E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: E ardhmja ime pas Presidencës në politikë

TIRANE-Presidenti i Republikës, Bamir Topi në një intervistë ekskluzive të dhënë dy ditë më parë për televizionin ALSAT në Maqedoni ka deklaruar se në përfundim të mandatit të tij në krye të shtetit ai e sheh të ardhmen e tij në politikën aktive.
Erdhët në Maqedoni në një periudhë kur Shkupi u trondit nga një fatkeqësi të madhe, vrasjen e 5 qytetarëve, gjë e cila krijoi tensione të mëdha. E diskutuat këtë me Presidentit Ivanov?
Natyrisht që ishte temë e diskutimit. Fillimisht i shpreha Presidentit Ivanov ngushëllimet për familjet e viktimave të këtij akti kriminal dhe sikurse u shpreha çdo akt i tillë i dhunës pavarësisht se nga kush realizohet dhe për ku drejtohet konsiderohet një akt i dënueshem dhe natyrisht që vlerësova që kjo është një çështje që duhet të trajtohet në mënyrë shumë profesionale dhe objektive nga institucionet e zbatimit të ligjit për të vendosur autorin e kësaj masakre para drejtësisë. Askush nuk ka të drejtë që të interpretojë mbi bazën e paragjykimeve për ta spostuar në atë pistë që ai dëshiron. Të ngresh insinuata ndërkohë që investigohet për një çështje dhe nuk ka një fakt konkret është gabim. Gjithsesi unë pashë që ka një preokupacion dhe një motivim që institucionet specifike të merren me këtë çështje dhe ta zbardhin atë. Ne dëshirojmë që kjo çështje të zbardhet dhe kjo do ishte mirë për të qetësuar cilindo mbi bazën e së vërtetës.
Në deklaratën tuaj në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Ivanov ju theksuat dhe përmendet se jo gjithkush ja do të mirën e harmonisë ndëretnike këtu në Maqedoni dhe veçuat Serbinë mes të tjerash. Pse pikërisht Serbinë?
Unë nuk dëshiroj thjesht të fokusohem tek njerëz që janë pjesëtarë qoftë të politikës apo të medias në një X vend të rajonit por nisur nga informacione që janë bërë publike që pa patur asgjë konkrete nga autoritetet për rastin konkret fillojnë e japin të një natyrë të një përplasje të karakterit etnik që do të ishte jashtëzakonisht gabim. Pra aftësia e politikanëve dhe detyrimi i politikanëve e institucuioneve në të gjitha vendet e Ballkanit është që të veprojnë me shumë korrektësi dhe me shumë ndjeshmëmri, me shumë ekuilibër që në situata të tilla të mos insinuojnë mbi bazën e psitave të cilat mund të destabilizojnë marrëdhëniet. Çështja është shumë e thjeshtë dhe në të njëjtën kohë shumë e ndërlikuar. Është shumë e thjeshtë sepse në rast se aktorët politikë e institucionalë e dënojnë aktin, inkurajojnë organet e zbatimit të ligjit që të gjejnë autorin e një masakre të tillë.
Z.President, ju jeni në përfundim të mandatit tuaj. Cilat janë planet tuaja ose le të thimi cili do të jetë angazhimi juaj në të ardhmen?
Deri në momentin kur të dorëzoj stafetën e kryetarit të shtetit do të ndjek me konsekuencë detyrimin kushtetues për të qenë president i të gjithëve. Në fakt ka kohë që më përmendin fundin e mandatit por më lejoni të theksoj se përpara kam disa opsione që janë akademike, pra rikthimi në botën akademike si edhe politike. Sigurisht që inercia për t’u marrë me politikë është më atraktive. Nuk ka një përgjigje definitive. Por probabiliteti sigurisht është në politikë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›