Shënohet 10 vjetori i kampit Guantanamo

11 janari shënon 10 vjetorin e hapjes së kampit amerikan ushtarak të paraburgimit për terroristët e dyshuar, në bazën detare amerikane në gjirin e Guantanamos në Kubë. Qeveria amerikane, nën udhëheqjen e presidentit Xhorxh W. Bush e hapi kampin pasi forcat amerikane kishin pushtuar Afganistanin, për të sulmuar rrjetin e Al-Kaedës, që fajësohet për kryerjen e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, ku mbetën të vdekur rreth 3000 njerëz. Ndërkohë presidenti aktual, Barak Obama, pas zëvendësimit të Bushit në vitin 2009, urdhëroi mbylljen e kampit deri në janar të vitit 2010, edhe pse një gjë e tillë nuk është kryer. Aktualisht raportohet se në burgun e Guantanamos gjenden 171 të burgosur. Në 11 Janar 2002, në bazën amerikane të marinës, në Guantanamo arriten 20 të burgosurit e parë, me duar dhe këmbe të lidhura dhe me thes të vendosur në kokë. Imazhet e të burgosurve që mbanin uniforma portokalli dhe kafazët në të cilët ata qëndronin të izoluar, shumë shpejt do të bënin xhiron e botës, dhe burgu i Guantanamos do të bëhej një nga temat mjaft të diskutuara jo vetëm në SHBA por edhe në vendet e tjera. Sipas Pentagonit, shumica e personave që mbaheshin në Guantanamo, përbënin rrezik serioz dhe cilësoheshin si terroristë.