odiseut, jo me ndonjë shembëlltyrë, por me të folurit e njerëzve vdekatarë, hyjnitë e dënuan me mosbesimin e përgjithshëm qesëndisës të gjindjes. Magët (distarët) persë dhe mobedët zoroastrianë gjithashtu flisnin me shembëlltyra, ca sepse i trembeshin pushtetit të shahëve dhe ca sepse kështu ka qenë dhe është stili i ligjërimit të tyre. Nëse nuk ka shembëlltyrë, s’ka mësim prej së shkuarës, s’ka as këshillë për sovranë dhe as për agoranë.
Tradita folklorike shqiptare, sidomos ajo e rajoneve më pak të hapura ndaj kulturave të shkruara, sikurse është Dibra, Luma, një pjesë e madhe e Kosovës, që u bë objekt i studimit të autorit Hajri Mandri, ruan shenja të shpërfaqura të kulturës së një populli, të parët e të cilit kishin arritur me kohë t’i zbritnin hyjnitë nga qielli në Olimp dhe mundoheshin t’i nyjëtonin mendimet e tyre në të njëjtin stil të lartë parathënës si hyjnitë. Ky stil ligjërimi nuk është studiuar ende jo vetëm në anën folklorike-letrare dhe estetike-etike, por as si një prej stileve të ligjërimit gjuhësor, si një prej formave të komunikimit të së shkuarës me të sotmen dhe të ardhmen.
Studimi i Hajri Mandrit, për qëllimin që u hartua, mund të mjaftohej edhe vetëm me një paraqitje panoramike-anatomike të formave të ligjërimit me shembëlltyra në tregimet alegorike dibrane, në të folurit me rrotulla të Kosovës, në kallëzimet popullore të viseve të tjera veriore të Shqipërisë, që përbëjnë dukuri folklorike me përhapje tejet të gjerë deri në ditët e sotme. Një përpjekje për të shtresëzuar gjurmët e kohërave dhe ndikimeve në të folurit me shembëlltyra të këtyre rajoneve, mbijetesa të gjendjeve gjuhësore dhe të mendësive të epokave dhe botëve të prekura përgjatë procesit historik do të ishte vlerë shtesë e punimit. Por autori mund të mjaftohej gjithashtu vetëm me koleksionin e kanuneve, çdo nen i të cilëve në burim ka një shembëlltyrë, një kushtëzim i së tashmes që vjen prej së shkuarës dhe kjo shpjegon karakterin konservator të tyre. Ligjërimi etnografik, i kodifikuar me të njëjtën vetëdije si dhe shkrimet e shenjta, ishte një objekt i vetëmjaftueshëm për të studiuar shembëlltyrën. Do të mjaftonte vetëm veçimi i asaj dukurie gjuhësore-letrare që autori me të drejtë e ka quajtur “e tashmja dëftore-urdhërore” apo “e ardhmja urdhërore”, që cilëson ligjërimin etno-juridik: “Kush të vjedhë gjânë e gjallë të kishës, më rreth kû pershîn Kanûni, ká me lá dý per nji, si gjithkuej”; “Kush të vjedhë në qelë a bâne të Famullitarit, do të lajë dý per nji gjân e vjedhne, 100 grosh kishës per nderë të mârrme, e 100 desh e 1 ká giobë bajrakut”; “Aj, qi s’i vêhet ndeshkimit të kishës e të Kanûnit, bajraku do të mblidhet tok te shpija e tij e do t’i mârrë gjithshka të két në vathë” (“Kanuni i Lekë Dukagjinit”, 1933, kreu I, nyje 8), për të përmendur vetë disa shembuj, në të cilën urdhri nuk vjen nga forma gjuhësore, por nga stili i ligjërimit. Mirëpo autori e ka parë më me vend një rrugë tjetër, më të vështirë: të udhëtojë gjerë e gjatë në lëndën e pafundme folklorike dhe letrare, për të shpallur së pari fuqinë e shembëlltyrës në ligjërimet tradicionale shqip dhe për t’i hapur udhë vetes dhe studiuesve të tjerë, që në një të ardhme të ndërmerren kërkime të një karakteri tjetër, jo kaq të paskajuara, sikurse janë përgjithësisht studimet me karakter paraprirës. Ndoshta lexuesit as që i ka shkuar në mendje se shembëlltyra ka kaq shumë pushtet etnografik, ligjërimor-gjuhësor, letrar, didaktik, formues e informues, deri tek të dhënit e së drejtës, jo vetëm në shkallë të kodifikuara të komunikimit midis njerëzve, si odat e pleqnarëve dhe kuvendet e kryeparëve, por edhe në jetën e përditshme, në mënyrën si përshëndeten dy kalimtarë në rrugë apo si këmbejnë duhan, në mënyrën si pritet miku, si nis një bisedë e zakonshme në vatrën e të zotit të shtëpisë, në ditë të zakonshme e në të kremte të rëndësishme, në kishë a në xhami, në dasmë e në derte, në luftë e në paqe.
