Shënohet dita kundër viktimave në komunikacion

Dita Botërore e përkujtimit për viktimat e komunikacionit rrugor daton nga viti 1993 nga Road Peace dhe është miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2005 e cila që nga ajo kohë njihet si ditë ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave në aksidentet rrugore.
Kësisoj, çdo vit, e diela e tretë e nëntorit është Dita Botërore e përkujtimit për viktimat e komunikacionit rrugor, ndërsa këtë vit kjo ditë është më datë 18 nëntor 2012.
Në këtë drejtim, Policia e Kosovës gjithnjë ka qenë e angazhuar në ngritjen e nivelit të sigurisë në përgjithësi veçanërisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor është përkushtuar në parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor.
“Në këtë kontekst vlen të ceket se mbështetur në Planin Strategjik 2011-2015 të Policisë së Kosovës si dhe Planin Vjetor të Punës së Divizionit të Komunikacionit Rrugor për vitin 2012, deri tani nga Divizioni në fjalë janë hartuar dhe dërguar 6 Urdhra Operativ ndërsa nga njësitë rajonale të komunikacionit rrugor deri tani janë hartuar dhe zbatuar rreth 198 plane operative”.
“E gjithë kjo me qëllim të ndërmarrjes së masave policore në edukimin, parandalimin dhe efektet e zbatimit të ligjeve në funksion të rritjes së nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor si dhe minimizimit të numrit të viktimave të cilët lëndohen apo humbin jetën në aksidente të komunikacionit rrugor”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.
Qëllimi i shënimit të kësaj dite, sipas PK-së, është sensibilizimi i qytetarëve në veçanti i pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor për rëndësinë që ka jeta e njeriut për të qenë pjesëmarrës në komunikacionin rrugor pa marrë parasysh cilësinë e tij, shofer, pasagjer apo edhe këmbësorë.
Ndryshe, sipas statistikave të aksidenteve në komunikacionin rrugor, ka rënie të aksidenteve rrugore me fatalitet në këtë dhjetë mujor (Janar- Tetor 2012) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, prej - 16.36 %, ndërsa persona të vdekur me – 29.10%.
Policia e Kosovës, duke u bazuar në autorizimet dhe obligimet ligjore, vazhdon me parashikimin e shumë masave dhe veprimeve operacionale për të pasur një siguri më të madhe në komunikacionin rrugor, dhe ky shënim i ditës botërore të viktimave nga fatkeqësitë në komunikacion rrugor besojmë që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e vetëdijesimit të pjesëmarrësve në komunikacion./Indeksonline/