E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, ultimatum qeverisë për krizën

Mirel: Komisioni i Ligjeve ta zgjidhë me konsensus deri më 18 mars

Bashkimi Europian i ka dhënë një ultimatum të fortë dhe të detajuar mazhorancës për të pranuar kushtet e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Një zyrtar i lartë i Brukselit, përkatësisht Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, ka deklaruar dje në Tiranë dy herë se mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ligjeve do të mbajë qëndrim konstruktiv për nismën e PS-së për komisionin hetimor, duke e zgjidhur këtë çështje me konsensus. Ultimatumi i Bashkimit Europian ka qenë i detajuar, pasi ka dhënë datën dhe vijën politike. Sipas Mirel, “zgjidhjet duhet të bëhen menjëherë, që të jenë të përhershme dhe brenda datës 18, pasi kur në Shqipëri të vijë komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, kriza duhet të jetë e mbyllur”. Sipas zyrtarit të lartë të Brukselit, kriza duhet të mbyllet me konsensus, dhe në këtë rast ai ka vendosur edhe një mesazh: “Konsensusi është kusht thelbësor për integrimin europian të Shqipërisë”. Bashkimi Europian këtë radhë ka identifikuar qartë përgjegjësin për të zgjidhur krizën dhe këtë e kanë deklaruar si drejtori për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel, ashtu dhe ambasadori spanjoll, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Mirel deklaroi dje, pas takimit të Komitetit të Stabilizim-Asocimit që u zhvillua në Tiranë, se “në nëntor të vitit të shkuar unë isha në Shqipëri dhe thashë që debatet politike duhet të zhvillohen në Parlament dhe jo në rrugë. Ne sot mirëpresim kthimin e anëtarëve të PS-së në Parlament. Ky është një zhvillim politik dhe shpresojmë që diskutimet që po ndodhin në Komisionin e çështjeve Ligjore, të çojnë në zgjidhje të kënaqshme dhe të përhershme. Dhe prandaj kërkesa ime për këtë komision do të ishte që të gjendeshin zgjidhje që do të çojnë në marrëveshje në konsensus, sepse ky është esencial thelbësor, që Shqipëria të tregojë se është demokraci e pjekur. Shpresojmë që zgjidhja të bëhet para datës 18 mars, prandaj themi që kjo do të jetë një ditë e rëndësishme. Shpresojmë që kur komisioneri Stefan Fule të vijë në Shqipëri, më 19 mars, të gjejë një situatë të qartë e të vendosur”. Zoti Mirel ka bërë të qartë axhendën e mëpasshme të BE-së në lidhje me Shqipërinë, ku zgjidha e krizës politike është thelbësore. Nëse komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili vjen në Tiranë një ditë pas seancës së Kuvendit, pra më 19 mars, nuk e gjen krizën të zgjidhur, ai do të kthehet në Bruksel me rekomandimin për “ngrirjen” e marrëdhënieve, që mund të përkthehet në dy “JO” të mëdha, si për vizat, ashtu edhe për statusin e vendit kandidat. Në fakt, këtë skenar e ka përforcuar dje përfaqësuesi i Presidencës së Bashkimit Europian, përkatësisht ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio. Duke folur në fillim të takimit të djeshëm, Montobio deklaroi se “ne dëshironim që mbledhja e sotme të kishte ndodhur pasi të ishte zgjidhur ngërçi politik. Ne dërgojmë mesazhe, pasi takimi i radhës i Këshillit të Stabilizim-Asocimit (që mblidhet më 11 maj) do të bazohet pikërisht në arritjet e Shqipërisë. Ndërkaq, përveç çështjes së krizës politike, dje në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asocimit qeveria shqiptare është marrë në provë në kriterin politik edhe për luftën ndaj korrupsionit, por edhe për drejtësinë. Drejtori për Ballkanin, Pierre Mirel, ka deklaruar se do të monitorojmë me kujdes përzgjedhjen e gjashtë kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese dhe dy të tjerave për Gjykatën e Lartë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›