Autori ka zgjedhur procedimin më të dobishëm për lexuesin, me qëllim që ky libër t’i shërbejë atij si një udhërrëfyes për të hyrë me lehtësi në botën e ligjërimit me shembëlltyra. Sigurisht, si çdo udhërrëfyes, edhe ky nuk mund të ofrojë kode të gatshme për të kuptuar e shijuar të folurit me shembëlltyra, aq më pak për të përdorur vetë shembëlltyrën, sepse kjo mësohet bashkë me gjuhën, para se njeriu të bëhet për shkollë. Autori ia ka arritur qëllimit të bëjë përkufizimin e dukurisë, të bëjë të njohur gjendjen e saj në ligjërimet e sotme, format më të përhapura të shembëlltyrës laike sot, sa është ajo vendëse dhe nga kanë ardhur ndikimet e mundshme, në cilët shkrimtarë shembëlltyra ka më shumë peshë dhe rëndësi letrare dhe krijuese.
Në librin “Shembëlltyra në folklor dhe letërsi” lexuesi do të gjejë jo vetëm një lëndë të pasur burimore, fatmirësisht të mbledhur prej amatorëve të folklorit; jo vetëm trajtime terminologjike gjuhësore dhe letrare për shembëlltyrën në ligjërimin gjuhësor, folklorik e letrar; jo vetëm argumente për mundësinë e një tradite vendëse të kryehershme të përdorimit të saj dhe të drejtimeve të ardhjes së ndikimeve, por edhe analiza të funksioneve të kësaj figure dhe mënyre të kumtuari, që janë shtresë mbi shtresë të vendosura nga një kohë në tjetrën. Me shumë interes është renditja e argumenteve që shembëlltyra, përveç ligjërimeve liturgjike, përveç arketipave mitologjikë, është ndikuar edhe prej letërsisë klasike perse, një pjesë e së cilës përmban të njëjtin kod kumtimi si dhe librat e shenjtë të besimeve abrahamike. Jo rastësisht libri i mirënjohur i Mevlana Xhelaledin Rumiut “Masnavi Maanavi” është mbiquajtur edhe “Farsi Qouran”, - “Kurani pers”. Ashtu si masnavitë e Rumiut, edhe vjershat e rrëfenjat e Saadiut janë polisemantike, për shkak të fuqisë së shembëlltyrës, mbi bazën e së cilës janë ndërtuar. Me rastin e poezisë perse dhe të raporteve të saj me librat e shenjtë sa i takon mbështetjes së njëjtë në të folurit me shembëlltyra është e ngjashme tradita shqiptare e ligjërimeve me shembëlltyra.
Ky libër shqipton shumë çështje dhe shtjellon shumë argumente që në studimet shqiptare nuk janë trajtuar thuajse asfare më parë. Autori u ofron nxënësve e studentëve njohuri parësore për një dukuri të pastudiuar, vetë bartësve të fundmë të ligjërimit me shembëlltyra një mënyrë të interpretuari të stilit të tyre të të folurit, specialistëve të letërsisë e të folklorit një varg problemesh të nevojshme për të gjykuar drejt për gjuhën, folklorin, letërsinë dhe marrëdhëniet midis tyre dhe mbi teoritë e evolucionit të zhanreve dhe të figuracionit; studiuesve të një niveli më të lartë formimi tema të hapura që presin njerëz të zellshëm dhe të formuar për t’u shpënë më tej. Duke e pasë njohur përmbajtjen e tij në formën që iu paraqit një komisioni specialistësh për vlerësim për shkallën e kualifikimit si “Master” dhe në gjendjen që i paraqitet sot lexuesit, mund të më lejohet të pohoj se ky proces diskutimi me specialistë të fushës, vetë mbrojtja para komisionit, i kanë dhënë monografisë një surplus intelektual.