E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm vë në pranga punonjës të pikës kufitare Kakavijë

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pas marrjes së ankesës nga një shtetas dhe kryerjes së hetimit përkatës, kreu dje arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë kufitare të PKK Kakavijë, Inspektor Kreshnik Birbili, i vitlindjes 1983, dhe dërgoi për ndjekje penale në gjendje të lirë Nënkomisar Mariglen Hadaj, i vitlindjes 1982, me detyrë përgjegjës turni në PKK Kakavijë.
Në bazë të hetimit të kryer, kur kanë qenë në detyrë punonjësit e policisë Birbili dhe Hadaj, shtetasi shqiptar Xh. D., 17 vjeç, i cili po hynte nga territori grek në Shqipëri nëpërmjet PKK Kakavijë, gjatë intervistimit është keqtrajtuar fizikisht dhe më pas në këmbim të lënies së lirë, i është marrë një shumë prej 500 eurosh të cilën e kishte me vete.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake dhe arrestimit në flagrancë të punonjësit të policisë, SHKB i referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve të kësaj çështjeje, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ Kryerjes së veprimeve arbitrare”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet: 248, 259 dhe 250 të Kodit Penal.
Menjëherë pas ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mori masën e pezullimit nga detyra të punonjësve të policisë Nënkomisar Mariglen Hadaj dhe Inspektor Kreshnik Birbili.
Ministria e Brendshme gjen rastin për të informuar publikun se pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është vendosur linja telefonike falas 08009090, e cila është e disponueshme gjatë gjithë kohës, për të marrë ankesat e shtetasve ndaj policisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›