Shënjestrohen ish të paprekshmit

Djali i madh i ish-kryeministrit rus, Viktor Chernomyrdin, 49-vjeçari Vitaly duhet të paraqitet në gjyq, për shkak se nuk ka kthyer kredinë që kishte në Gazprom Bank. Babai i tij ishte president i Gazprom për shumë vjet. Pak vite më parë ishte pothuajse e paimagjinueshme që dikujt në Gazprom t’i shkonte mendja të padiste Vitaly Chernomyrdin. Por tani, ose në Rusi kanë filluar të ndryshojnë kohërat, ose bankierët kanë mbledhur guximin për një gjë të tillë pas vdekjes së Chernomyrdinit plak.
Gazprom Bank ka paditur Vitaly Chernomyrdin për shkak se nuk i ka kthyer dy kredi me vlerë prej 1.25 milionë eurosh. Bankierët pohojnë se borxhliu ka injoruar paralajmërimet e tyre.
Vitaly Chernomyrdin ka përfunduar fakultetin e njohur të naftës ‘Gubkin’, dhe prej vitit 1985 ka punuar në Ministrinë e Industrisë së Naftës dhe Gazit të ish-BRSS, ndërkaq nga viti 1989 në Gazprom. Qysh në kohën kur – direkt ose indirekt - atje bënin çfarë të donin Viktor Chernomyrdin, dhe pasardhësi i tij, Rem Vyakhirev,ishte praktikë normale që fëmijët e udhëheqësve të hapnin kompani-simotra. Nëse punonin suksesshëm, ‘djemtë e baballarëve’ ishin pronarët kryesorë, e nëse shfaqej ndonjë telashe, atëherë gjithçka shkonte në llogari të Gazprom.
Vitaly Chernomyrdin ishte njëri prej themeluesve dhe udhëheqësve të Strojtransgaz, një kompani kjo që punoi shumë për kompaninë Gazprom. Në Rusi ai tentoi të bëhej deputet në qarkun e Oremburgut, por nuk fitoi numër të mjaftueshëm të votave.
Sigurimi i kontratave të vazhdueshme me Gazprom është një privilegj të cilin tani po e shfrytëzojnë njerëzit e “klanit të Peterburgut”, për të cilët në opinion dhe brenda qarqeve mediale qarkullojnë fjalë se janë miq dhe njerëz të afërt me Putinin dhe Medvedevin.
Nga ana tjetër, se edhe fëmijët e zyrtarëve të latë aktual përfitojnë punë të mëdha tregon edhe rasti i djalit të sekretarit të Këshillit për Siguri, Nikolai Patrushev, i cili është president i Bankës Bujqësore të Rusisë. Djali i ish-kryeministrit rus, gjegjësisht i shefit aktual të Shërbimit të Jashtëm të Zbulimit, Mikhail Fradkov, është drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Sigurimin e Kredive dhe Investimeve të Jashtme.
Shumica e ‘djemve të baballarëve’ si këta, zakonisht janë më të rinj se 35 vjeç.