Qeveria: Rama të dorëzojë Planin Rregullues të Tiranës
Qeveria ka përsëritur kërkesën për dorëzimin e Planit Rregullues të kryeqytetit nga ana e kryetarit të bashkisë, Edi Rama. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve, Erla Mëhilli, kërkoi nga ana e bashkisë që plani të dorëzohet për t’u miratuar. “Prej muajsh me radhë, ne po kërkojmë që Plani Urbanistik i Tiranës të ndjekë procedurat e miratimit, në mënyrë që kryeqyteti të mos zhvillohet sipas trilleve elektorale dhe nevojave për para të Edi Ramës”, - tha Mëhilli. Ministria e Transporteve akuzon kreun e bashksë se po keqpërdor territorin e Tiranës për interesa personale. “MPPTT-ja deklaron se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të frenuar keqpërdorimin politik të bashkisë sipas parimit ‘një pallat - një votë’. Ne do të përdorim çdo mekanizëm administrativ dhe ligjor dhe do të bëjmë nul të gjitha vendimet e dala nga pazari i sotëm në KRRT-në e Bashkisë së Tiranës. Ritheksoj, se asnjë vendim nuk do të mund të merret me votat e blera të KRRT-së së bashkisë për sa kohë Plani i Përgjithshëm Rregullues nuk dorëzohet dhe nuk futet për procedurat e shqyrtimit e të miratimit”, - deklaroi Mëhilli, duke shtuar se dje Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës aprovoi në rreth 2 orë, 30 leje ndërtimi për godina shumëkatëshe, që sipas saj, vërtetojnë keqpërdorimin e pushtetit të Ramës.