E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Votoni PD-në për pagat, arsimin dhe rrugët



“Shqipëria po ndryshon” zbriti dje në qytetin e Laçit, ku Kryeministri Sali Berisha përuroi fillimin e punimeve për zgjerimin e autostradës Milot - Fushë-Krujë. Duke folur përpara qytetarëve të Laçit, kreu i mazhoranës kërkoi votat e tyre dhe gjithë shqiptarëve jo vetëm për atë që qeveria ka kryer në këto katër vite, por për projektin e katër viteve në vijim. Berisha tha se projektet e realizuara në këto vite përbëjnë një bazë besimi. Ai kërkoi votën e shqiptarëve në mënyrë që në mandatin e dytë të ketë më shumë rrugë të reja, paga më të larta, arsim më cilësor dhe një shërbim shëndetësor modern. “Këto përbëjnë një bazë besimi për të gjithë ju, për çdo shqiptar se kjo forcë politike mban fjalën e dhënë, këto përbëjnë një bazë të fuqishme vlerësimi për ato që ne do të arrijmë”, - tha Berisha.

Kryeministri deklaroi se vendi ka ndryshuar në katër vitet e fundit, duke nisur nga infrastruktura, shkollat, pagat, pensionet dhe integrimi. Duke bërë një krahasim mes alternativës së djathtë dhe asaj të opozitës së majtë, Berisha tha se e djathta ka projektet, ndërsa e majta retorikën. “Për të gjithë ata të cilët ndryshimin e kuptojnë me vepra, me ndryshim kuptojnë rrugë të reja shkolla të reja, rritjen e rrogave dhe të pensioneve, internetin në shkolla, zhvillimin e zonave rurale, për të gjithë ata që me ndryshim kuptojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kuptojnë kandidimin e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian janë të sigurt se këto po ndodhin dhe ky ndryshim dallon si nata me ditën nga ndryshimi me fjalë boshe, me retorikë boshe, me sharje dhe mashtrime”, - deklaroi kreu i qeverisë. Në fjalën e tij në qytetin e Laçit, Berisha u ndal kryesisht në infrastrukturën rrugore. Ai tha se në katërvjeçarin e ardhshëm do të mbyllet projekti për një vend me rrugët më të shkurtra. Kreu i mazhorancës përmendi projektet infrastrukturore në vijim, një pjesë e tyre kanë nisur nga puna. “Projekte të mëdha nisin dhe janë në vazhdim, Rruga e Arbrit që shkurton distancën midis Peshkopisë dhe Tiranës, midis Shkupit dhe Tiranës pothuajse 100 km, boshti qendror i Jugut, që afron Sarandën me Tiranën me mbi 120 km, rruga Qafë-Plloçë - Qukës dhe më pas, rruga e re Tiranë - Elbasan që afron Korçën me të gjithë Shqipërinë Juglindore mbi 70 km me Tiranën”, - premtoi Berisha.

Lideri i mazhorancës u ndal më tej edhe në projektet e tjera për katër vitet në vijim. Ai premtoi se rritja e pagave dhe pensioneve do të vazhdojë përsëri në mandatin tjetër. “Rritja e madhe e rrogave dhe pensioneve, sikundër këto katër vite, por më e fuqishme, është një nga platformat më të rëndësishme të qeverisë sime. Kush nga ju mendonte tre vjet më parë se sot shqiptarët do të merrnin 30% më shumë rroga dhe pensione më shumë se bullgarët dhe rumunët”, - tha Berisha duke shtuar se në katërvjeçarin e ardhshëm, niveli i pagave dhe pensioneve do të kapë nivelet e vendeve të BE-së.

“Ora ecën djathtas”

Duke folur për procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime të reja, kreu i qeverisë deklaroi se akuzat e opozitës ndaj procesit përkthehen si frikë nga zgjedhjet. Sipas tij, mazhoranca kërkon ecjen drejt modernitetit. “Ata që ju shkurajojnë për këtë dokument, kanë frikë nga votat tuaja, por kjo është çështje e tyre. Ne së bashku ecim drejt modernitetit”, - tha Berisha. Ai tha se ky dokument ka shumë arsye që qytetarët shqiptarë të ndihen krenarë. Kreu i qeverisë simbolizoi politikën e mazhoranës me akrepat e orës, që sipas tij, ecin djathtas dhe nuk mund të kthehen akrepat, pse duan disa të tjerë. “Votën ju dini se kujt t`ia jepni. Orën ju nuk e ktheni prapa, pse duan të tjerë. Ora juaj është djathtas, majtas do të thotë prapa dhe ne nuk kemi ndërmend të kthehemi prapa”, - tha Berisha.

Letërnjoftimi i ri, baza për lëvizjen e lirë në BE

Kryeministri Sali Berisha përfitoi nga takimi me qytetarët e Laçit për t’u bërë thirrje atyre dhe gjithë të tjerëve, për të bërë aplikimin për letërnjoftimin e ri. Berisha tha se dokumenti i ri është baza për të udhëtuar të lirë drejt BE-së. “Ky dokument do të jetë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit tonë në Bashkimin Evropian”, - tha ai. Kreu i qeverisë tha se me anë të letërnjoftimit të ri do të njësohen shumë shërbime të cilat ishin të cunguara më parë. “Ka sot nga ata, - tha Berisha, - të cilët për 8 vite ju mashtruan se do t’ju bëjnë me dokumente të reja identiteti dhe nuk ju bënë dot kurrë, të cilët me populizmin e tyre shpërndajnë mashtrime”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›