Falsitetet e Edi Ramës nga “Refleksionet” te “Kurbani”
Refleksionet i nxori nga qarkullimi Edi Rama, autori i tyre që e pasqyron veten nga antienverist fiktiv, në enverist të politikës së sotme të grumbullimit të llumit, për të rrëzuar Sali Berishën! Por një libër i shkruar, në kohën kur autodafetë janë zhdukur bashkë me Inkuizicionin, nuk mund të zhbëhet nga një i çekuilibruar si Edvin Kristaq Rama. Pra, Haxhi Pishmani ynë, është orvatur të bëjë një veprim të pamundur e të turpshëm, për të diskredituar jo vetëm bashkëqytetarët e tij, por vetveten - në radhë të parë - pa përjashtuar bashkëkombësit e tij, për fat të keq. Sepse, duam s’duam, ai sot nuk është një ‘inkonjito’, apo një shkrues i çakërdisur politik, por një kryetar i opozitës. Paçka se i pangjashëm me asnjërin ndër kryeopozitarët e vendeve demokratike.
Meqenëse mëtojmë të argumentojmë çka themi, po japim disa prej fakteve të shumta. Ndonëse ai ka dëshirë ta besojnë se është paqësor në ligjërimet e tij të fushatës, atë e tradhton mllefi ndaj kundërshtarëve politikë, që t’i trajtojë këta thuajse si armiq. Berishën e quan, në mënyrë të përhershme, ‘Saliu’. Por doktori e përmend kurdoherë me ‘zoti Rama’. Kështu e cilësonte edhe z. Lulzim Basha, gjatë fushatës për kryetarin e Bashkisë, ndonëse Edvini e quante shpesh edhe ‘Lulzim Saliu!’. Pra, politikani Rama udhëhiqet në çdo rast nga mllefet dhe inatçillëku i qenies së vet si i kapluar nga sindroma psikopatike, qysh në moshën e miturisë. Së paku të ishte korrekt për reciprocitet. Por ai nuk mundet ta fshehë atë fizionomi që i është bërë si një njollë shpirtërore në ADN-në e tij. Që kur ishte i ri, bënte karikatura në organet propagandistike të Sigurimit, me diversantë gjakësorë dhe me heroizmin e sukseseve të sigurimsave (me ndihmën e Kim Filbit) ndaj atyre bishave që kërkonin të preknin fitorjet e popullit. Natyrisht duke shprehur vrerin kundër imperializmit amerikan!
Së dyti, bën namin kundër korrupsionit të qeverisjes duke na dhënë shembullin e vetvetes, si personin e fukarait me një shtëpi mikroskopike me qira! Pastaj na del se ky fukarai i shkretë na qenka me “të qerasme milonash” të pallatëve pesëkatëshe(!). Madje edhe me ‘honoraret’ e “Kurbanit”, që na sjellka të ardhura njëmilionëshe. Pra, kot u mallëngjyen mirëbesuesit teveqelë që i besuan një milioneri, për shkak të një libri që na u bë si gjeli që pillte florinj! Kështu ato përrallat e luftës kundër korrupsionit u dogjën, si vëllimet e “Refleksioneve” që i dogji vetë! Nëse s’ju besohet, kërkoni ndonjë libër që u shkrumbos si Xhiordano Bruno dhe do të bindeni se ata libra u katandisën si “Veprat” e E. Hoxhës që duheshin nxjerrë jashtë përdorimit, për arsyen se heroi shndërrohej në armik! Për korrupsionin mund të flasim, shkurt, edhe diçka. Aq shumë i dhënë pas alergjisë kundër korrupsionit shoku Rama, sa ish-deputetëve të tij, të zhveshur nga qyrku i deputetit me vendin gjykate, iu dha sërish kandidaturën për t’u rizgjedhur sërish deputet!
Nga ana tjetër Arben Malajn, që ndryshonte tepër nga jesmenët e tij të shumtë dhe njihej si ekspert në ekonomi, e shpërfilli si persona ‘non grata’ për guximin e individualitetit për të mos i thënë ‘amin’ edhe kur nuk kishte të drejtë kryetari i tij në parti. Dhe, kur caktoi Milionerin Koço Kokëdhima si deputet në Vlorë, bashkë me vetveten, Rama shtangu që do të kishte si rivalë këtë dyshe, në të cilën mentori i Ramës pohonte me krenari se ishte zotërues i 200 milionë eurove! Atëherë, -çuditeshin mirëbesuesit, - si është e mundur që ky posedues i pasurisë marramendëse (me ndihmën ‘zemërgjerë’ të Ramës), paska qenë aq mosmirënjohës sa të mos i japë bamirësit të vet mundësinë e kësaj pasurie përrallore, për reciprocitet, së paku, - ta zëmë - 1 milion euro - paçka se 199 milionët. që do të mbeteshin nuk ua cenojnë asfare vlerën 200 milionëve! Duke qenë se kjo sfidë e jashtëzakonshme e A. Malajt ia shkallmoi blofet tërë megalomaní të Edit, ky i fundit bën gjestin e një të dëshpëruari pa karakter: Z. Malaj e ka gardhin e feudit të Edvinit të hapur! I propozoi shkurt një përulje si në Kanoza! Që Edi të kishte një lolo më tepër! E. Rama s’duhet të harrojë as E. Spiropalin që drejtonte FRESH-in, që donte t’ia hiqte kryetaren kësaj organizate të rinisë, meqë Spiropali nuk ishte e bindur aq sa do të dëshironte kryetari i Partisë. Por të rinjtë socialistë ia prunë mendjen vërdallë Edit, se solidariteti i tyre ishte për kryetaren e FRESH-it, jo për kryetarin e Partisë.
Nëse A. Malaj del fitues kundër Koços, atëherë aventurat që E. Rama i ka në gjak, marrin të tatëpjetën e frikshme, paçka se kryetari do të përdorë atë lajtmotivin, tanimë të dalë boje, “m’i vodhën votat!”. Kjo është bërë bozë e thartuar dhe kryetarit nuk i mbetet veçse të japë dorëheqjen! Nuk do t’i mbetet veçse të vejë në qytezat e Spanjës dhe të bëjë jetën e një sheiku (me dy rrokjet e fundit: i-ku) . Por do të verifikohej ai përgënjeshtrimi në “Kurban” i varfanjakut të simuluar, në vërshimin me mallkimet më të thershëm kundër gojëve të liga që shpifin se ai ka qyteza të plazheve spanjole në pronësi të tijën! Në faqen 12 të ‘Refleksioneve’, Edi Rama e quante dr. Berishën “lulja e intelektualit, në kohën kur Ramiz Alia po mbillte pluralizmin në mendim!”. Tani, duke qenë se nuk bëri karrierë politike me këto shprehje ose, e thënë ndryshe, nuk u besua në piruetat e tij politike, tani i ka hipur inati dhe flet pa etikën më fillestare, me emra përkeqësues. Në f. 40 të “Refleksioneve”, kur ishte ende me fjalë mikluese për PD-në, shkruante: “Partia Demokratike të kontrollojë të kaluarën për të mbrojtur të tashmen”. Atij nuk do t’i shkonte ndërmend në atë kohë se çdo të nxirrte e kaluara për Edi Ramën...