E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shënjestra” e regjisorëve prishtinas

10/06/2010 Intervistë me aktoren e re Rabije Kryeziu-Rozi

Drama “Beselam pse më flijojnë” e Rexhep Qosjes e inskenuar nga regjisori Fatos Berisha ishte njëra nga ngjarjet e fundit që karakterizoi “Tempullin e Talias” në Kosovë. Në mesin e shumë prej emrave të spikatur të skenës kosovare ishte edhe ai i aktores së re. Në bisedën që bëmë enkas për “Metropol” ajo flet për karrierën, por edhe problemet që e përcjellin artin dhe artistin e ri kosovar në përgjithësi.

Ndër projektet e rëndësishme ku është paraqitur, padyshim veçohen bashkëpunimet me Fadil Hysajn tek shfaqjet “Fedra” dhe “Bodrumi”, si dhe shfaqja e fundit “Beselam...”. Kur kësaj i shtojmë edhe paraqitjen e saj në filma të shumtë, kryesisht të metrazhit të shkurtër, por mjaft të suksesshëm, si filmi “Hekurishtja” i Burim Halitit etj, film ky që rrëmbeu disa shpërblime ndërkombëtare, mund të shpresojmë për një artiste të veçantë e premtuese.

-Nga pak evenimente që karakterizojnë hapësirën skenike, qoftë mediale apo ndryshe, juve sikur iu ka buzëqeshur fati. Dua të them se gjithnjë jeni në “shënjestër” të regjisorëve më të mirë që ne kemi. A jeni e kënaqur me aktivitetet tuaja kur kemi parasysh këtë “varfëri të skajme” të skenës së gjithmbarshme kulturore te ne?

Hahahah. “Në shënjestër”! Faleminderit. Po... Tani, duke pasur parasysh këtë “varfëri të skajme”, sigurisht që duhet të jem e kënaqur. Të gjithë e dimë që ne nuk kemi mundësitë e zgjedhjes. Unë falënderoj Zotin që më ka mundësuar të punojë me shumë prej regjisorëve nga më të vlerësuarit tek ne. Besoj që edhe ata janë ndarë të kënaqur me punën time. Të paktën nga shenjat e kuptoj të jetë ashtu. Është e rëndësisë së veçantë për mua të ruaj kontinuitetin e punës dhe bashkëpunimin e mirë me producentë e regjisorë sepse thjeshtë i jam përkushtuar me tërë qenien këtij profesioni.

Pse mendoni se një artist/e i ri apo e re nuk vërehet të marrë guximin të ballafaqohet me vështirësitë e të ashtuquajturës “konkurrencë vlerash”, kur dihet mirëfilli për anarkinë që manifestohet me rastet e përzgjedhjeve joadekuate etj.?

Ska se si të marrë guximin kur nuk i jepet mundësia. Ka shumë artistë të rinj që janë shumë të talentuar, por që ende nuk iu ka buzëqeshur fati. Ne të rinjtë nuk kemi frikë nga “konkurrenca”, por lutemi për mundësinë e ballafaqimit, madje, kujtoj që sa më e madhe konkurrenca, aq më shumë do të kemi mundësi për punë e pak kohë për thashethëna, dukuri kjo që po na shkatërron si njerëz!

A të ndodh të imagjinosh ndonjëherë se çtrajtim do të kishte një artiste me predispozita të përafërta me tuajat, por që vepron në ndonjë vend që ofron më shumë për artin dhe artistin?

Shumë shpesh. Hahaha... Ehhhh, por nuk duhet të krahasohemi me asnjë vend tjetër se jemi këta dhe këtu ku jemi edhe unë, ashtu si kolegët e mi, por edhe arti dhe artisti në përgjithësi nga të gjitha profilet, respektohemi aq sa meritojnë, për të mos thënë edhe më pak se çmeritojmë.

A ke menduar ndonjëherë se është e kotë të jesh artist/e aty ku nuk vlerësohesh?

Fat(keqësi) jona është se e duam këtë punë... E duam shumë. Aq shumë saqë pranojmë të qëndrojmë edhe aty ku nuk vlerësohemi dhe vazhdojmë të punojmë që një ditë, mbase do tia dalim ti bëjmë të tjerët të na respektojnë. Analogjinë me vende të tjera nuk kam guximin as të imagjinoj sepse besoj që relacionet artistë-artistë, shtet-shtet dallojnë dhe janë në harmoni të plotë me faktorë nga më të ndryshmet që bëjnë një komunitet artistësh brenda një shteti të caktuar të vlerësohen ose jo. Ndonëse jam e bindur për afinitetet tona, tani për tani as që marrë mundimin të vlerësoj për krahasime, madje edhe me vet vendet e rajonit. Krejt kjo për mungesën e një organizimi të mirëfilltë të shtëpive aq të pakta serioze që prodhojnë filmin e që mund ti numërosh për vetëm disa sekonda. Por, duhet kuptuar të gjithë, aq më parë kur kemi parasysh se një shtet i ri si ne, ka problemet të tjera të konsolidimit dhe temat tona në këtë kohë do ti trajtojnë të tjerët që tashmë janë konsoliduar dhe artin e kanë prioritetin kryesor.

Po për ndonjë projekt eventual në Shqipëri. A ke idenë se si do të ndikonte në karrierën tuaj të mëtejme?

