E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, Rama parashikon sulmet e Metës



Edi Rama parashikon një fushatë elektorale të nxehtë me baltë dhe shpifje. Kryetari i PS-së, Rama, ka shfrytëzuar bastionin e LSI-së, Poliçanin, për t’u paraprirë akuzave dhe sulmeve të ish-aleatit të tij, Ilir Meta. Edhe dje Rama vijoi me të njëjtat tone si më parë, duke sulmuar indirekt kreun e LSI-së. Në Poliçan, ku deputet është Ilir Meta, kreu i PS-së u ka bërë apel gjithë atyre që e duan ndryshimin për të mos humbur arsyen përballë baltës e shpifjeve që do të gjenerojë lufta për pushtet e politikës së vjetër. "Politika e re nuk është një skenë ku një grusht burrash shahen e kacafyten dhe ku fiton ai që bërtet e shan më shumë, po një hapësirë ku njerëzit mund të zgjidhin së bashku problemet e bashkëjetesës së tyre në këtë vend, duke përmirësuar jetën e secilit”, - tha Rama. Duke e konsideruar model fushatën që po drejton, Rama u parapriu të gjitha akuzave në adresë të tij në muajt në vijim, duke akuzuar si Kryeministrin Berisha, por edhe ish-aleatin e tij, Meta. “Përballë nesh është e gjithë politika e vjetër e industrisë së akuzave, shpifjeve, fyerjeve, djathtas e majtas, që në javët e muajt në vijim do të punojë në ethe të papara, si asnjëherë më parë, për të na përbaltur, shkurajuar, mjegulluar arsyen e rrëzuar moralin”, - tha Rama ndër të tjera. Duke e përjashtuar veten nga të qenit politikan e duke përsëritur se është qytetar e njëkohësisht e renditi veten jo në radhët e krerëve të partive të sotme, tha se “të ardhmen tonë evropiane s'mund ta lëmë në dorë të llogarive që kushtëzohen nga numri i kryetarëve të partive majtas e djathtas, po duhet ta shohim si shprehjen e mundshme të një bashkimi të ri, që e kapërcen hendekun 18-vjeçar mes politikës së vjetër dhe njerëzve, si shumicën e zemrave dhe mendjeve shqiptare, që dalin nga skema e vjetër e përçarjes 18-vjeçare për interesat e një grushti politikanësh, si rezultatin e një koalicioni jo midis disa stemash e flamujsh partiakë, po shumë më gjerë se kaq, midis qytetarësh e qytetaresh si ju, të cilët duan të jetojnë në një Shqipëri ku politika të jetë evropiane dhe jo vetë pengesa për ta prekur ëndrrën Evropë këtu, në atdheun tonë në mes të Evropës". Dy ditë më parë, Rama ishte në Çorovodë dhe për të “zbutur” disi situatën në bastionin e LSI-së deklaroi se kishte ardhur për të bashkuar dhe jo për të ndarë Skraparin. Ndërkohë, ai shprehu habi se si kjo zonë edhe pas 18 viteve ishte shumë e varfër si dhe premtoi se do të mbarojë edhe 10 km rrugë. Një premtim i Metës që për Ramën nuk është realizuar ende. Ndërkohë, Meta nga Lushnja ka ironizuar takimet e Ramës në fshatra, duke e këshilluar që të mos i mësojë fshatarët se si mbillet kastraveci, por të rregullojë sheshin “Skënderbej” që ka vite pa u rikonstruktuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›