Rrëshqitja e dheut; Durrës, projekte për sistemin kullues
Qeveria duket se ka menduar seriozisht lidhur me masat urgjente ndaj rrëshqitjeve në zona të ndryshme kodrinore të Durrësit, ku si shkak kanë qenë shirat e shumtë të dy-tre muajve të fundit. Që nga muaji nëntor i vitit 2008 e në vazhdim, për shkak të shirave, janë regjistruar disa raste shkarjesh masive të dherave nga kodrat e qytetit të Durrësit. Pasojë e shkarjeve ka qenë bllokimi i rrugëve, si dhe paniku te banorët të cilët kanë ndërtuar përgjatë këtij sistemi. Por nëse do të funksiononte rrjeti i kanalizimeve të ujërave të larta, i cili tashmë ka dalë jashtë përdorimi për shkak të ndërtimeve pa leje mbi kanale, rreziku i shkarjes së dherave dhe shembjes së shtëpive do të ishte i vogël. Por në kushtet aktuale, banorët e kodrave si dhe ato poshtë tyre jetojnë me panikun e shembjeve, për shkak të shkarjeve. Një projekt për rinovimin e sistemit të kanalizimeve do të ishte shpëtimi i banorëve nga shkarjet masive të dherave. Një projekt i tillë është hartuar 4 vjet më parë në pamundësi për të shembur 150 banesat e ndërtuara mbi kanale. Por realizimi i këtij projekti, i cili parashikon ndërtimin e një kanali të madh si dhe të një rrjeti kanalesh dytësore, që lidhen me të, kërkon 10 milionë dollarë. Kaq është fondi që ka Bashkia e Durrësit për zërin e investimeve për të gjithë vitin 2009. Një projekt i tillë mund të realizohet me fonde nga buxheti i shtetit, duke qenë se rreziqet nga kodrat prekin një zonë turistike, ose me kredi nga bankat e huaja.