Zv/ministri i Brendshëm, Poni: Bashkitë socialiste po vonojnë sistemin e adresave, Rama deformoi formularin e të dhënave në Tiranë

Zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni u shpreh sot gjatë një komunikimi me mediat se Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Edi Rama, kanë manipuluar sistemin e adresave të reja. Sipas zv/ministrit të Brendshëm, materialit të Bashkisë i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa që kanë korrelacion me Projektin e Sistemit të Adresave. “Dje Z. Rama u përpoq të mbulonte dështimin dhe paaftësinë për të implementuar sistemin e adresave me anë të një shfaqjeje butaforike, por të rrezikshme për qytetarët e Tiranës dhe projektin për sistemin e adresave. është vendi t’ju informojmë se sipas kalendarit dhe udhëzimeve të Ministrit të Brendshëm, Bashkia e Tiranës duhet të kishte përgatitur informacion të detajuar në sistemin GIS lidhur me emërtimin e pjesëve publike të territorit; rrugë, bulevarde, sheshe, si dhe numërtimin e çdo ndërtese sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Ajo që Rama u përpoq të trumbetonte si sukses dje, është një punë që duhet të kishte përfunduar në janar 2009, në mars 2009, në tetor 2009, por fatkeqësisht edhe sot që flasim informacioni nuk është i plotë dhe as në përputhje me standardet e Projektit të Sistemit të Adresave. Materialit të Bashkisë i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa që kanë korrelacion teknik me to. Z. Rama nga ana tjetër në mungese të plotë të transparencës dhe respektit ndaj shtetit ligjor ka penguar qëllimisht transmetimin e këtyre të dhënave në Ministrinë e Brendshme për t’u bërë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Adresave”- u shpreh zv/ministri Poni.
Sipas tij, fillimi i popullimit të njësive vendore, duhet të realizohet pas certifikimit të punës me materialin GIS dhe me rregulla të qarta lidhur me sasinë e informacionit që kërkohet; cilët persona do ta kryejnë popullimin; si do të menaxhohet informacioni që mblidhet, si transmetohet informacioni etj; procedura këto që për shkak të mos prurjes së informacionit nga Bashkia e Tiranës, dhe Bashkia Prrenjas, nuk kanë filluar në asnjë prej bashkive e komunave.
“Për më tepër në shkelje të hapur të ligjit dhe garancive kushtetuese për qytetarët shqiptarë Z. Rama ka deformuar në mënyrë të paturpshme dhe të rrezikshme për projektin formularin e hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.
Shumica e informacioneve që kërkohen nga Bashkia; numri i celularit, punësimi, arsimi, profesioni, vendi nga vjen nuk jane fare kërkesa të Projektit dhe cënojnë hapur konfidencialitetin e të dhënave duke rrezikuar vonimin dhe dështimin e procesit.
I bëj thirrje publike kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në rast se vjen ndonjë ditë në punë, dhe administratës së tij, të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi, të sjellë dhe çertifikojë punën e bërë sikundër dhjetëra e dhjetëra bashki e komuna, si dhe gjithë procesin e popullimit ta kryejë në standardet më të larta të transparencës, efektivitetit dhe konfidencialitetit të të dhënave të tij”- vuri në dukje zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.