Topi, Thaçi, diskutohet situata parazgjedhore në Maqedoni
Kryetari i PDSH-së së Maqedonisë, Menduh Thaçi, informon Presidentin Bamir Topi për zhvillimet më të fundit në vendin fqinj, problemet dhe përpjekjet e forcave politike shqiptare në Maqedoni për të gjetur gjuhën e përbashkët me qëllim përmbushjen e aspiratave integruese euroatlantike. Topi dhe Thaçi dje në Tiranë diskutuan rreth situatës në rajon në përgjithësi dhe asaj në Maqedoni në veçanti, sidomos mbi klimën parazgjedhore atje dhe për rolin e partive politike në shtetin fqinj. Në këtë pikë, kreu i shtetit shqiptar theksoi nevojën e bashkëpunimit mes partive shqiptare në të mirë edhe të së ardhmes së shqiptarëve në Maqedoni.
Pavarësia, Topi: Urime për përvjetorin e parë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi dje kosovarët për përvjetorin e parë të pavarësisë. Përmes një mesazhi drejtuar Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Topi i shpreh atij urimet më të përzemërta në përvjetorin e Kosovës së pavarur. “Kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht Juve, dhe nëpërmjet Jush, gjithë popullit të Kosovës, përvjetorin e parë të Ditës së Pavarësisë”, - ka qenë urimi i Presidentit Topi drejtuar homologut të tij, Sejdiu. Presidenti Topi thekson se gjatë këtij viti Kosova dëshmoi bindshëm angazhimin për të ndërtuar një shtet sovran, të lirë dhe demokratik. Topi e siguroi Presidentin Sejdiu për mbështetjen maksimale dhe për ruajtjen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe në rrugën e përbashkët drejt së ardhmes evropiane dhe euroatlantike.