E Diel, 1 Nëntor 2026

Shënohet Dita e Tokës dhe në Kosovë, mbillen fidanë

PRISHTINE-Me aktivitete të ndryshme në Kosovë po shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës.

Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor e Kosovës, po e shënon ketë ditë me moton "Redukto, Ripërdor dhe Riciklo.

Po ashtu kjo ministri, në hapësirat e Shtabit Qendror të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka filluar aktivitetet e mbjelljes së fidanëve.

Në Prishtinë, në prag të 22 prillit është hapur Festivali i Luleve, ndërsa dje dhe sot aktivitetet zhvillohen gjatë tërë ditës në sheshin "Nëna Terezë" dhe në Parkun e Gërmisë, mbështetur nga Programi i USAID-it për Arsim Themelor, me qëllim të promovojnë pjesëmarrjen aktive me vizitorë dhe të inkurajojnë punën vullnetare të të rinjve në aktivitetet e organizuara për nder të Ditës së Tokës.

Aktivitete me mesazhe edhe për ambient më të pastër zhvillohen në gjithë vendin, përfshirë qytetin më të madh verior, Mitrovicën, ku pjesëtarët e FSK-së dhe nxënësit kanë mbjellë më shumë se 5.000 fidanë në Kushtovë.

Gjiganti ekonomik, NeëCo Ferronikeli, ndaj të cilit ka edhe kritika për ndotje të ambientit, në prag të Ditës së Tokës ka mbjellë fidanë drunjësh dhe ka vendosur kontenjerë për mbeturina në qytetin e Drenasit në krahinën kosovare të Drenicës

Por disa parti politike opozitare, e kanë kritikuar ekzekutivin kosovare se “qeveria po bën masakër me tokën bujqësore në Kosovë”.
Departamenti për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural i AAK-së, ka rikujtuar se jemi një nga vendet me më pak tokë punuese për kokë të banorit.

Më tej, AAK-ja thotë se sot askush nuk e di saktësisht sa është sipërfaqja reale e tokës bujqësore për kokë të banorit në Kosovë, pasi “askush nga mekanizmat ekzekutivë nuk punon në ketë drejtim”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›