Çdo projekt, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj, gjithnjë është në të mirë të karrierës dhe me shumë kënaqësi do të doja të punoja në të gjitha trevat shqiptare. Çdo projekt i ri, çdo njohje e re, çdo aktivitet i ri ngërthen në vete edhe një përvojë tjetër që besoj se do të ndikonte në avancimin tim profesional dhe mundësinë e njohjes më të madhe.

Jo gjithnjë kalkulimet me shifra janë primare. Në këtë kontekst, çfarë kalkulimesh ke bërë paraprakisht që “të shpërthesh” jashtë kufijve të hapësirës shqipfolëse?

Nuk po di sa është me vend të flasë për gjëra që ende skanë ndodhur dhe janë larg në hapësirë e kohë të ndodhin, por, si çdo njeri, edhe unë kam bërë kalkulime. Shpresoj që mos të më shkojnë kot. Ëndërr e çdonjërit është por...!

Ne e dimë fare mirë se si juve, ashtu edhe miqtë e kolegët tuaj të gjeneratës re po kanë vështirësitë e tyre të korrin sukseset e imagjinuara. Tashmë dihet arsyeja. Ja të themi se shumë shpejt, pas një dekade do të ndërrojnë gjërat. Atë që supozojmë se një artist/e 20-25 vjeçar/e mund të japë nga vetja, nuk do arrinte pas të tridhjetave e më shumë. Nëse ndodh që të mbetesh, të them kushtimisht, e parealizur në këtë moshë, kë do të mallkoje për fat(keqësinë)?

Hahaha... Në radhë të parë shpresoj të mos plakem në të tridhjetat sepse është shumë herët. Nuk di... Këtë profesion e kam zgjedhur me dëshirë kështu që smë takon të mallkojë askënd. Për më shumë, ua them se shumë e urrej mallkimin. Vetë termin “mallkim” kur e dëgjoj rrëqethem (Hahaha). Më duket shumë i vrazhdë. Kur të arrij atë moshë, shpresoj të mos kem kohë për mallkime dhe me shumë sinqeritet mendoj që një artist ka çka të japë për gjithë jetën e tij. Madje deri në frymën e fundit ai/ajo mund tia falë skenës. “Artisti nuk plaket deri në vdekje”... Kjo ndoshta është edhe e mira e artit.

Kritikët sa e sa herë iu kanë vlerësuar, ndërkohë që ende nuk iu kemi parë në ndonjë rol kryesor, qoftë në teatër apo film. A lidhet kjo me karrierën tuaj të shkurtër nga përfundimi i studimeve apo nuk e ke ndeshur "mbretin e botës" (rastin)?

Nuk e di. Ndoshta kjo punë lidhet ngushtë me “mbretin e botës". Ndoshta koha e shkurtër prej përfundimit të studimeve ka bërë që mos të ndeshem me "mbretin e botës", por që nuk e kam takuar "mbretin e botës" siç thoni ju për ndonjë rol kryesor, është shumë e vërtetë. Nuk di çtë them veçse të theksoj se e di fare mirë dhe shumë sigurt që mund të realizojë çdo besim që më jepet, pa as më të voglin problem dhe me shumë dëshirë.

Si është një ditë e zakonshme, një javë apo edhe një muaj i një artisteje? Çfarë ndodhë në jetën tuaj?

Si e çdo qytetari tjetër. Me punë, vizita etj. Vizitoj familjen në Therandë, lexoj, e dua vallëzimin e këndimin, shëtitjet, argëtimin etj. Pothuajse dy orë në ditë i kushtoj vallëzimit e këndimit, vetëm për dëshirën time. E dua shumë jetën “aktive” dhe spontanitetin e jetës.

Të kalojmë në gjëra tjera. Shkojmë tek letërsia. Çka lexoni më me ëndje? Cilin zhanër të letërsisë (prozë, poezi, dramë etj.)

I dua të gjitha. Romanet, novelat, poezitë, dramën etj, por, më me ëndje lexoj ato me karakter psikologjik. Në përgjithësi çdo gjë që ka të bëjë me jetën dëshiroj ta lexoj e ta di, por kuptohet, me kritere të caktuara përzgjedhjeje.

Tek veprat e kujt autori ke gjetur veten dhe cila është protagonistja që të ka ngacmur e që të bën ta kujtosh ose imagjinosh imazhin e saj?

Ka shumë autorë. Çdo pjesë gjatë studimeve që kam luajtur ose dhe kam lexuar e vazhdoj të lexojë, kam thënë dhe vazhdoj të them: "Ja, kjo është më e mira". Por veprat apo personazhet e mira e të pëlqyera për përzgjedhje janë të shumta dhe fatkeqësia është që shumë pak nga ato mund ti realizojmë. Meqë po kërkon të hysh në imagjinatën time dhe duhet të them emrin e personazhit që kam ëndërruar, atëherë mund të them se ajo është Nora tek "Shtëpi kukulle" e Ibsenit, vepër kjo që shpresoj se një ditë do të vihet në skenë dhe unë të jem pikërisht Nora. Por, patjetër se do më duhet që të kalojë në moshë, të plakem, të kalojë të tridhjetat që të jem "Nora" e Ibsenit dhe gjithashtu shpresoj që deri atëherë dikujt do ti kujtohet ta inskenojë atë vepër të mrekullueshme….

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›